MASh: Në adresën elektronike për raportimin e dhunës, kanë arritur dhjetëra denoncime

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se në adresën elektronike  [email protected] dhe [email protected] në gjuhën shqipe gjatë dy ditëve të fundit kanë arritur 10-tra denoncime. Disa prej tyre i referohen dhunës së bashkëmoshatarëve, ndërsa  ka edhe  ish-profesorë, me sugjerime se si të parandalohet dhe të reduktohet dhuna mes fëmijëve dhe të rinjve të moshës shkollore, njoftoi Ministria e Arsimit, transmeton Portalb.mk.

“Me hapjen e adresës elektronike, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendos mënyrë të shpejtë, të besueshme dhe të sigurt, përmes së cilës nxënësit, prindërit dhe qytetarët mund të raportojnë incidentet, si pjesë e sistemit për identifikimin dhe ndalimin e sjelljeve të padëshiruara. Çdo raportim do të hetohet dhe do të ndërmerren veprimet e duhura. Shkollat ​​patjetër duhen të jenë mjedis i sigurt ku do të zhvillohet procesi arsimor. Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i propozojë Qeverisë vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, me qëllim të zvogëlimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme për sigurinë e nxënësve dhe mësimdhënësve  në mjedisin shkollor”, thonë nga MASh.

Ministria, siç thonë nga ky institucion, tashmë është duke  përgatitur protokolle dhe udhëzime për shërbimet profesionale të shkollave dhe mësimdhënësve, lidhur me përdorimin e rrjeteve sociale në mjedisin shkollor. Në konsultim me komunitetin e ekspertëve, thon nga Ministria, do t’i përforcojnë më tej programet parandaluese për të luftuar bullizmin, duke promovuar dialogun dhe jo dhunën si element kyç në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.

“Për tʻia dalur  në aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e duhur të rinisë sonë, ftojmë prindërit që në mënyrë aktive të marrin pjesë, duke i edukuar  fëmijët e tyre drejt tolerancës, jo dhunës si dhe respekt e mirëkuptim për ata që janë të ndryshëm nga vetja. Vetëm me përpjekjet e përbashkëta të të gjithë faktorëve  në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve mund të luftojmë për rini të shëndetshme dhe shkolla të sigurta”, thonë nga MASh.

Duke marrë parasysh zhvillimet në Serbinë fqinje dhe me qëllim të zvogëlimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve në mjedisin shkollor, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri njoftoi sot se do t’i propozojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe autoriteteve të sigurisë një vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si “TikTok”.

Ndalimin e “TikTok” dhe rrjeteve tjera sociale që nxisin dhunën në Maqedoni të Veriut, sot e ka kërkuar edhe kryetarja e Partisë Liberal Demokratike (PLD) njëkohësisht deputetja, Monika Zajkova.

Pas dy vrasjeve masive në Serbi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë (MASh) mbajti takim me profesorë universitarë nga fusha e pedagogjisë, psikologjisë, sociologjisë, sigurisë dhe dhunës kibernetike dhe të tjerët. Ngjarjet në fqinjësi, thanë nga Ministria e Arsimit, përfshinë një alarm serioz se angazhimi dhe shqetësimi individual për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve duhet të ngrihet në një nivel edhe më të lartë.