MASH: Nxënësit e 15 shkollave të mesme të RMV-së do të miqësohen me nxënësit e shkollave partnere nga Ballkani Perëndimor

Pesëmbëdhjetë shkolla të mesme nga Maqedonia janë të përfshira në zbatimin e ciklit të ri të Projektit të Shkëmbimit të Super Shkollave për Ballkanin Perëndimor, së bashku me shkollat ​​e tyre partnere nga rajoni. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke i uruar pjesëmarrësit  e manifestimit në të cilin u prezantuan projektet e shpërblyera për këtë vit shkollor, theksoi se krijimi i lidhjeve të forta ndërmjet shkollave të mesme në rajon, promovon idenë fisnike të komunitetit mes të rinjve, inkurajon ata të shkatërrojnë paragjykimet, duke i zëvendësuar ato me besim dhe duke ndërtuar partneritet me ata që janë të ndryshëm nga vetja, transmeton Portalb.mk.

“Nuk jam е sigurt nëse bota që ne të rriturit u ofrojmë fëmijëve dhe të rinjve për gjithë jetën është mjaftueshëm e mbushur me besim, miqësi, unitet dhe barazi. Mirëpo, këto 15 projekte tregojnë qartë se të rinjtë dinë të lidhen përkundër dallimeve të tyre dhe dinë të krijojnë mundësi për bashkëpunim jashtë sfidave”, theksoi Janevska.

Skema e shkëmbimit të supershkollave është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor RYCO, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ.

Ministrja Janevska theksoi se ky Program i Shkëmbimit Shkollor ndihmon në ndërtimin e tolerancës, ndjeshmërisë, dialogut, bashkëpunimit, mosdhunës, gjithëpërfshirjes te të rinjtë dhe prandaj shoqërimi i nxënësve të shkollave të mesme nga vende të ndryshme nuk është vetëm shkëmbim i mendimeve, dëshirave dhe frikës por edhe bazë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe më të qëndrueshme në këto hapësira. Në këtë drejtim, Janevska theksoi se është e  domostoshme që në mënyrë sistematike, përmes arsimit të ndikojmë tek fëmijët dhe të rinjtë, por dhe se mbështetja si nga sektori civil ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm.

Shkollat e mesme me projekte të pranuara për bashkëpunim me shkollat partnere nga rajoni janë: QSHAKQSH „Boro Petrushevski” Shkup, QSHKE „Shën Naumi i Ohrit“ Ohër, SHMK „Josif Josifovski“ Gjevgjeli, SHMK „Kosta Susinov“ Radovish, SHMSH QBAPT „Vanço Pitosheski“ Ohër, SHMMQSH „Dr. Pançe Karagjozov” Shkup, SHMK „Metodi Mitevski – Brico” Dellçevë, Qendra Shkollore për Arsimim dhe Rehabilitim „ Partenija Zografski” Shkup, „Аmerican High School” Shkup, SHMK Gjimnazi „Dobri Daskalov” Kavadar, SHMK „Jane Sandanski” Shtip, SHMNQSH „Zdravko Cvetkovski” Shkup, Shkolla e Mesme Shtetërore – Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional „Kiro Burnaz” Kumanovë, Shkolla Shtetërore e Muzikës „Todor Skalovski – Tetoec“ Tetovë dhe SHMEK „8 Shtatori“ Tetovë.

Kujtojmë se ky aktivitet e nisi fazën e tij të dytë në maj të këtij viti me titull “Shkëmbimi për ndryshim”. Në një atmosferë energjike në zyrën e GIZ-it në Tiranë, eventi mblodhi një grup të ndryshëm të ftuarish – nga ministra dhe ambasadorë, përfaqësues të organizatave partnere, deri te mësues dhe studentë nga rajoni. Projekti synon mbështetjen e proceseve të ndërtimit të paqes dhe pajtimit, mësimit ndërkulturor dhe dialogut ndërmjet shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre.