Me investime reale në burimet e ripërtëritshme të energjisë, Manastiri dhe Kërçova kanë mundësi për tranzicion të drejtë

Mundësitë për vendosjen e sistemeve fotovoltaike në rajonin e Kërçivës dhe Manastirit janë të mëdha, veçanërisht në mesin e amvisërive, thuhet në analizat e përgatitura nga Qendra për hulumtim dhe informim për ambientin jetësor “Eko svest”, në bashkëpunim me disa ekspertë vendas, transmeton Portalb.mk.

Sipas llogaritjeve të përafërta, procesi i dekarbonizimit të dy rajoneve të varur nga prodhimi i energjisë së papastër nga lëndët djegëse fosile do të kushtonte rreth tre miliardë euro. Megjithatë, ekspertët janë unanim se kalimi në burimet e rinovueshme të energjisë është i nevojshëm dhe duhet të fillojë.

Projekti ka analizuar potencialet për shfrytëzimin e energjisë diellore dhe të erës, të cilat tregojnë se në rajonin e Kërçovës, kulmet e amvisërive kanë potencial për të instaluar pothuajse 40 megavat, ndërsa në Manastir, pa komunat përreth, më shumë se 60 megavat sisteme fotovoltaike.

Kjo, sipas profesorit Dragan Minovski, tregon se, nëse vendi me të vërtetë dëshiron të arrijë një tranzicion të drejtë energjetik, duhet t’u mundësojë amvisërive që të kenë një pozitë më të privilegjuar për instalimin e centraleve fotovoltaike. Ai tregon se ky kapacitet që mund të instalohet nuk do të shkaktojë ndikime në rrjetin e shpërndarjes, i cili ka kapacitet të mjaftueshëm për të pranuar energjinë e tepërt që do të prodhohej në çatitë e amvisërive.

“Analizat tona tregojnë se rentabiliteti i investimeve në termocentrale fotovoltaike është më i larti tek ato familje që kanë konsum vjetor më të lartë të energjisë, për shembull mbi 10 mijë kilovat orë. Me to, kthimi i investimit do të ishte në më pak se dhjetë vjet. Për ata me konsum më të ulët, kjo periudhë do të ishte më e gjatë se dhjetë vjet, gjë që e bën investimin më pak fitimprurës dhe do të ishte mirë që në këto raste të jepeshin subvencione”, thekson Minovski.

Ai thotë se ajo që ul më së shumti rentabilitetin e investimit është formula për llogaritjen e çmimit të tepricës së energjisë elektrike që do të prodhohej nga amvisëritë. Nëse në të bëhen ndryshime dhe prodhuesit/konsumatorët e rinj marrin çmim më të lartë për energjinë që do të dorëzojnë në sistemin e shpërndarjes, atëherë këto investime do të bëhen shumë më interesante.

Elena Nikollovska nga “Eko svest” thotë se këto analiza duhet të jenë kontribut i sektorit civil në diskutimet për dekarbonizimin dhe tranzicionin energjetik në Samitin në Tiranë. Ajo beson se nëse shteti vërtet dëshiron të sigurojë një tranzicion të drejtë të dy rajoneve, autoritetet lokale duhet të përfshihen në proces.

“Nuk shohim përfshirje të komunës së Manastirit dhe Kërçovës në të gjitha proceset që ndodhin në nivel nacional, në organet dhe institucionet shtetërore që janë përgjegjëse për realizimin e projekteve dhe shpërndarjen e mjeteve në vlerë prej 85 milionë euro për këtë qëllim. Përfaqësuesit e pushtetit lokal duhet të jenë të pranishëm në të gjitha këto organe dhe të jenë të zënë me të gjitha aktivitetet, por në të njëjtën kohë duhet t’i ndajnë ato informacione me qytetarët e tyre dhe t’u mundësojnë që të përfshihen në proces”, thotë Nikollovska.