Mariçiq: Kryeministri duhet ta vlerësojë shkarkimin e Aliut dhe Mexhitit sipas indikacioneve politike

Duke u përgjigjur në pyetje gazetareske për ndodhitë në partinë Aleanca për Shqiptarët dhe kërkesën për shkarkimin e ministrave aktualë për Shoqëri Informatike dhe Administratës si dhe Shëndetësisë, zëvendëskryeministri i parë, Bojan Mariçiq ndër tjera sot tha se është shumë e vështirë për të mbajtur pozicion të dyfishtë në të njëjtën kohë. Rezultati në lidhje me këtë çështje, do të varet edhe nga numrat në Kuvend, tha ai, transmeton Portalb.mk.

I takon kryeministrit të qeverisë teknike, Talat Xhaferi të vlerësojë nëse do të kërkojë shkarkimin e ministrave për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu dhe për Shëndetësi, Fatmir Mexhiti, pasi që Aleanca për Shqiptarët doli me propozim të tillë.

Kështu u përgjigj zëvendëskryeministri i Qeverisë Teknike, Bojan Mariçiq, i pyetur për ngjarjet dhe ndarjet në Aleancën për Shqiptarët dhe kërkesat për ndërrimin e dy nga tre ministrat që kjo parti i ka në Qeveri.

Supozimi i Mariçiqit është se Xhaferi do të veprojë sipas indikacioneve politike.

“Ju e dini që çështja e propozimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Qeverisë është në kompetencë të kryeministrit, gjegjësisht mandatari. Talat Xhaferi propozoi përbërjen e Qeverisë, Kuvendi e mbështeti dhe që atëherë jemi anëtarë të Qeverisë, të udhëhequr nga kryeministri Xhaferi. Do të shohim për atë se çka ka ardhur nga Aleanca. Supozoj se kryeministri i Qeverisë Teknike, Xhaferi do të veprojë sipas indikacioneve politike“, tha zëvendëskryeministri i parë, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske pas takimit me deputetin e parlamentit gjerman, Josip Juratoviç.

Sa i përket Aleancës për Shqiptarët, Mariçiq tha se ajo është një partner i rëndësishëm në Qeveri dhe se mendimet dhe propozimet e tyre duhet të dëgjohen.

Duke folur në atë drejtim, ai tha se është e rëndësishme se cilët kuadro i përkrahin partitë, se Qeveria formohet në bazë të vullnetit të tyre.

“Nëse Aleanca ka hyrë në qeveri teknike sepse ka qenë pjesë e shumicës dhe i ka ruajtur të njëjtat pozita, atëherë presim edhe të veprojë njejtë. Përderisa Aleanca apo një pjesë e Aleancës e ka ndryshuar mendimin, megjithatë do të varet nga vendimet e brendshme partiake dhe do të duhet përsëri të sqarohen” , tha Mariçiq.

Ai shtoi se është shumë e vështirë të mbash pozicion të dyfishtë në të njëjtën kohë. Rezultati në lidhje me këtë çështje do të varet nga shifrat në Kuvend.

Në vend ministrave që mbështesin Taravarin, ASH propozon Bajramin dhe Demirin

Aleanca për Shqiptarët, ka njoftuar sot ka njoftuar sot se Këshilli Drejtues i Aleancës për Shqiptarët me 5 vota nga 7 në mënyre unanime vendosi që të propozohen Naim Bajrami dhe Ilir Demiri për ministra të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

“Për Ministër të Shëndetësisë propozohet mjeku i mirënjohur Ilir Demiri, drejtor aktual i Spitalit Klinik – Tetovë. Për Ministër të Shoqërisë informatike dhe Administratë propozohet Naim Bajrami, Magjistër i Shkencave politike”, thuhet në komunikatë.

Bajrami dhe Mexhiti vijnë në vendet e Azir Aliut dhe Fatmir Mexhitit të cilit, në përplasjen mes kryetarit të ASH-së, Arben Taravari dhe kryetarit të Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela, u rreshtuan kah Taravari.

Rikujtojmë se më 6 shkurt, Aliu dhe Mexhiti, në konferencë për shtyp kanë njoftuar qytetarët për zhvillimet në seancën e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ku u shkarkuan dy drejtorë mbështetës të Taravarit.

Aliu dhe Mexhiti thanë se nuk do të japin dorëheqje.

Sipas procedurës, shkarkimi i ministrave dhe emërimi i ministrave duhet të bëhet në Kuvend me propozim të Qeverisë.

Në ndërkohë, Ziadin Sela për të shtunën në ora 13.00 në Shkup ka thirrur Kuvendin e partisë ku do të shqyrtohet përgjegjësia e Taravarit.

Nga ana tjetër, Taravari, ka paralajmëruar tubime në Kumanovë, të shtunën në Gostivar dhe të martën në Tetovë.