Më vjen mirë që Kamçev u vendos në “listë të zezë” të SHBA-së, thotë ministri Lloga

Ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga i vjen mirë që biznesmeni kontrovers Orce Kamçev është vendosur në “listën e zezë” të SHBA-së. Në përgjigje të pyetjeve gazetareske, Lloga tha se Kamçev ka qenë një prej sponsorëve të shkatërrimit të Prokurorisë Speciale Publike, por edhe për shumë probleme tjera që kanë ndodhur në shtet, njofton Portalb.mk.

“Kjo që i ka ndodhur zotëri Kamçevit ishte e pritshme, por në fakt, organet gjyqësore në Maqedoni nuk e shohin atë, zotëri Kamçev është njëri prej sponsorëve kryesor për shkatërrimin e PSP-së dhe emri i tij lidhet me shumë probleme në shtet. Më vjen mirë që është gjetur në “listën e zezë” të SHBA-së, por më vjen shumë keq që sistemi gjyqësor në Maqedoni nuk e ka parë dhe vazhdojnë të mos e shohin në mënyrën që e pret qytetari i thjeshtë”, tha Lloga.

Ndryshe, dje Departamenti i Thesarit të SHBA-së në lidhje me Kontrollin e Pasurive të Huaja njoftoi se Orce Kamçev është person “që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”.

“Kamçev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar agjendën e tij në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetrëve të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Brian E. Nelson, zv.sekretari i Thesarit.

Në njoftimin zyrtar theksohet se Kamçev është i përfshirë në rastin gjyqësor të njohur si “Parcelat në Vodno” dhe “Perandoria”, duke saktësuar që aktivitetet e tij kanë filluar nga viti 2000. Ai në këtë periudhë kishte tentuar që të manipulon përmes korrupsionit edhe sistemin juridik.

Rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale. Marrëveshje kanë arritur shtatë persona, ndër të cilët më të njohurit janë emrat e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe biznesmenit Jordan (Orce) Kamçev.

Gjithashtu për “Parcelat në Vodno” u dënuan edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski me 7 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj burg, Risto Novaçevski me 2 vjet burg me kusht dhe Nenad Josifoviq me 2 vjet burg me kusht.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.