Mbi fillet e letërsisë shqipe në Maqedoninë e Veriut
Udha e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni qe më e vështirë se ajo e viseve të tjera shqiptare. Ajo u nis nga hiçi dhe u pengua me të gjithë mekanizmat e mundshëm të pushteteve totalitare, që nuk e ndalën kurrë mekamin e ndrydhjes së vullneteve tona, shpëlarjen e trurit, zhveshjen sistematike nga tiparet e racës, shndërrimin e shqiptarit në turmë amorfe pa asnjë vetëdije, në rajë të pakujtesë, në masë injorante e të paqytetëruar, në robër lehtësisht të nëpërkëmbshëm, për të cilët vlerat shpirtërore qenë gjërat e fundit ku mund t’u shkonte mendja.
Por, edhe përkundër të gjitha trysnive letërsia shqipe në Maqedoni, si pjesë përbërëse dhe e pashkëputshme e letërsisë kombëtare, ka rrënjë të vjetra. Sipas disa studiuesve, ajo ka nisur të shkruhet në shekujt e XV-XVI, fill pas pushtimit të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane. Mjerisht, krijimtaria e atyre kohërave të mugëta, ka mbetur në errësirë dhe pret studiuesit e rinj për ta kthyer në jetë, për ta vënë në shkallën e merituar të kierarkisë së vlerave shpirtërore. Duke qenë se po flasim për krijues që shkruajtën në osmanishte dhe me alfabetin turko-arab, detyra e hulumtuesve të veprave të përfolura u bie hise osmanologëve shqiptarë, që duhet të shtrijnë kërkimet aty ku janë dëshmitë konkrete – në sixhilatin e pagjurmuar dhe të keqpërdorur nga fqinjët, që e kanë zët autoktoninë shqiptare në pjesën perëndiomore të Maqedonisë së sotme dhe gjithsesi në arkivat osmane të Stambollit dhe qyteteve të tjera turke.
Ndër autorët që përmendin emra krijuesish letrarë vërsnikë më Barletin e Beçikemin, është historiani i vyeshëm Ali Vishko, i njohur me monografinë: “Teqeja Harabati e Tetovës dhe roli i saj historik e kulturoir në të kaluarën” (2005). Sipas tij, në territorin që sot është Maqedoni ka pasur poetë, veprat e të cilëve nuk u mbijetuan furtunave të kohës. Ata organizonin madje lexime dhe gara poetike nëpër tempuj fetarë, veçmas në faltoret e bektashinjëve.
Edhe studiues të tjerë flasin për zhvillime të hershme letrare në Tetovë, Shkup, Manastir e Ohër dhe përmendin emra konkretë poetësh shqiptarë të kësaj periudhe, si: Muidi, Suxhudi, Bujuk Emiri, Qemaledin Shemiri…, duke u ndalur veçmas tek emri i njërit prej tyre (me gjasë më të dalluarit) – poetit e filozofit tetovar Sersem Ali Dede, i njohur edhe si themelues i teqes bektashiane Harabati Baba të Tetovës.
Më vonë, pas heshtjes 2-3 shekullore të krijuesve të kasabave të nëpërkëmbura shqiptare, veçmas pas kryengritjes antiosmane të Dervish Carës – betejës me shtrirje më të madhe gjeografike të ndodhur në kohën e Tanzimatit (1843-1847), në skenën kulturore dhe letrare do të vijë shkrimtari, dijetari dhe teologu Rexhep Voka (1847-1917), i cili me veprën “Mendime”, të shkruar në gjuhën shqipe por me shkronja arabe, bënte lutje dhe i këshillonte shqiptarët që të arsimohen. Të kësaj kohe janë dhe dhjetra krijues të tjerë nga Tetova, Shkupi, Manastiri, Dibra, Shtipi, Strumica dhe Velesi.
I kësaj kohe është edhe poeti, publicisti dhe shkrimtari i Rekës së Epërme të Dibrës Josif Bageri – themeluesi i shoqërisë “Dëshira” dhe botuesi i gazetës me ndikim “Shqypeja e Shqypnisë”, në Sofje dhe redaktori i revistës “Ushtima e Krujës” në Durrës, që luajtën rol të rëndësishëm në forcimin e vetëdijes kombëtare në popullatën analfabete shqiptare. Josif Bageri qe njëri prej krijuesve dhe veprimtarëve të shquar të Rilindjes sonë, njëri prej prometejëve të vilatit tim, fryma e të cilit vin e rindezur në kohën tonë, për t’ia bërë me dije botës se shpirti i arbërit rron, se Reka e Epërme është kërthiza e Shqipërisë, pavarësisht asimilimit perfid dhe gjenocidit shpirteror, të nisur nga serbët dhe të përmbyllur pothuajse në tërësi nga rrogtarët e tyre të kompleksuar maqedonas.
Parë për nga vlerat artistike, vargjet e Josif Bagerit, në veçanti predikimet edukative të Rexhep Vokës, janë krijime modeste në raport me veprat e bashkëkohanikëve të tyre, po në këto anë ata ishin Rilindësit e parë dhe, si të tillë, meritojnë vëmendje serioze nga studiuesit e brezave të ardhshëm.
Pas vitit 1912 u paraqit një grup tjetër krijuesish e veprimtarësh, në mesin e të cilëve u shqua romansieri e dramaturgu Haki Stërmilli (1895 – 1953) – autori i dramës “Dibranja e mjerueme” dhe romaneve “Sikur t’isha djalë” dhe “Kalorësi i Skëndërbeut”. Ai lindi në Dibër të Madhe dhe u formuar në rrethet kulturore të Shqipërisë londineze…
Në vija të trasha, pa u ndalur në emra autorësh të viseve të tjera, që kanë lëvizur, punuar e jetuar njëfarë kohe në Shkup, Tetovë a gjetiu, si puna e Pjetër Bogdanit – krijuesit me përmasa ndërkombëtare për rrethanat e kohës, këto janë fillet e letërsisë së shkruar shqipe në vendin që sot quhet Maqedoni…, e cila nisi të rrisë shtatin mirëfilli me veprat e autorëve që bënë emër pas përfundimit të luftës antifashiste, përkatësisht pas Plenumit të Brioneve, kur u zbut dhe u sofistikua në masë të prekshme dhuna mbi shqiptarët e mbetur nën çadrat e të tjerëve. Gjer diku, krijimtaria në fjalë ndau fatin e letërsisë së krijuar në Kosovë. Por, në stinët më histerike të diktaturës moniste, ata pak intelektualë krijues të kësaj ane i qenë nënshtruar ndjekjes nga syri i partishëm, sepse Maqedonia, siç thamë, nisi ta luajë vullnetarisht rolin e sejmenit të perdorshëm serb, duke persekutuar shqiptarët – veçmas klasën e krijuesve, duke i studiuar e duke vënë në sprovë ritmin e rrahjes së pulsit të tyre.
Të ngujuar në një hapësirë të ngushtë kulturore, mes kufijve shtërngues që na i vunë të tjerët; të gjendur në një mes pa publik lexues dhe pa treg vlerash, krijuesit shqiptarë të Maqedonisë bënë jetën e të humburit, duke u përpjekur të hapin, secili për vete, udhën e vështirë të xhunglës.
Kjo, natyrisht, e pengoi rritën normale të vlerave shpirtërore dhe mori në qafë disa krijues të cilësuar me talent të veçantë. Dëshmi për këtë është burgosja dhe më pas eliminimi i mistershëm i poetit dhe dramaturgut të talentuar tetovar – Sadudin Gjurës (1926-1962), të njohur si autor i dramave: “Lalë Bajrami”, “Fejesa në djep”, “Shqipja e malit”, “Dervish Cara”…
Fatin e Sadudin Gjurës e pati edhe poeti, publicisti, folkloristi e studiuesi, Azem Morana (1923-2947) nga rrethina e Shkupit, i njohur edhe me pseudonimin AMOR, të cilin e gjejmë në fletushkat e kohës, si: “Zani i Sharrit”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Bleta”, ku botonte vargje me nota të forta kushtruese që rrisnin vetëbesimin e popullatës së lodhur luftërash të pasosura dhe artikuj të fuqishëm për mbrojtjen e tokave stërgjyshore dhe identitetit shqiptar. Pikërisht për shkak të veprimtarisë së bujshme kulturore, arsimore e atdhetare, pushteti maqedonas e ekzekutoi në vitin 1947, por nuk ia doli ta mposhtë shpirtin e tij prej titani. Në vend të lutjeve për mëshirë, Azem Morana u tha xhelatëve: “Sa e ëmbël qenka vdekja për atdhe!”
Në kësi rrethanash, vetëm falë altruizmit emblematik të rilindësit të fundit shqiptar Esad Mekulit – frymëzimit dhe trimërimit të kriujuesve të paktë të kësaj ane, nisi kultivimi i letërsisë, gazetarisë dhe publicistikës në gjuhën e bukur dhe vendore shqipe dhe doli në skenë një brez i ri krijuesish prometejë, me afinitete për të njohur në kohën e duhur kalbësitë e një sistemi, që vetëm së jashtmi dukej liberal. Është kjo koha e paraqitjes në skenën letrare të krijuesve, si: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ali Aliu, Myrteza Peza, Mehmedali Hoxha, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi, Nijazi Saliu, Adem Gajtani, Fejzi Bojku, Luan Starova…, kurse pak me vonë edhe Agim Vinca, Resul Shabani, Xhabir Ahmeti, Nehas Sopaj, Murtezan Arifi e disa të tjerë, të cilët e pasuruan letërsinë shqipe me prurje, që ishin në unison me atë që krijohej në Kosovë. Nga kjo plejadë krijuesish do të veçoja shkrimtarin e poetin e shquar Murat Isakun – autorin e romaneve me tituj shumë sugjestivë: “Plagët”, “Rreckajt”, “Rrengu”, “Shtjella”, “Fatprerët”, “Gjaku i sharraxhinjëve”…, për të cilin ka botuar një studim të rëndësishëm miku e kolegu im Salajdin Salihi.
Pas brezit të sipërpermendur të krijuesve, skena letrare shqiptare u begatua me veprat e disa krijuesve të fuqishëm, që siç shprehet kritika kompetente, janë të denjë për të përfaqësuar poezinë shqipe në cilëndo gjuhë të botës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.