Mbi një vlerë të botës sonë kulturore

Gjuha artistike nuk mund të “dekodohet” nëpërmjet gjuhës së rëndomtë. Jurij Lotmani tha se kur flasim për poezinë nëpërmjet gjuhës së rëndomtë, atëherë e shkatërrojmë strukturën e saj, kurse lexuesit nuk arrijmë t’ia kumtojmë fluksin e informacioneve të shkallës së lartë që përmban ajo. Përkundër kësaj, duhet të afirmohen librat letrarë që thonë shumëçka, veçanërisht në këtë kohë anomie, kur ari përzihet me rërën, kur kakofonia është bërë e padurueshme, kur afirmohet mendjecektësia, kur polifonia e veprave të domosdoshme për një kulturë nuk dëgjohet nga zhurma e hiperrealitetit dhe e spektakleve. Veprat që thonë shumëçka nuk humbin asgjë nga vlera e tyre edhe nëse nuk afirmohen, por humb një sistem kulturor. Prandaj, është e rëndësishme që të afirmohen edhe veprat letrare të Ibrahim Kadriut (1945), i cili ka botuar librat me poezi: Netët e Karadakut (1969); Pranvera shikon nga bregu (1972); Diçka po ndodh (1972); Armendi, poemë (1974), Troku (1980), Fjalori i mbrapsht (1986), Frymëmarrje në shtjellë (2007), Kohë e varur në litar (2022) etj., por edhe novela, romane e drama. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, janë vlerësuar me çmime letrare dhe për ato kanë shkruar studiues e kritikë letrarë…

Ibrahim Kadriu u vlerësua si poet që me përmbledhjen e parë poetike, “Netët e Karadakut”. Profesor Rexhep Qosja shkroi se në këtë libër mbizotëronin dy obsesione të poetit: dashuria ndaj gruas dhe vendlindjes. Prej asaj kohe, opusi poetik i Ibrahim Kadriut u pasurua në shumë plane. Sot kjo vepër e nderon autorin, letërsinë shqipe dhe kulturën shqiptare. Në rend të parë për vlerat artistike, por edhe për shkak të mesazheve humane.

Nëse krijimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut do ta analizonim prej një këndvështrimi jashtëletrar, do të arrinim në përfundimin se ajo i bën nder kulturës shqiptare, sepse, në asnjë rast, autori nuk e afirmon urrejtjen dhe hakmarrjen, por humanizmin, mirësinë dhe paqen. Këtë e themi, sepse, fatkeqësisht, në hapësirën ballkanike pati shumë shkrimtarë që folën me gjuhën e djallit, në vend se të ishin në shërbim të muzës së tyre…

Ibrahim Kadriu është shkrimtari me dhunti krijuese dhe me kulturë të gjerë. Ka shumë krijues të mëdhenj jeta e të cilëve u shoqërua me skandale, por nuk ka krijues të madh pa kulturë të madhe. Ibrahim Kadriu e njeh mirë edhe historinë. Shkrimtari huazon nga historia aq sa i duhet përderisa e krijon nëpërmjet gjuhës një botë simbolike, botën e realitetit të thellë. “Historia shënon dhe romansieri krijon”, tha Edward Morgan Forster-i. Shkrimtari fokusohet te dhembjet, trishtimet, dashuritë dhe vuajtjet e njerëzve. Nëse kronistët thonë se Gjordano Bruno u dogj në turrën e drunjve, shkrimtari fokusohet te tmerret dhe dhimbjet që ai i përjetoi gjatë djegies. “Fiksioni fillon aty ku historia bëhet e turbullt”, tha Danilo Kishi. Kështu krijon edhe Kadriu.

Le të fokusohemi më shumë te poezia e Ibrahim Kadriut, pa pretendimin që të japim vlerësime shteruese.

Nëse i referohemi estetit Jurij Borev, mund të themi se poezia e Ibrahim Kadriut, përveç shtresës aktuale, e ka edhe shtresën universale, e cila është jetike për një vepër artistike.

Ibrahim Kadriu, si poet, ka shkruar për shqetësimet dhe obsesionet personale, por edhe për dramat dhe fatkeqësitë kolektive. Ka shkruar për të veçantën, intimen, por edhe për të përgjithshmen, kombëtaren. Gjithsesi edhe për mbikombëtaren. Prandaj vepra e tij receptohet në sisteme të ndryshme kulturore.

Ibrahim Kadriu ka shkruar shumë poezi përkushtuese për figurat e rëndësishme të traditës sonë dhe për kodet tona identitare. Poezia për gjuhën shqipe është një histori e gjuhës e shkruar në vargje.

Ai ka shkruar për atdheun, që “është edhe ku s’është”. Sepse atdheu është më shumë se gjeografi. Ai është edhe frymë, frymëzim, siguri, vazhdimësi.

Ai ka shkruar për vende të ndryshme të gjeografisë sonë: për Kosovën, vendin e varreve dhe të humnerave; për Shkodrën shpirtërore, të historisë, të kulturës, të qytetërimit shqiptar dhe europian; për Çamërinë dhe Karadakun; për Ulpianën e lashtë, ku ka pjesë nga mozaiku i përjetshëm i qytetërimit tonë; për Ulqinin, aty ku anijet nuk sillnin dhe dërgonin vetëm mallra, por edhe ide, motive, copëza kulture. Në poezinë “Ethet e një dimri” ai flet për një dimër në Toplicën e shekullit XIX. Për një dimër të jashtëm e të brendshëm. Shkruan për eksodin e njerëzve që shkojnë drejt pakthimit. “Jam nisur në pakthim që s’ka të sosur”. Ky udhëtim shoqërohet me psherëtima të përjetshme të atyre që e kanë humbur shtëpinë e tyre.

Ibrahim Kadriu ka shkruar shumë përkushtime edhe për personalitetet e historisë. Ka shkruar për Skënderbeun, mitin e të cilit e krijoi Europa dhe jo shqiptarët, për të çuditshmin, kryeneçin, idealistin Hasan Prishtinën, për Idris Seferin, Adem Ramadanin, por edhe për Nënën Tereze, të thjeshtën madhështore, njerëzorja e së cilës është tepër hyjnore dhe hyjnorja e së cilës është tepër njerëzore.

Ai ka shkruar edhe për personalitete të kulturës shqiptare dhe botërore. Ka shkruar për Ndre Mjedën, Adem Demaçin, Beqir Musliun, Din Mehmetin, Azem Shkrelin, Mirko Gashin, Agron Tufën apo Agim Maton, por edhe për lirikun e papërsëritshëm, poetin e vrarë nga diktatura, Federiko Garsia Lorkën, i cili këndoi për Spanjën, gruan, bukurinë, lirinë dhe vdekjen.

Është mbresëlënëse poezia “Të jesh shkrimtar”. Një poezi për shkrimtarin e gjithëfuqishëm brenda laboratorit krijues, aty ku nuk ka më të pushtetshëm se ai. Krijuesi aty është në botën e plotë. Në këtë përmasë vlejnë ligjet e artit, që nuk mund të shfuqizohen nga asnjë pushtet. Aty nuk mund të ndikojnë kuvendi, qeveria, programet partiake, policët, administratorët, prokurorët, truprojat, këshilltarët, diktatet, ligjet juridike, autoriteti. Aty krijuesit i mjafton vetëm letra. Nuk i duhen përfaqësues, zëdhënës, ministra. Në këtë përmasë, shkrimtari është “i vetëm, por jo i vetmuar”. Aty ai është “mbreti pa stoli, pa roja e oborrtarë”. Në studion e tij, ky mbret pa kurorë, vendos vetë për gjithçka derisa e sajon një tejbotë nëpërmjet gjuhës. Edhe pse në këtë botë hijesh mund të bëjë gjithçka, ai nuk e bën një gjë: nuk e cenon humanizmin, sepse letërsia e zhveshur nga përmasa humane ka pamje demoniake.

Kjo poezi na risjell në kujtesë edhe biografinë e mahnitshme të Stefan Cvajgut për Balzakun. Shkrimtari i “Komedisë njerëzore” zgjohet në kohën kur bota fillon të flejë. Ai i mbyll dritaret që të mbrohet nga zhurma e jashtme, por gjithë Parisin e ka brenda dhomës.

Ibrahim Kadriu frymëzohet edhe nga përditshmëria, nga ditët e zakonshme, që në thelb nuk janë aq të zakonshme. Me “instrumentet” e poetit flet për pjesën e shpërfytyruar të shoqërisë, ku mbizotërojnë idetë dhe veprimet false, ku ka rrënim dhe ligështi. “Sot s’është si dje”. Sot ka rrënim të sistemit të vlerave. “Të sotmen e varrosim nesër”, shton ai.

Ibrahim Kadriu ka krijuar edhe poezi intime, poezi dashurie. Nëpërmjet gjuhës së harruar na thotë se “gjuha e dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”. Gjuha e dashurisë është gjuhë shpirti dhe zemre. Është gjuhë e heshtjes. Dashuria në poezinë e tij, siç thotë studiuesi i njohur, Anton Nikë Berisha, është ndjenjë, është e kudopranishme dhe forcë ekuilibruese.

Një poezi, të cilën poeti e ka krijuar në kohën e pandemisë, na e kujton atmosferën mbizotëruese në Titanikun që fundosej. Pra, gjendjen kur njerëzit janë njësoj para fatkeqësisë, kur “mbretërit dhe varfanjakët” janë të njëjtë para vdekjes. Fatkeqësia, ashtu si te Këngët e Milosaos nga Jeronim de Rada, i fshin kufijtë ndarës ndërmjet shtresave sociale…

Vepra letrare e Ibrahim Kadriut është vlerë e përhershme e botës sonë kulturore. Ajo e ka pasuruar sistemin tonë letrar dhe kulturor. Si e tillë, kjo vepër, do të mbetet e pacenuar nga egërsia e kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.