(REPORTAZH): Edhe ajri në Moldavi sikur dridhet nga pasiguria e agresionit rus ndaj Ukrainës

Një ndërtesë e vjetër dhe e rrënuar i pret udhëtarët që zbresin në aeroportin e Kishinaut. Për nga madhësia dhe rregullimi ajo të kujton ndërtesën e vjetër të aeroportit të Shkupit. Menjëherë pas hyrjes në objektin e vogël ka një kontroll të pazakontë të pasaportave. Në pikën e kontrollit ka dy policë kufitarë, të cilët ruhen nga një person i tretë me rroba civile. Në pikën ku ata i kontrollojnë pasaportat qëndrojnë dy ushtarë të armatosur deri në dhëmbë të njësitit special. Moldavia shpalli gjendje të jashtëzakonshme menjëherë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë dhe jehona e luftës në këtë vend të Evropës Lindore ndihet që në vetë kufirin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Puna e dy policëve kufitarë pas sportelit monitorohet nga një mbikëqyrës me rroba civile. Ai mbikëqyr kontrollin e pasaportave të çdo udhëtari. Para meje ka rreth 20 udhëtarë, ndërsa nga ato vetëm në këtë pikë policia kufitare veçoi shtatë për kontroll të mëtejshëm dhe i dërgoi ato në mjedise të veçanta. Fjalia magjike se jam gazetar me sa duket ia ndryshoi shprehjen e fytyrës policit kufitar, i cili menjëherë e vuri re në pasaportën time shenjën e vizitës time në Ukrainë dhe vulën nga aeroporti Borispil i Kievit. Pasi më kërkoi plot dashamirësi përgjigje për pyetjet se çfarë do të bëj në Moldavi dhe ku do të qëndroj, vuri vulën për hyrjen time në këtë vend.

Para se të dilja nga kontrolli doganor në aeroport më priti Mihailli. Ai është shoferi im deri në hotelin në Kishinau. Kërkoi falje që nuk mund ta lërë makinën para ndërtesës së aeroportit, sepse është e ndaluar dhe ka shumë taksi të parkuar, jo që të gjithë legalë. Njëkohësisht ai më sqaroi se garazhi i montuar për parkim në aeroport është plot me automjete me targa ukrainase. Për këtë arsye ai nuk mund ta parkojë makinën e tij as atje.

Nga fillimi i agresionit rus Ukraina ka mbetur pa trafik ajror me botën, ndërsa pika më e afërt e fluturimit për shumë qytetarë ukrainas jashtë vendit është pikërisht Kishinau. Pra, qyteti bregdetar i Odesës është më pak se dyqind kilometra nga këtu.

“Në Kishinau kemi 1 milion qytetarë ukrainas, ata ikën nga lufta atje, por tani kanë filluar të blejnë apartamente në qytet”, shpjegon Mihaill teksa çan nëpër bulevardin me gropa që të çon në qendër të Kishinaut.

Sipas fjalëve të Mihaillit numri i refugjatëve ukrainas po rritet, duke reflektuar kështu seriozitetin e situatës në Moldavi. Të dhënat e UNHCR-së, nga ana tjetër, tregojnë se deri më 1 tetor të vitit 2023 Moldavia ka pranuar 792.605 refugjatë ukrainas, si dhe 96.664 banorë të vendeve të tjera, kryesisht qytetarë të Rusisë që largohen nga frika e mobilizimit në ushtrinë ruse.

Shifra të këtilla janë dramatike për një vend në të cilin sipas regjistrimit të fundit të vitit 2014 nga Zyra e Statistikave të Moldavisë janë regjistruar pak më pak se 3 milionë banorë. Kjo rritje kaq e madhe e popullsisë pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës është e dukshme kudo në kryeqytetin Kishinau.

Nëpër rrugë këtu shihen automjete me targa ukrainase, ndërsa çmimet e apartamenteve në Kishinau kanë arritur deri në 800 euro për metër katror, ​​thotë taksisti Mihaill. Për banorët e vendit më të varfër në Evropë, ku bën pjesë edhe ai vetë, kjo është një shumë që vështirë se mund ta përballojnë.

Por optimizmi i Mihaillit nuk shuhet. Ai shpjegon se Kishinau është një qytet jashtëzakonisht i sigurt, në Moldavi sundon paqja, ndërsa atmosferën e qetë nëpër qytet e prishin vetëm sirenat e ambulancave që kalojnë nëpër qytet.

Turbulenca politike pa fund

Përkundër shpjegimeve qetësuese të Mihaillit, në ajër në Kishinau mund të ndjehet tension. Në nëntor të vitit 1990 në këtë vend të ish-BRSS-së shpërtheu luftë mes qeverisë moldave dhe forcave separatiste të Transnistrisë, të cilat kishin mbështetje nga Moska zyrtare. Armëpushimi që u arrit në 21 korrik të vitit 1992 çoi në formimin e një lloj territori të okupuar të Moldavisë nëpërmjet krijimit të republikës së panjohur ndërkombëtarisht Pridnestrovie (Transnistria).

Monumente të periudhës sovjetike të shkruara në gjuhën moldave dhe ruse edhe sot mund të shihen në qendër të Kishinaut; Foto: Meta.mk
Monumente të periudhës sovjetike të shkruara në gjuhën moldave dhe ruse edhe sot mund të shihen në qendër të Kishinaut; Foto: Meta.mk

Sot Transnistria është një republikë e vetëshpallur, në të cilën ka ushtarë rusë dhe pajisje ushtarake ruse. Autoritetet moldave në Kishinau de facto nuk kanë kontroll mbi një të dhjetën e territorit që është i njohur ndërkombëtarisht për ta. Ajo që i shqetëson edhe më shumë autoritetet moldave është agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, së bashku me çështjet se çfarë do të ndodhë me këtë republikë të vetëshpallur në të ardhmen.

Për shkak të rrezikut të madh nga agresioni ndaj Ukrainës dhe mundësia që Rusia ta sulmojë edhe Moldavinë, në shkurt të vitit 2022 autoritetet në Kishinau vendosën një gjendje të jashtëzakonshme në vend, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Presidentja pro-evropiane e vendit, Maia Sandu në disa raste gjatë një viti e gjysmë ka deklaruar se Moska zyrtare ka për qëllim të kryejë një grusht shteti dhe ta rrëzojë qeverinë e Moldavisë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Protestat, fushatat dezinformative, masat restriktive të paargumentuara ekonomikisht janë vetëm një pjesë e taktikave që Moska zyrtare i zbaton ndaj Moldavisë në periudhën e kaluar.

Varfëria e qytetarëve moldavë mund të shihet në çdo hap në Kishinau; Foto: Meta.mk
Varfëria e qytetarëve moldavë mund të shihet në çdo hap në Kishinau; Foto: Meta.mk

 

Zgjedhjet në Moldavi do të mbahen më 5 nëntor, për herë të parë që nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës që filloi në shkurt të vitit 2022. Edhe pse do të zgjidhen kryetarët e komunave, përfshirë këtu edhe Kishinaun, këto zgjedhje do të jenë gjithashtu edhe një provë e besimit në koalicionin pro-evropian të udhëhequr nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit e presidentes aktuale Maia Sandu, kundër bllokut pro rus të socialistëve dhe komunistëve të udhëhequr nga ish-presidenti Igor Dodon. Në kryeqytetin e Moldavisë një muaj para zgjedhjeve fushata parazgjedhore tashmë ka filluar.

Billbord i bllokut politik pro-rus të socialistëve dhe komunistëve në Kishinau; Foto: Meta.mk
Billbord i bllokut politik pro-rus të socialistëve dhe komunistëve në Kishinau; Foto: Meta.mk

 

Në sheshet kryesore dhe rreth stacioneve të trolejbusëve shpërndahen afishe propagandistike të partive politike, ndërsa anëtarët e partisë bisedojnë me qytetarët. Billbordet janë të ngjitura me reklama politike në gjuhën moldave dhe ruse të partive. Në zemër të Kishinaut po ndërtohen rrugë dhe shtigje për këmbësorë, ndërsa punëtorët e ndërtimit janë të shumtë. Me pak fjalë, rikonstruimi parazgjedhor është në vrullin maksimal.

Lufta ka të njëjtën fytyrë kudo që shfaqet

Qendra e Kishinaut është qendra e ndërtesës eklektike të Muzeut Kombëtar të Historisë së Moldavisë. Një nga muzetë më të rëndësishëm në Moldavi në fillim të tetorit të këtij viti ishte nikoqir i ekspozitës së fotografit sirian Omar Sanadiki.

“Jehona e luftës: Ekspozita me fotografi nga Siria deri në Ukrainë” është ekspozita që u hap në këtë muze dhe me të cilën qytetarët e Kishinaut mund të njiheshin me pasojat e luftërave në Siri dhe Ukrainë përmes objektivit të fotokameras.

Një pjesë e fotografive nga ekspozita e Omar Sanadikit; Foto: Meta.mk
Një pjesë e fotografive nga ekspozita e Omar Sanadikit; Foto: Meta.mk

Sanadikin, me origjinë nga Damasku, lufta në Siri e ka detyruar të raportojë për qytetet e shkatërruara të fëmijërisë së tij. Verën e kaluar ai ka pasur mundësinë ta vizitonte Ukrainën dhe të shihte tmerret e agresionit rus. Duke i kombinuar materialet fotografike nga dy luftërat, në një mënyrë inovative ai arrin të kombinojë disa çifte fotografish që i pasqyrojnë tmerret e luftërave në Siri dhe Ukrainë. Pa e lexuar legjendën nën çdo çift të fotografie është e pamundur të zbulohet origjina e tyre. Thjesht, mjeshtëria e Omar Sanadikit e bën të mundur që duke parë një foto të rrënojave në Ukrainë të mendosh se po shikon shkatërrimin e Sirisë dhe anasjelltas.

“Për fat të keq gjithçka filloi me luftën për të cilën nuk doja të raportoja, por u detyrova”, kujton Sanadiki raportimin nga vendlindja e tij Siria.

Për ekspozitën e hapur në zemër të Kishinaut Omar Sanadiki thotë se zgjodhi të paraqesë jo vetëm shkatërrimin dhe dëmtimin, por edhe shpirtrat e njerëzve që mbijetuan.

Me një mori emocionesh Omar Sanadiki foli në hapjen e ekspozitës së tij; Foto: Meta.mk
Me një mori emocionesh Omar Sanadiki foli në hapjen e ekspozitës së tij; Foto: Meta.mk

“Gjithmonë bashkëndjej me këta njerëz, me njerëzimin. Në disa foto nuk do të gjeni njerëz, por do të gjeni shpirtrat e tyre”, thotë Sanadiki.

Në hapjen e ekspozitës në Kishinau ambasadori i Bashkimit Evropian në Moldavi, diplomati letonez Janis Mazeiks, tha se ndodhej në një ngjarje në të cilën nuk do të kishte dashur të merrte pjesë.

“Do të doja të mos më duhej të mësoja emrat e vendeve si Raka, Buça, Irpin, Mariopol, por duhej, ashtu si edhe ju”, tha Mazeiks.

Këto fotografi janë histori për barbarinë, të cilat dokumentojnë të keqen, por dokumentojnë edhe njerëzimin dhe mënyrën e jetesës në këto vendbanime, shtoi ai.

“Këto fotografi janë edhe një përkujtim i të qenit në anën e duhur të historisë. Mendoj se mund të jemi krenarë që bashkë, Bashkimi Evropian dhe Moldavia, janë në anën e duhur të historisë për sa i përket luftës në Siri dhe agresionit rus të paprovokuar kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës,” tha Mazeiks.

Ambasadori i BE-së në këtë ekspozitë e theksoi dëshirën e tij që Moldavia në të ardhmen të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ky vend i ish-BRSS-së në qershor të vitit 2022 u bë vend kandidat për anëtarësim të ardhshëm në BE. Por, përgjigjet për pyetjen se kur Moldavia do të bëhet anëtare e BE-së nuk duhen kërkuar vetëm nga autoritetet moldave, të cilët duhet t’i zbatojnë reformat dhe tek ndryshimet që do të duhet t’i shtyjnë qytetarët. Thjesht, e ardhmja e Moldavisë është e lidhur ngushtë me epilogun përfundimtar të luftës në Ukrainë dhe zgjidhjen e çështjes së hapur të vendosjes së sovranitetit të Moldavisë mbi rajonin e shkëputur të Transnistrisë.

Optimizmi i qytetarëve për anëtarësimin në BE është i lartë dhe anketat e fundit nga muaji shtator i këtij viti në mesin e votuesve tregojnë se presidentja Maia Sandu është politikania më popullore në vend që gëzon mbështetjen e 22,3 përqind të qytetarëve, ndërsa partia e saj ka mbështetjen e 19 përqind të votuesve. 7,8 përqind e votuesve i besojnë ish-presidentit Igor Dodon, ndërsa 11,8 përqind e qytetarëve të anketuar do të votonin për bllokun pro-rus të socialistëve dhe komunistëve, tregoi hulumtimi i qendrës sociologjike iData.

Si edhe në periudhën e kaluar qytetarët e Moldavisë edhe këtë vit do të duhet të zgjedhin nëse do të mbeten satelit periferik në hartën imperialiste të Kremlinit, apo një shtet anëtar përparimtar i BE-së.