Mariçiq – Bislimi: Së bashku jemi në rrugën evropiane

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, në këtë takim u diskutuan marrëdhëniet midis dy vendeve si dhe nevoja për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e integrimit evropian dhe përdorimin e programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar, transmeton Portalb.mk.

“Është interes i përbashkët të ecim përpara, të gjithë së bashku. Rruga jonë drejt BE-së nuk është e lehtë, por me një qasje dhe bashkëpunim të përbashkët do ta bëjmë më të shpejtë dhe më të lehtë. Bashkëpunimi i shkëlqyer ekzistues në të gjitha nivelet mes dy vendeve mund të përmirësohet në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e integrimeve evropiane nga viti 2016, por edhe përmes projekteve rajonale, përmes të cilave do të arrijmë më shpejt standardet evropiane, tha Mariçiq.

Ai tha se rajoni tashmë ka bërë progres në integrimet evropiane, me dhënien e statusit kandidat Bosnjë-Hercegovinës, dorëzimin e aplikimit të Kosovës dhe liberalizimin e vizave dhe se ky trend duhet të vazhdojë, me një përkushtim të përbashkët.

Nga ana tjetër, Bislimi tha se të dy vendet ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të ketë partner të sinqertë si Maqedonia e Veriut në arritjen e qëllimit të saj strategjik.

“Na presin shumë sfida, e rëndësishme është të jemi të vendosur në rrugën evropiane. Koha e gjatë e kaluar në dhomën e pritjes së BE-së na ka bërë më të gatshëm për të zbatuar reformat dhe për të përfunduar procesin e negociatave, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Në këtë drejtim, Mariçiq tregoi se vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se shpreson se ajo që u ra dakord mes dy palëve në Ohër do të jetë një bazë e mirë për arritjen e një kompromisi evropian, i cili do të jetë i dobishëm për gjithë rajonin.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura, si kusht për përparim më të shpejtë në reforma dhe drejt BE-së.