Sela: Gjykata Kushtetuese të ndërpresë votimin sipas përkatësisë etnike dhe deklaratave të Mickoskit
Duhet t’i jepet fund votimeve etnike siç ndodhi dje në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori vendim skandaloz për balancuesin, i frymëzuar nga deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, tha kreu i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një konferencë për media në Kuvendin e Maqedonisë. Ai mendon se për ligjet e miratuara me Badenter duhet të vendosë edhe Gjykata Kushtetuese me shumicën e Badenterit, transmeton Portalb.mk.
“Heqja ose vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar balancuesin, për ne si ASH përbënë shqetësim. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë qytetarët, pasi nuk është vetëm vendim i gjykatës, por është paralajmërim politik i kryeministrit të tanishëm. Që kur u hap diskutimi për heqjen e 20-përqindëshit ai paralajmëroi edhe heqjen e balancuesit. Kjo nuk i kontribuon paqes dhe bashkëjetesës në vend, por krijon pasiguri dhe frikë te qytetarët. Ndërsa tek debati për destabilizim, tani shihet se kush e nxit këtë”, tha Sela.
Ai konsideron se minimumi që duhet të ndodhë në një situatë të tillë është miratimi i një ligji sipas të cilit për të gjitha ligjet e miratuara me Badenterin duhet të vendosë edhe Gjykata Kushtetuese me shumicën e Badenterit.
“Sa i përket VLEN-it dhe fjalëve boshe të tyre, planet e Qeverisë, shkojnë në programin qeveritar, dhe në programin qeveritar unë nuk kam vërejt që ekziston diçka e tillë. Kanë instruksionet e mjaftueshme të kampanjës të vitit 2020 ku unë kam fol gjatë gjithë kampanjës për nevojën për sjelljen e një ligji dhe përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Dhe kanë dëgjuar, dhe në kohën pas zgjedhjeve të 2020 ne kemi përgatitur një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ligj që mendojmë ta dorëzojmë në procedurë parlamentare në mënyrë që ta bëjmë më të sigurt garantimin e vendeve për çdo të punësuar dhe çdo bashkësi etnike”, deklaroi Ziadin Sela.