‘’Allo Allo’’  publiku e vlerësoi si shfaqjen më të mirë të Festivalit Teatror të Tetovës

Mbrëmë u mbyll Festivali Ndërkombëtar i Teatrit dhe sot siç duket janë hapur dhe kutitë për të parë se cilën shfaqje ka vendosur ta vlerësoj si më të mirën publiku dhe sipas vlerësimit të tyre, shfaqja nga Teatri i Gjakovës ‘’ Allo Allo’’ me regji nga Ilir Bokshi u vlerësua me notë maksimale nga shumica e publikut, njofton Portalb.mk.

Shfaqja fituese, fotografi e marrë nga Teatri i Tetovës
Shfaqja fituese, fotografi e marrë nga Teatri i Tetovës

Faqja zyrtare e teatrit sot bëri njoftimin: ‘’Edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit të Tetovës, përfundoi mbrëmë. Ne ju falënderojmë që çdo natë na keni vizituar dhe e keni mbushur sallën plot e përplot. Pasi festivali kishte karakter garues, fituesin e keni zgjedhur ju vetë, me votat që keni hedhur çdo natë në kuti. “ÇMIMI I PUBLIKUT”, sipas votave tuaja, shkon për Teatrin e Gjakovës “Hadi Shehu’’, me komedinë e shkëlqyer “Allo Allo”, me regji të Ilir Bokshit.’’- thuhet në njoftim.

Për më tepër, ne kontaktuam drejtoreshën e Teatrit të Gjakovës që luante dhe rolin e Fifit në këtë shfaqje Albulena Kryeziu Bokshin dhe e pyetëm se si kaluan në Tetovë, me që për herë të parë ishin në këtë festival dhe nëse ishin në dijeni që publiku i kishte vlerësuar si më të mirët. Ajo për Portalbin u shpreh:

‘’Nga Tetova u kthyem në Gjakovë me kujtimet më të bukura, ky çmim na i vulosi ato kujtime dhe i gjithë ekipi jemi shumë të lumtur dhe falënderojmë përzemërsisht organizatorët e festivalit, z.Bekim Smailin dhe z.Muzafer Etemin për pritjen e mrekullueshme.

Mbi të gjitha një falënderim shumë i madh për publikun tetovar që na duartrokiten dhe votën e tyre ja dhuruan Teatrit “Hadi Shehu”. Faleminderit Tetovë.’’

Festivali Ndërkombëtar Teatror i Teatrit i Tetovës që për pesë netë rresht solli shfaqje e trupa teatrore nga vendi e rajoni. Nga data 23 deri më 27 tetor Tetova ishte nikoqire e radhës e festës teatrore dhe mund të themi se u realizua një edicion i suksesshëm . Është edicioni i tetë me radhë sivjet pas tre viteve ndërprerje shkaku i pandemisë dhe buxhetit jo shumë të favorshëm.