Mexhiti: Kemi marrëveshje me VMRO-në për promovimin e “balancuesit” në ligj për përfaqësim adekuat të minoriteteve
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, pjesë e koalicionit qeverisës “VLEN”, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “balancuesin”, në një intervistë për TV 21 thotë se ky mekanizëm është zhvlerësuar, ndërsa koha e tij ka mbaruar, transmeton Portalb.mk.
Në lidhje me akuzat e partive opozitare nga blloku shqiptar, se heqja e “balancuesit” do të cenojë të drejtat e minoriteteve, Mexhiti thotë se shqiptarët nuk humbasin asgjë me heqjen e këtij mekanizmi.
Ai shton se gjatë formimit të qeverisë së re, marrëveshja politike mes “VLENIT” dhe partnerëve nga VMRO-DPMNE ka qenë që “balancuesi” të avancohet në ligj për përfaqësim adekuat të komuniteteve pakicë.
“Gjatë kësaj periudhe, ku ka vende pune, do të ketë vende pune edhe për shqiptarët. Shqiptarët nuk humbasin duke shfuqizuar ‘balancuesin’, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e gjeti momentin, nuk priti që ne ta avancojmë, por shqiptarët do të fitojnë më shumë sepse do të kalojmë një ligj për përfaqësimin adekuat që jo vetëm që do të garantojë përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, por do të garantojë edhe punësime jopartiake dhe cilësore”, tha Mexhiti në intervistën e djeshme për Tv 21.
Në konkurs, shton Mexhiti, do të zgjidhet një shqiptar, por ai që është më i arsimuari dhe më i përgatituri.
“Në këtë mënyrë nesër do të kemi një administrator që do t’i shërbejë më mirë qytetarit”, shton ministri.
Ziadin Sela më herët gjatë ditës së djeshme nga opozita “Fronti Evropian” ka vlerësuar se me shfuqizimin e “balancuesit” po shkelen të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve të këtij vendi.
Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.
Ndryshe, ministri i Administratës Publike Goran Minçev më 27 korrik tha se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.
Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.
Kujtojmë se në seancën e mbajtur më 11 janar të këtij viti, Komisioni Antikorrupsion vendosi të paraqesë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mjetit “balancuesi”, pasi vlerësojnë se me këtë bëhen keqpërdorime në punësim.