Mbrëmë në Shkup filloi shënimi i 15-vjetorit të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës Klasike “Tremolo”

Mbrëmë filloi shënimi i 15-vjetorit të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës Klasike “Tremolo” i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve. Ky festival bashkon dashamirët e kitarës klasike dhe gjatë këtyre viteve të fundit është shndërruar në një ngjarje kulturore, që dëshmon për praninë dhe paraqitjen e një numri gjithnjë e më të madh artistësh me famë botërore të specializuar në kitarën klasike, njofton Portalb.mk.

Mbrëmë në Muzeun e Luftës së Maqedonisë në Shkup, filloi festivali ndërkombëtar i kitarës “Tremolo”,  ku performuan Vullnet Neziri në instrumentin e “Oboes”, Jetmir Mehmedi në kitarë, Vegim Kuçi në kitarë dhe artistë tjerë të kitarës si: Georgi Trajkov dhe Duo Ballkan guitar.

Prof. Jetmir Mehmedi për Portalb.mk tha se së bashku me Vullnet Nezirin në ishtrumentin e “Oboes” kanë sjellë një repertoar të “Duo për Oboe” dhe “Kitarë”, një duet jo aq i zakonshëm, dhe ishte hera e parë që instrumenti i “Oboes” u shfaq në këtë festival.

“Mbrëmë në Festivalin Internacional të Kitarës “Tremolo” ishte nata e parë e këtij festivali dhe e patëm privilegjin unë së bashku me Vullnet Nezirin, të jemi pjesë e këtij eventi, nga se ky festival sivjet e mban edicionin e 15-të dhe është një ndër festivalet më serioze në RMV. Sa i përket publikut, salla te Muzeu i Luftës Nacionale Maqedonase ka qenë e stërmbushur me entuziast të kitarës klasike dhe jemi mirëpritur shumë mirë nga ato”, tha Mehmedi.

Mehmedi shtoi se ky festival tash më e ka publikun e vet dhe normal që interesi është në numër.

“Sa i përket interesit, “Tremolo” është një festival që tash më e ka publikun e vet dhe normal që interesi është në numër, për arsye se këtë vit do të ketë katër koncerte, secilën natë duke filluar nga mbrëmë, që ishte nata e parë, poashtu do të ketë një agjendë shumë të ngjeshur me Workshope dhe Masterklase gjatë këtyre ditëve”, tha ai.

Në pyetjen se çfarë programi kanë paraqitur mbrëmë Mehmedi theksoi:

“Mbrëmë së bashku me Vullnet Nezirin në ishtrumentin e “Oboes” sollëm një repertoar të Duo për Oboe dhe Kitarë, një duet jo aq i zakonshëm dhe ishte hera e parë që instrumenti i oboes të shfaqet në këtë festival, dhe sa i përket repertuarit luajtëm Sonatën në e-mol për Oboe dhe Kitarë nga kompozitori Ferdinant Rebay si dhe një aranzhim të këngës “Asaman o trëndafili çelës” e aranzhuar nga Vullnet Neziri dhe unë për këtë duet”.

Sonte me fillim nga ora 19:00 në Filharmonin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të performojë El Sonido De La Vida-Carlos Sancez nga Spanja. Ndërkaq nesër në Muzeun e Luftës Nacionale Maqedonase, do të performojnë edhe Jimmy Liu (Shih-yu Liu) nga Tajvani dhe Cassie Martin nga Franca.

Përveç mbrëmjeve koncertale, gjatë këtij festivali muzikor do të mbahen edhe master-klase dhe punëtori në fushën e kitarës klasike dhe flamenkos.

Festivali ndërkombëtar i kitarës klasike “Tremolo” mbahet nën patronatin e Qytetit të Shkupit, ndërsa hyrja është falas.