Me ndryshimet e reja ligjore në RMV, thjeshtohet procedura për blerjen e municioneve për ata që kanë leje për armëmbajtje

Me ndryshimet e reja në Ligjin për Armët, ka hyrë në fuqi një sistem i ri për furnizimin me municion, me të cilin qytetarët që ligjërisht dhe me leje posedojnë armë do të mund të blejnë municionin e nevojshëm direkt nga dyqanet e autorizuara, informoi sot Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, transmeton Portalb.mk.

“Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Armët, ka hyrë në fuqi një sistem i ri për furnizimin me municion. Me të, qytetarët që posedojnë armë do të mund të blejnë municionin e nevojshëm direkt nga personat juridikë të autorizuar. Miratimi paraprak për furnizimin me municion nuk është më i nevojshëm”, njoftoi Toshkovski.

Ai shtoi se në të njëjtën kohë, përmes një sistemi qendror elektronik, Ministria do të kryejë kontroll dhe inspektim të vazhdueshëm të sasive të municionit që furnizohen, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me ligj.