Mickoski për udhëtimin njëjavor: Me djemtë ishim në një ekskursion shkencor-edukativ në Belgjikë

“Nuk kam qenë vetëm në Bruksel”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se ka qenë jashtë Maqedonisë për rreth një javë, pasi ishte në një udhëtim që është pjesë e mënyrës së edukimit që ai dhe djemtë e tij kanë – një herë në vit të vizitojnë një qytet evropian, transmeton Portalb.mk.

“Atje vizitojmë vende të rëndësishme, bisedojmë dhe mësojmë historinë e atij vendi. Një herë kemi qenë në Pragë, një herë në Budapest. Vizitën në Budapest e shfrytëzuam edhe për të parë ndeshjen mes Portugalisë dhe Hungarisë, pasi futbollisti i preferuar i djalit të vogël është Ronaldo. Më pas kemi qenë një herë në Vjenë. Këtë vit nuk patëm mundësi, sepse unë jam fajtor, këtë pranverë disi nuk pata mundësi të shkoja. Nuk jam adhurues i pushimeve të gjata me ujë të kripur, plazhe me rërë etj., ndaj vendosëm që ekskursionin ta zgjerojmë dhe ta bëjmë një ekskursion shkencor-edukativ në Belgjikë”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri sqaroi se katër ditë ka qëndruar në qytetin e Bruges, duke treguar në detaje për vendet që ka vizituar dhe ato që ka parë. Mickoski tha gjithashtu se tri ditë i ka kaluar në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me investitorë.

“Nuk kam pasur takime politike. Gjithashtu kemi bërë një vizitë në Bruksel. Kam pasur tri takime me investitorë, të cilët në Maqedoni janë në fazën përfundimtare të arritjes së marrëveshjeve. Njëri është nga Gjermania, tjetri nga SHBA-ja, ndërsa i treti po zgjeron investimin ekzistues dhe shumë shpejt, këtë vjeshtë, të tre do të nënshkruajnë marrëveshje. Publiku do të informohet për përmbajtjen e këtyre bisedimeve”, tha ai.

Mickoski shtoi se investimet janë në fazën e realizimit dhe se po punohet në detajet e fundit të marrëveshjeve. Ai pret që marrëveshjet të shqyrtohen në një nga seancat e ardhshme të Qeverisë.

Kryeministri theksoi se po i shpjegon detajet e udhëtimit, siç tha, në mënyrë që ata që janë kureshtarë nga opozita të dinë për të dhe të mos kenë nevojë të pyesin më tej.