“Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë” pushtojnë Shkupin, sonte fillon edicioni jubilar

Ansambli “Ibe Palikuqi”, organizon për herë të 20-të Festivalin Ndërkombëtar “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë”. Festivali fillon sonte (18 korrik) në Sheshin Skenderbeu në Shkup, me fillim nga ora 20:30, dhe do të zgjasë deri më 21 korrik, shkruan Portalb.mk.

Në këtë edicion do të marrin pjesë ansamble nga: Maqedonia e Veriut, Ukraina, Rumania, Polonia, Mali i Zi, Bullgaria, Turqia, Kosova, Shqipëria, Hungaria dhe Gjeorgjia, duke sjellë në zemër të qytetit grupe folklorike që do të prezantojnë kulturat e tyre përmes vallëzimeve tradicionale, muzikës dhe kostumeve autoktone.

Vebi Amza Kryetar i Ansambli “Ibe Palikuqi”, njëherit dhe Kryetar i Festivalit, për Portalb.mk tha se edicioni i sivjetshëm do të jetë më i pasuri deri më tani, me performanca të gjalla që pritet të tërheqin publik të gjerë nga vendi dhe rajoni.

“Për këtë vit jubilar do të ketë shumë risi, mirëpo tani nuk do i bëjmë të ditura për publikun, por do i lëmë që ata vet të vinë dhe ti përjetojnë këto risi të shumta, që do i sjellim në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të njihemi me kultura të ndryshme, të vizitohet Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe shumë dobi të tjera. Atmosfera unike e Çarshisë së Shkupit, e mbushur me tinguj folklorik dhe ngjyra të pasura tradicionale, pritet të krijojë përvojë të paharrueshme për të gjithë vizitorët”, tha Amza.

Ai shtoi se ky festival nuk është vetëm një manifestim kulturor, por edhe një takim ndërkombëtar që promovon paqen, respektin dhe pasurinë shpirtërore të popujve.

Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës e RMV-së, Komuna e Çairit dhe disa mbështetës të tjerë.