Festa me krisma që përfundojnë në tragjedi, pse gjuhet me armë nëpër dasma në RMV?
Plagosje dhe dëme materiale, kështu mund të përshkruhen pasojat nga të cilat vijnë si rezultat i krismave nëpër ahengje të ndryshme në rajonin e Pollogut por edhe më gjerë, të cilat ndodhin kryesisht gjatë sezonit të verës, shkruan Portalb.mk.
Të dhëna shqetësuese nga Policia e Tetovës
Policia e Tetovës informoi se me datë 08.08.2024 rreth orës 21:00, në SPB-Tetovë, pas raportimit të mëparshëm se janë dëgjuar të shtëna në një aheng familjar në Tetovë, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë nga SPB Tetovë.
“Në oborrin e shtëpisë së personit V.A (24). nga Tetova, janë vërejtur mbetje të mjeteve piroteknike të cilat kishin qenë paraprakisht të aktivizuara, të cilat janë fotodokumentuar dhe pronarit i është përgatitur raport përkatës për konstatim të shkeljes nga neni 31 i Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike”, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Vetëm gjatë vitit 2023 në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë janë regjistruar 9 vepra penale, të gjitha në rajonin e Tetovës, prej të cilave 1 kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë, ndaj 4 autorëve për kryerjen e 1 vepër penale ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” të parashikuar dhe i dënueshëm nga neni 288 i Kodit Penal.
“Ndërsa për 8 veprat e tjera penale deri në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë janë dorëzuar 8 kallëzime penale kundër autorëve të panjohur, nga të cilat dy persona janë lënduar nga një plumb: rasti i parë është regjistruar në rrugën, ,,JNA” në Tetovë, ku është lënduar një grua, ndërsa në rastin e dytë në Çellopek të Tetovës një person është lënduar nga një plumb duke ecur nëpër rrugën e fshatit”, tha Fatmir Rexhepi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 9 kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike me organizim të paautorizuaar të fishekzjarrëve, nga të cilat 3 në Tetovë dhe 6 në Gostivar.
Policia e Tetovës thekson se kanë përforcuar aktivitetet kontrolluese për zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve të tilla të rendit dhe qetësisë publike si dhe për të parandaluar pasojat e mundshme në këtë drejtim.
Nga SPB Tetovë kujtojnë se krismat me armë dhe organizimi i paautorizuar i fishekzjarrëve dënohen me ligj.
Ç’thotë ligji?
Neni 31 i Ligjit për Kundërvajtje kundër Rendit dhe Qetësisë Publike thotë se:
Kushdo që gjuan me armë zjarri pa autorizim, përdor mjete piroteknike ose lëndë të ngjashme shpërthyese ose lehtësisht të ndezshme, ose në mënyrë të ngjashme prish qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, dënohet me gjobë prej 100 deri në 250 euro në vlerë të denarit.
Gjithashtu, varësisht nga pasojat, të shtënat me armë mund të përbëjnë edhe veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga Neni 288 i Kodit Penal të RMV-së.
Ky nen mes tjerash thotë se personi që me veprime në përgjithësi të rrezikshëm ose me mjet do të shkaktojë rrezik të konsiderueshëm për jetën ose trupin e njerëzve ose për pronën në përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
“Njollë e zezë në kulturën e festave”, pse kriset me armë në dasma?
Krisjet nëpër dasma janë një njollë e zezë e kulturës së gazmendeve familjare shqiptare ku gravitojnë shumë njerëz, burra, gra, fëmijë dhe mundësia për fatalitet është shumë i lartë. Kështu shprehet për Portalb.mk sociologu Ali Pajaziti.
Ai thekson se ndjesia e ngatërrimit të gëzimit dhe militarizëm është një trashëgimi nga e kaluara jonë, nga e cila ende s’po heqim dorë ndonëse pasojat i vërejmë çdo verë dhe përtej.
“Tradicionalisht pushka ndër shqiptarë është përdorur edhe si vegël argëtimi. “Krisi pushka e gjëmoi alltia. Sot ka gëzim, jo ska vend mërzia” është një tekst klasik që ilustron këtë mendësi që bie ndesh me vlerat e kohës së paqes, kur s’guxojmë të trishtojmë askënd”, tha Pajaziti.
Ai porositi që kjo dukuri mund të parandalohet duke marrë nisma individuale dasmorët si për shembull: S’guxon të kriset në dasmën time!”, duke folur klerikët, me fushata vetëdijësuese mediale, duke vigjiluar institucionet.
Festimet me krisma, problem i tërë vendit
Kjo problematikë nuk është e përhapur vetëm në rajonin e Pollogut, por më gjerë në të gjithë shtetin.
Për shembull këtë vit, më 31 korrik 2024, Policia e RMV-së ngriti kallëzim penal ndaj një punonjësi të policisë në Shkup pasi i njëjti gjuajti me armë në një dasmë familjare.
Ndërkaq më 28 korrik 2024, policia arrestoi një person nga Kërçova pasi i njëjti ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar, ku mbetën të plagosur tre persona.
Edhe në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme, për shembull në gusht 2023 u arrestuan dy policë të cilët gjuajtën me armë gjatë një dasme në Prilep.
Autoritetet për çdo vit përpara nisjes së sezonit veror të dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare apelojnë për mos përdorim të armëve, por shpesh herë këto thirrje shkojnë në vesh të shurdhër.
Si rezultat i këtyre krismave, në të kaluarën në shumë vende të shtetit janë regjistruar plagosje dhe dëme materiale të ndryshme.