Ageler pas vendosjes së Kamçevit në “listën e zezë”: Nuk do të arrestojmë, por është interesante të shihen hapat e ardhshëm

Që Maqedonia e Veriut t’i tejkalojë sfidat të cilat janë para saj, korrupsioni nuk guxon të kalojë vetëm ashtu. Përgjegjësit patjetër duhet të japin përgjegjësi. Këtë e deklaroi ambasadorja e SHBA-së në RMV, Anxhela Ageler, në konferencën e sotme në të cilën foli për vendimin e Ministrisë së Financave të Amerikës që ta vendosin në listën e zezë biznesmenin kontrovers, Orce Kamçev, transmeton Portalb.mk.

Ajo theksoi se hapat e këtillë, fillimisht për kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, ndërkaq tani edhe për Kamçevin nuk janë personale ose të motivuara politikisht.

“Nuk mund të them se cili personalitet do të jetë i ardhshëm. Ka edhe personalitete dhe organizata tjera të cilat për momentin shqyrtohen”, tha Ageler.

Për ndikimin  që e ka “lista e zezë” amerikane, ambasadorja komentoi se SHBA nuk do të vijnë dhe të arrestojnë ndonjë ose do të ndërmarrin masa të caktuara për ndonjë personalitet, por tha se është interesante që të shihen hapat e ardhshme, duke aluduar në institucionet e vendit.

“Kishim mundësi të gjejmë prova kundër këtyre personaliteteve dhe ato prova janë mbledhur këtu, në vend. Domethënë, informatat janë të qasshme, kemi punuar me institucionet. Por, masat e ardhshme varen nga organet kompetente”, tha ajo.

Ageler porositi se korrupsioni, në çfarëdo forme nuk duhet të tolerohet, ndërkaq vendimet që mund të vijojnë nga organet gjyqësore dhe institucionet tjera varen nga ne. Ajo shpreson se edhe qytetarët do të kërkojnë integritet nga njerëzit të cilët kanë ndikim.

Ndryshe, dje Departamenti i Thesarit të SHBA-së në lidhje me Kontrollin e Pasurive të Huaja njoftoi se Orce Kamçev është person “që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”.

“Kamçev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar agjendën e tij në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetrëve të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Brian E. Nelson, zv.sekretari i Thesarit.

Në njoftimin zyrtar theksohet se Kamçev është i përfshirë në rastin gjyqësor të njohur si “Parcelat në Vodno” dhe “Perandoria”, duke saktësuar që aktivitetet e tij kanë filluar nga viti 2000. Ai në këtë periudhë kishte tentuar që të manipulon përmes korrupsionit edhe sistemin juridik.

Rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale. Marrëveshje kanë arritur shtatë persona, ndër të cilët më të njohurit janë emrat e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe biznesmenit Jordan (Orce) Kamçev.

Gjithashtu për “Parcelat në Vodno” u dënuan edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski me 7 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj burg, Risto Novaçevski me 2 vjet burg me kusht dhe Nenad Josifoviq me 2 vjet burg me kusht.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.