Marsi më i ngrohtë në Gjermani që nga viti 1881

Temperaturat në Gjermani gjatë marsit ishin më të ngrohtat e regjistruara që nga fillimi i matjeve në 1881, sipas shifrave paraprake të publikuara nga Shërbimi Gjerman i Motit (DWD) të martën, transmeton DPA.

Rekordi në mars erdhi pasi temperaturat në shkurt ishin gjithashtu më të ngrohtat e regjistruara në Gjermani.

Në muajin mars, temperatura mesatare ishte 7.5 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2017, kur ishte 7.2 gradë. Temperaturat mesatare ishin katër gradë mbi mesataren për 1961-1990, periudhë referimi e përdorur ndërkombëtarisht për të gjurmuar ndryshimet e temperaturës.

Temperaturat e marsit ishin gjithashtu 2.9 gradë mbi mesataren gjermane për 1991-2020.

Sipas DWD, hera e fundit që ka pasur dy rekorde mujore radhazi ka qenë në vitin 2018 në prill dhe maj.

Temperatura më e ulët e muajit në Gjermani u regjistrua më 19 mars në qytetin lindor Hoyerswerda në Saksoni, në minus 7.3 gradë. Por rajoni fqinj i Luzacias së Poshtme “përjetoi temperatura pothuajse të ngjashme si në verë më 30 mars,” tha DWD.

Qytetet gjermane lindore të Cottbus dhe Klitzschen raportuan të dy temperaturën më të lartë në Gjermani për muajin mars, në 24.9 gradë.

Sipas DWD reshjet në Gjermani ishin gjithashtu shumë nën normalen në mars, rreth 46 milimetra. Kjo është rreth 20% më e ulët se normalja për periudhat e referencës 1961-1990 dhe 1991-2020.

Në disa vende, DWD mati më pak se 10 milimetra.

Qyteti më me diell në Gjermani gjatë muajit mars ishte Berlini me 158 orë dielli.