Më shumë mbrojtje të përbashkët për më shumë autonomi strategjike të BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

– Këshillit i Evropës për më shumë investime në mbrojtje –
Këshilli i Evropës (29-30 Qershor të vitit 2023) filloi me mbështetjen e pritur për Ukrainën, të shprehur si te mbështetja e përsëritur ushtarake dhe politike, ashtu edhe te sinjalet gjithnjë e më të qarta për rrugën e mëtejshme për anëtarësim në BE.

Kësisoj, mbase nuk është befasi që pika e dytë e harmonizuar e këtij samiti Evropian ishte mbrojtja dhe siguria.

Koncepti i autonomisë strategjike të BE-së, i promovuar fuqishëm më Deklaratën e Versajës nga viti i kaluar të kryetarëve të shteteve/qeverive të vendeve anëtare të BE-së, dukshëm mbështetet në forcimin e aftësive mbrojtëse evropiane. Atëherë u vendos qëllimi themelor – të forcohet baza teknologjike dhe industriale e sektorit evropian të mbrojtjes, i cili duhet të bëhet më inovativ, më konkurrent dhe më rezistent. Fakt është se forcimi i mbrojtjes evropiane është vendosur si qëllim prej shumë më herët, por lufta në Ukrainë e ngriti këtë çështje në nivel krejtësisht tjetër.

Së shpejti pas Deklaratës së Versajës, institucionet evropiane i identifikuan boshllëqet – sfidat kyçe te investimet në mbrojtje në tre fusha: shpenzime për mbrojtje, sfida industriale dhe sfida të aftësive.

Shumica e anëtarëve të BE-së që janë edhe anëtarë të NATO-s (21) nuk e kanë plotësuar obligimin që si anëtarë të NATO-s të ndajnë 2% nga BPN-ja për mbrojtjen. Ulja e shpenzimeve për mbrojtje ishte kryesisht rezultat i krizës financiare, ndërsa trendi filloi të ndryshojë pas vitit 2014 dhe aneksimit rus të Krimesë. Për dallim nga shtetet evropiane, SHBA-të, Rusia dhe Kina dukshëm i rritën shpenzimet për mbrojtje. Ajo që edhe më shumë i shqetëson ekspertët është se 60% e buxheteve evropiane për furnizime në mbrojtje janë shpenzuar për import ushtarak nga vende të treta.

Boshllëqet industriale në masë të madhe i referohen fragmentimit të industrisë ushtarake evropiane. Tregu është i strukturuar kryesisht mbi linja nacionale, ndërsa investimet janë të ulëta, kështu një numër i madh i kompanive nacionale funksionojnë nëpër tregje të vogla. Nëse këtu shtojmë dhe varësinë nga lëndë të para thelbësore dhe gjysmëpërçues nga vende të treta – kryesisht nga Kina, atëherë pamja bëhet dhe më kritike.

Si nevoja urgjente në fushëveprimin e aftësive janë identifikuar: plotësimi i rezervave, ndërrimi i sistemeve nga koha sovjetike dhe forcimi i sistemeve për mbrojtje ajrore dhe raketore. Qëllimet më afatgjata janë formuluar më detajisht për fusha të ndryshme të mbrojtjes: ajrore, tokësore, detare, hapësinore dhe atë kibernetike.

Ekspertët në mënyrë të posaçme e theksojnë rolin e shteteve anëtare në fushën e mbrojtjes. Sfidë e madhe është vetë procesi i sjelljes së vendimeve i cili zhvillohet në nivel nacional, si dhe kalimi nga programet nacionale në ato multinacionale. Për mbrojtjen me rëndësi kyçe është planifikimi, e pastaj edhe buxhetimi, por aktuale janë edhe çështjet si sistemet e ndryshme komunikative dhe IT.

Komisioni ndërmori disa iniciativa si përgjigje ndaj sfidave urgjente. Propozoi që të mundësohet që Banka evropiane e investimeve të mund të financojë projekte në mbrojtje. Në procedurë është një propozim rregullativë për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes nëpërmjet një akti të përbashkët për prokurime, si një instrument afatshkurtër, për të cilin tashmë është arritur pajtueshmëri. Ajo duhet të japë bazë juridike për një Program Evropian për investime në mbrojtje. Komisioni tashmë dukshëm po vonohet me këtë propozim i cili u parapa deri në fund të vitit të kaluar. Përveç kësaj, shefat e shteteve dhe qeverive apeluan që sa më shpejt të miratohet Akti i propozuar për mbështetje të prodhimit të municionit.

Për gjithë këtë duhen para. Këshilli i Evropës përsëri i rriti mjetet financiare të Instrumentit evropian për paqe. Ai fillimisht për periudhën 2021-2027 ishte 5,5 miliardë euro, por pas rritjes së vitit të kaluar dhe të djeshme prej 3,5 miliardë eurosh arriti 12 miliardë euro. Ato do të jenë të dedikuara në mënyrë primare për mbështetje ushtarake të Ukrainës. Në vijim është edhe propozimi për rritjen e Fondit për investime në mbrojtje për 1,5 miliardë euro me revizionin afatmesëm të buxhetit shtatëvjeçar të BE-së.

Ajo çka ekspertët seriozisht e paralajmërojnë është jo vetëm nevoja për mjete plotësuese, por – si do të shpenzohen paratë plotësuese. Përgjigja e kësaj qëndron jo vetëm në programin e ardhshëm për investime ne mbrojtje, por edhe në dedikimin real të shteteve anëtare që ta tejkalojnë fragmentimin aktual.