Mexhiti thirrje BDI-së, të mbështesin ndryshimet ligjore për Inspektoratin e Gjuhëve

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti i ka bërë thirrje sërish BDI-së që të votojë ndryshimet ligjore për Inspektoratin e Gjuhëve me qëllim që të zhbllokohet funksionimi i këtij institucioni dhe njëkohësisht punëtorët t’i marrin rrogat të cilat i presin afër gjashtë muaj, raporton Alsat.

Mexhiti, thekson që ka marrëveshje politike që pasi të miratohen këto ndryshime ligjore, Inspektorati i Gjuhëve të vendoset nën kompetenca të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

“Nëse këto ishin të gatshëm të votojnë riorganizimin e Qeverisë në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, mendoj që nuk kanë arsye të mos votojnë Inspektoratin e Gjuhëve, të zgjidhet pra njëherë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe mandej që të marrin rrogat e rregullta dhe mandej ashtu siç ka marrëveshje politike, Inspektorati të kalon në Agjencinë e Gjuhëve dhe për herë të parë Inspektorati i Gjuhëve të merr formën si të gjitha inspektoratet tjera sepse deri më tash Inspektorati i Gjuhëve ka funksionuar vetëm formalisht”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se ky Inspektorat prej themelimit e deri tash ka vetëm një gjobë edhe atë në kohën e kësaj qeverie në Tetovë.

Kujtojmë se Inspektorati për Zbatimin e gjuhëve humbi rëndësinë që kur Ligji për përdorimin e gjuhëve u gjend në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mbajë një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.