Me 59 vota “për” u votua nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të shkurtuar
Parlamenti, me 59 vota “për”, tre vota “kundër” dhe asnjë abstenim, e votoi miratimin me procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor, i cili është pjesë e agjendës reformuese, raporton MIA.
Nënkryetari i Parlamentit, Antonio Milloshoski, i obligoi Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve, si organ kryesor punues dhe Komisionin ligjvënës juridik të mbajnë mbledhje për propozim ligjin.
Propozimi iu dorëzua Parlamentit nga një grup deputetësh, përkatësisht Antonio Milloshoski, Zeqirija Tairi, Daniel Stojçevski, Blerim Bexheti dhe Ivanka Vasilevska. Me ndryshimet, mes tjerash, parashikohet votim elektronik nga diaspora, ndërsa ka edhe ndryshime në pjesën e financimit shtetëror të partive.
Propozuesi, duke elaboruar pse Kodi Zgjedhor duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, theksoi se ai është diskutuar për katër muaj në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ku morën pjesë përfaqësues të partive politike, përveç LSDM-së, e cila filloi dhe pastaj u tërhoq.
Lidhur me modelin zgjedhor, Milloshoski tha se shumica e partive politike ishin për një njësi zgjedhore, por dy ishin për tetë dhe tre, por meqenëse nuk u arrit konsensus, mbeti në zgjidhjen aktuale me gjashtë njësi zgjedhore.
Lidhur me votimin nga diaspora, Milloshoski tha se është arritur konsensus për ta mundësuar atë në përputhje me praktikën në Francë dhe Estoni dhe të ketë votim elektronik, të sigurt dhe të mbrojtur.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara me Agjendën e Reformave që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit, përkatësisht edhe dy ditë. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.
Në nenin e propozuar thuhet se “votimi elektronik nga jashtë vendit” është mënyra e ushtrimit të së drejtës së votës në zgjedhjet për President të Republikës dhe për deputetë në Kuvend, përmes një sistemi të sigurt elektronik të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votuesit që ndodhen përkohësisht në punë ose qëndrim jashtë vendit dhe që paraprakisht janë regjistruar për një mënyrë të tillë votimi.
Propozim-ndryshimet gjithashtu parashikojnë një prag të ri për listat e pavarura të deputetëve. Sipas dokumentit, për to do të nevojiteshin nënshkrime nga të paktën 0,8 për ind e votuesve të regjistruar.