Me 100 mijë euro të padokumentuara, tentoi të largohet nga Maqedonia e Veriut në Zvicër

Punonjësit e Doganës së Maqedonisë së Veriut në Aeroportin e Shkupit kanë arritur të identifikojnë një qytetar i cili me vete kishte 100 mijë euro të padeklaruara, transmeton Portalb.mk.

Qytetarit H.A. që po udhëtonte në relacionin Shkup – Cyrih i janë sekuestruar 90 mijë euro, duke i lejuar vetëm 10 mijë euro.

“Udhëtari, i cili ishte shtetas i huaj, në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup u paraqit vetëm një valixhe, duke udhëtuar kah dalja e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk paraqiti asgjë për kontroll doganor. Gjatë kontrollit, në xhepat para dhe pas, janë gjetur 100 mijë euro që nuk ishin raportuar”, deklarojnë nga Dogana, duke paralajmëruar kallëzim penal.

Dogana theksoi që ai ka kryer vepër penale e dënueshme në bazë të nenit 56, paragrafi 2 nga Ligji për punë me deviza.

“Udhëtari me vete bartte 100.000 euro dhe sipas Ligjit për punë devizore i janë kthyer 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër që nuk ishin të deklaruara dhe për të cilat nuk kishte dokument janë ndaluar përkohësisht”, sqaruan nga Dogana.