Mucunski: Anëtare me ndikim të BE-së iniciuan takim mes meje dhe Georgievit, por pala bullgare nuk u përgjigj pozitivisht

Gjatë muajit të kaluar ka pasur iniciativa serioze nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian për organizimin e një takimi mes meje dhe kolegut tim nga Bullgaria, Georg Georgiev, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Iniciativat për takim, siç tha ai në televizionin Sitell, kanë ardhur nga anëtaret “më të mëdha dhe më me ndikim” të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, Mucunski thotë se nga pala e Bullgarisë fqinje nuk ka pasur përgjigje pozitive.

Këto ditë, sipas Mucunskit, nga Brukseli kanë ardhur sërish iniciativa për takim, ndërsa Qeveria e Maqedonisë ka përgjigjur se është e gatshme.

“Kur e morëm këtë ofertë si Qeveri, u pyetëm që të propozonim disa data. Ne thamë jo, caktojeni ju datën dhe delegacioni ynë do të jetë i pranishëm në bisedime të tilla. Për fat të keq, nga Sofja fqinje nuk pati reagim pozitiv. Ajo që mund të them është se edhe këto ditë, nga Brukseli, ka sërish iniciativa për organizimin e një takimi. Dhe përsëri do të them – ne jemi në dispozicion”, tha Mucunski.

Ai thotë se kur pala tjetër të jetë e gatshme, duhet të shkëmbehen argumentet dhe të “shprehim shqetësimet tona objektive”.

“Frika jonë është se edhe nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, shteti ynë sërish do të vihet në të njëjtën pozitë për shkak të çështjeve që lidhen me identitetin, historinë dhe gjuhën. T’i shprehim shqetësimet tona për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga pala bullgare”, tha Mucunski.

Mucunski vlerëson se, pas RMV-së, vendi me interesin më të madh që shteti të ecë përpara drejt anëtarësimit të plotë në BE është pikërisht fqinji ynë që është anëtar i BE-së.

“Më së shumti nga anëtarësimi ynë i plotë në BE mund të përfitojnë pikërisht Bullgaria fqinje dhe Greqia fqinje. Prandaj do të donim që ato të jenë mbështetësit tanë më të mëdhenj në rrugën evropiane”, tha ai.

I pyetur nëse vendi ka zgjidhje më kreative për marrëdhëniet me Bullgarinë, siç kishte përmendur më herët presidentja Gordana SiljanovskaDavkova, Mucunski tha se në bisedimet me vendet anëtare të BE-së gjithmonë ka përpjekje për të gjetur ndonjë zgjidhje.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë.

Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik.

Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike.