Mbi bëmat tona të harruara

Dokumentimi i ngjarjeve të së shkuarës ka rëndësi të madhe edhe për të tashmen dhe të ardhmen e një populli, për kulturën dhe hapërimin qytetërues të tij. Pa këtë njerëzimi do të marshonte në vend në të gjitha sferat e jetës, sepse s’do të kishte mundësi për të krahasuar arritjet e një kohe me ato të kohërave pararendëse.

Është me rëndësi të madhe t’i mundish të vdekurit – të bësh vepra më të mira se ata – thoshte Hemungueji. Por a patën mundësi shqiptarët qi bëjnë pjesë n’organizime të tjera shtetnore  (thoshte Ernest Koliqi) t’i mundin të vdekurit, bëmat e të cilëve mbetën të paarkivuara ose u zhdukën nga arkivat e kontrolluara prej të tjerëve? Sigurisht jo, të paktën jo në masë të duhur, sepse janë mbështetur në mbamendjen kolektive dhe rrallë, shumë rrallë në shënimet e mbajtura dhe ruajtura me kujdes nga sogjetarët e patundshëm.

Këtu qëndron shkaku përse akoma nuk e kemi të plotë kujtesën për ngjarjet e rëndësishme të së shkuarës, madje edhe për ngjarjet që kanë ndodhur në periudha të vonshme historike. Ne, vetëm para pak dekadash, mësuam për kryengritjen antiosmane me shtrirjen më të madhe gjeografike të bërë nga stërgjyshërit tanë më1843-1844, nën organizimin e tribunit të Pollogut e Malësisë së Sharrit – Dervish Carës. Vonë e mësuam të vërtetën e tragjedisë së shqiptarëve ordodoksë të Rekës. Vonë nisëm të shkruajmë për dhunën e tjetrit mbi patundshmëritë dhe jetët tona, mbi përdhosjen e trashëgimisë materiale e shpirtërore, mbi ngjarjet e rëndësishme kulturore të kohëve të perënduara…

Megjithatë, falë sogjëtarëve, që i përmendëm më lart, u ruajtën dromca mbi ngjarjet e rëndësishme të së shkuarës, prej të cilave gjeneratat e sotme kanë mundësi të kuptojnë diçka mbi rrjedhën e jetës shqiptare në këto hapësira. Një ngjarje e tillë është gjithsesi shfaqja e dramës “Lulja e kujtimit” në Tetovën e para 77 viteve, për të cilën më ka rrëfyer hollësisht njëri prej pjesëmarrësve në të – z. Qemaledin Hajrullahu, mbledhësi i gjurmëve të jetës së asaj kohe nëpër fletoret dhe albumet e ruajtura me pedantëri mahnitëse.

Po e sjell në vijim rrëfimin e këtij njeriu të urtë, që tani më ka ikur nga kjo botë.

Ishim të rinj. Plot entuziazëm e vullnet për punë. Plot dashuri për kombin të cilit i takonim. Donim që ta zgjojmë nga gjumi nëpërmjet aktiviteteve kulturore, për të dëshmuar të kundërtën e asaj që shkruanin të tjerët për ne nëpër elaboratet e tyre  djallëzore. Filluam t’i shfrytëzojmë hapësirat e krijuara nga pushtuesi. Filluam të organizohemi nëpër klube e shoqata të ndryshme të sportit e të kulturës, duke ringjallur kësisoj shpirtin e fjetur nga frika e dhunës sç gjithanshme. Përveç shoqatave themeluam edhe grupin e dramës shqipe, për të cilën merita më të mëdha ka mësuesi i madh i kombit Qemal Haxhihasani, që dramatizoi dhe vuri në skenë veprën e njohur të Foqion Postolit “Lulja e kujtimit”.

Ishte viti 1943. Atëbotë përmbajtja e kësaj vepre ishte boll aktuale. Drama trajtonte kohën e shtypjes osmane, por aludimi në pushtetarët aktualë ishte i kapshëm prej të gjithëve.

Premiera e dramës në fjalë u shfaq më 28 Nëntor të vitit 1943, në Shtëpinë e Rinisë “Partizani”, që gjendej në qendër të Tetovës. Salla shëmbëllente në zgjua bletësh. Në rendin e parë kishte edhe njerëz të pushtetit. Publiku e kuptoi mirë porosinë e dramës, po kjo s’u shpëtoi as agjentëve profesionistë, gjë që u vërtetua shumë shpejt. Pas premierës prefekti i qytetit të Tetovës e thirri për një bisedë regjisorin e dramës Qemal Haxhihasanin dhe e urdhëroi ta pushojë këtë këtë shfaqje me përmbajtje provokative.

Rolet kryesore në këtë dramë i luajtën: Vera Tetova, Xheladin Palloshi, Abdurrahman Tresi, Sheref Kazazi etj., kurse mjeshtër i skenës ishte Dhimitër Fullani.
Po i theksoj edhe dy fakte: Provat i mbanim në Shtëpinë e Rinisë, ku funksiononte një bibliotekë relativisht e pasur me tituj librash të ndryshëm. Dramën “Lulja e Kujtimit”, të cilën u desh ta shfaqim edhe nëpër qytetet tjera të banuara me shqiptarë, përkatësisht dëshirën e lënë në gjysëm në vitin 1943, e realizuam dhjetë vjet më vonë, kur SHKA “Xheladin Zeqiri”, në shenjë përmbushjeje të një amaneti e të një dëshire, të përgatitur dhe të vënë në skenë njësoj si dikur…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.