Kryesuesi i OSBE-së: Lufta kundër korrupsionit në krye të listës së prioriteteve

Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha sot në Sarajevë se lufta kundër korrupsionit është në krye të listës prioritare të presidencës së tij, raporton Anadolu.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Elmedin Konakoviq, Osmani tha se “lufta kundër korrupsionit është prioritet kyç për rajonin” dhe tha se OSBE-ja me punën e misionit të saj ka luajtur rol të rëndësishëm në hartimin e rregulloreve kyçe në këtë sferë.

“Të vetëdijshëm për rëndësinë e saj të madhe, ne kemi vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të listës prioritare të presidencës sonë. OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për autoritetet e BeH-së në përpjekjet e tyre për të siguruar zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese dhe rregulloret për luftën kundër korrupsionit dhe ndëshkimin e atyre që kryejnë akte korrupsioni”, tha kryesuesi i OSBE-së.

Osmani tha se është privilegj për të që të qëndrojë në BeH në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së. Ai theksoi se ka pasur një takim pozitiv dhe konstruktiv me Konakoviqin, ku është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet BeH-së dhe Maqedonisë së Veriut, por fokusi ishte te OSBE-ja.

“Ne diskutuam për prioritetet aktuale të organizatës sonë si dhe për bashkëpunimin ndërmjet OSBE-së dhe BeH-së, që është vendi nikoqir i një nga operacioneve më të mëdha të OSBE-së në terren. OSBE-ja po kalon një periudhë të mbushur me sfida. Parimet e Dokumentit Final të Helsinkit janë shembur nga lufta që po bën Rusia në Ukrainë. Megjithatë ne nuk do të dorëzohemi. Përkundrazi gjatë presidencës jemi të vendosur të ruajmë vlerat tona të përbashkëta dhe detyrimet, ndërkohë që kërkojmë mundësi për të rivendosur dialogun, që është shtylla kryesore e bashkëpunimit tonë”, tha Osmani.

Ai shtoi se pasojat e luftës janë shumë serioze dhe paraqesin një problem në rritje për të gjitha shtetet dhe popujt e tyre, gjë që, siç tha ai, është një arsye tjetër për të “zhvilluar një bashkëpunim edhe më intensiv dhe për të kërkuar një përgjigje të koordinuar rajonale”.

“E gjithë kjo vlen njëlloj edhe për rajonin tonë – Evropën Juglindore. Vite më parë, ne morëm rrugën e reformave dhe zhvillimit. Shumë është e rëndësishme që vitet e vështira të së kaluarës sonë të mbeten pas nesh dhe të kthejmë shikimin tonë të përbashkët drejt së ardhmes. Për këtë qëllim, në bisedën time me ministrin Konakoviq e ritheksova se sa e rëndësishme është që BeH të fillojë dialog efektiv të besimit, të ulë dallimet dhe të gjejë mënyrë për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të tejkaluar sfidat”, tha Osmani.

Ai shtoi se bashkëpunimi midis BeH-së dhe OSBE-së çoi në shfaqjen e shembujve të shumtë të mirë që mund të aplikohen diku tjetër dhe kështu të kontribuojnë në zbatimin e politikave dhe proceseve të rëndësishme publike.

“OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe promovojë aktivitetet e ndërtimit të besimit, siç i pamë në zonën e Majevicës, ku tregohet historia e bashkëpunimit të suksesshëm ndëretnik të pesë kryetarëve të komunave, të cilët e kapërcyen trashëgiminë e luftës dhe tani janë duke ndërtuar ura dhe realizojnë projekte që synojnë forcimin e zhvillimit ekonomik në të mirë të banorëve të komunitetit të tyre”, tha Osmani.

Në fund ai tha se të udhëhequr nga vlerat dhe detyrimet e përbashkëta, gjatë kryesimit të OSBE-së do të punojë për promovimin e paqes dhe stabilitetit.