Maqedonia në BRIKS: Realitet ose fantazi e euroskeptikëve? (Infografik)

Samiti i mbajtur së fundmi i vendeve të BRIKS-it, që u mbajt në fundin e gushtit të këtij viti në Republikën Jugoafrikane përsëri i hapi dyert për strukturat radikale proruse në Ballkan, të cilët gjurmojnë alternativa ndaj anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Jehona të këtilla ka edhe në Maqedoni. Për t’iu përgjigjur pyetjes se sa do të kishte përfituar Maqedonia nga ndonjë anëtarësim në grupin BRIKS, jashtëzakonisht të rëndësishme janë të dhënat mbi këmbimin e mallrave të Maqedonisë me shtetet e huaja, raporton Meta.mk,  transmeton Portalb.mk.

Alternativa të mundshme ndaj anëtarësimit në BE, që përmenden nga strukturat antievropiane në vend siç është BRIKS-i, Lëvizja e të painkuadruarve, Unioni Ekonomik Euroaziatik dhe iniciativa të ngjashme që promovohen nga Rusia nëpër botë, nuk mund të gjenden në të dhënat statistikore.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës Maqedonia e Veriut në periudhën janar-qershor 2023 ka pasur eksport të përgjithshëm jashtë vendit prej rreth 4,5 miliardë dollarësh amerikanë. Prej tyre, mallra të Maqedonisë së Veriut më së shumti janë eksportuar në vendet anëtare të BE-së dhe atë mbi 3,6 miliardë dollarë amerikanë. Partneri i dytë më i rëndësishëm ekonomik i vendit tonë është Ballkani Perëndimor, me çka në këtë periudhë në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Shqipëri kemi eksportuar mallra në vlerë prej rreth 527 milionë dollarësh amerikanë.

Eksporti i Maqedonisë së Veriut në vendet e grupit BRIKS është simbolik dhe fillimisht është i drejtuar kah Kina dhe Rusia, e shumë më pak kah Brazili, India, Republika Jugoafrikane si anëtarë më të mëdhenj të këtij grupi. Ajo çka është më me rëndësi, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se suficit tregtar, gjegjësisht vlerë më të madhe të eksportit në krahasim me importin e mallrave, Maqedonia e Veriut realizon më së shumti me vendet anëtare të BE-së dhe EFTA-s (Asociacionit Evropian për tregti të lirë në të cilën janë anëtarë Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni).

Të dhënat statistikore mbi eksportin dhe importin e mallrave tregojnë se pikërisht vendet që e kanë themeluar grupin BRIKS  janë shkaktarët më të mëdhenj për deficitin tregtar që e ka Maqedonia e Veriut. Mbulimin më të vogël të eksportit me import të mallrave në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 e kemi pikërisht me Kinën. Gjegjësisht, në këtë vend aziatik kemi eksportuar mallra në vlerë prej diku 44,6 milionë dollarësh amerikanë, ndërsa kemi importuar vlerë fantastike prej mbi 495 milionë dollarë amerikanë.

Deficit shumë të madh tregtar Maqedonia e Veriut ka edhe me Rusinë, ku në periudhën janar-qershor të vitit 2023 kemi eksportuar mallra në vlerë diçka mbi 29,3 milionë dollarë amerikanë, ndërsa importi rus në vendin tonë ka arritur mbi 166,4 milionë dollarë amerikanë.

Edhe sa u përket vendeve të tjera të grupit BRIKS, Maqedonia e Veriut ka deficit të dukshëm tregtar, gjegjësisht këto vende e shohin Maqedoninë e Veriut si mundësi për plasman të produkteve të tyre. Kështu, me Indinë në gjashtë muajt e parë të këtij viti kemi pasur eksport prej rreth 1 milion dollarësh amerikanë, ndërsa kemi importuar mallra në vlerë prej 57,1 milionë dollarësh amerikanë.

Vendi jonë në Brazil ka arritur të eksportojë mallra në vlerë prej rreth 3,3 milionë dollarësh amerikanë, ndërsa importi nga ky vend amerikano jugor ka qenë  27,1 milionë dollarë amerikanë.

Edhe sa i përket Republikës Jugoafrikane Maqedonia e Veriut shënon deficit tregtar, kështu nga janari deri në qershor të vitit 2023 kemi eksportuar mallra prej mbi 1,5 milionë dollarë amerikanë, ndërsa importi ka qenë mbi 16,8 milionë dollarë amerikanë.

Nëse mblidhen këto deficiti tregtar i Maqedonisë së Veriut me vendet më të mëdha që e formojnë grupin BRIKS është shumë frapante prej 683 milionë dollarësh amerikanë. Kjo është shuma që e tregon diferencën në raport me atë se sa është më i madh importi nga këto vende në krahasim me eksportin e mallrave që e ka ekonomia maqedonase ndaj BRIKS-it.

Mbulimi i eksporteve dhe importeve të Maqedonisë së Veriut me vendet e huaja (Janar-Qershor 2023), Infografik
Mbulimi i eksporteve dhe importeve të Maqedonisë së Veriut me vendet e huaja (Janar-Qershor 2023), Infografik

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës bëjnë me dije se çfarëdo afrimi i vendit tonë drejt grupit të vendeve që e kanë themeluar BRIKS-in mund të ndikojë vetëm negativisht ndaj ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, sepse eksporti i Maqedonisë së Veriut është në mënyrë jo proporcionale më i vogël në krahasim me importin e mallrave nga këto anëtarë. Nga ana tjetër, të dhënat statistikore qartë tregojnë se partner më joshës për Maqedoninë janë pikërisht vendet anëtare të BE-së, sepse në këmbimin tregtar me këto vende eksportojmë më shumë mallra se sa importojmë nga BE-ja.

Periudhën e kaluar deklarata për BRIKSIN si alternativë ndaj anëtarësimit në BE u plasuan nga subjekte të ndryshme politike në vend. Lideri i Të Majtës, Dimitar Apasiev në një deklaratë të qershorit të vitit 2022 tha se Maqedonia e Veriut duhet ta kapë kursin e rendit të ri botëror, në të cilin BE-ja do të jetë vetëm një shërbëtor i Amerikës. Ai atëherë deklaroi se nëse shikojmë me dekada para, BE-ja nuk do të jetë aq joshëse sa është tani. Sipas fjalëve të Apasiev për Maqedoninë e Veriut kanë ekzistuar shumë alternativa, siç është Lëvizja e të painkuadruarve, BRIKS-i, Bashkësia Ekonomike Evropiane, Iniciativa Pojas i Pat, afrimi me fuqitë e tjera botërore, si dhe Ballkani i hapur.

Edhe në njoftimin e fundit të Të majtës që ka të bëjë me prioritetet e politikës së jashtme të Maqedonisë, më 31 gusht të vitit 2023, shënohet se Maqedonia e Veriut nuk mund dhe nuk guxon të lejojë të humbë gjenerata të reja të të rinjve, duke pritur pafundësisht para dyerve të Brukselit.

Rrethanat aktuale gjeopolitike ofrojnë shumë alternativa që mund ta ndihmojnë në zhvillimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave vitale kombëtare. Është koha që elita politike e Maqedonisë së Veriut të fillojë të mendojë për përcaktimin e prioriteteve strategjike ndryshe për Maqedoninë, që do të mundësojnë dalje nga rruga qorre euro-atlantike, ku nën floskulën pa alternativë, kemi ngecur pa prosperitet tashmë mbi tridhjetë vite”, shënohet në njoftimin e Të Majtës të 31 gushtit të vitit 2023.

Analisti dhe anëtari i komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Sasho Klekovski kah fundi i gushtit të këtij viti kishte dy kolumna me titull „Another BRICS in the World“ (24 gusht të vitit 2023) dhe “Apologjete proqeveritare me anatemë të BRIKS-it” (31 gusht 2023) në gazetën Nova Makedonija, në të cilën i referohet samitit të BRIKS-it që u mbajt në Republikën Jugoafrikane.

Njëherit, në kollumnat e tij Klekovski përmend se ai nuk e përfaqëson anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BRIKS, por se si anëtare e grupit euroatlantik Maqedonia e Veriut duhet t’i ndjekë këto ndryshime në botë, pasojat e tyre politike dhe ekonomike. Njëherit, në kollumnën e 31 gushtit, Klekovski sqarohet në mënyrë plotësuese mbi temën e BRIKS-it, duke shtuar se nuk ka përfaqësuar kurrfarë afrimi drejt BRIKS-it.

“Gjermania është partneri jonë më i madh tregtar, por nëse Kina bëhet eksportuesi më i madh i automjeteve, a e ndryshon kjo gjë pozicion e industrisë automobilistike në Maqedoni, a e cenon apo jo? Nëse rritet ndarja midis SHBA-ve dhe Kinës, a hapen mundësi për Maqedoninë? Ose, nga ana tjetër më shumë në nivel të politikave publike, cilët janë faktorët që qëndrojnë pas këtyre ndryshimeve tektonike”, parashtroi pyetje Sasho Klekoski në fund të kollumnës së tij në gazetën Nova Makedonija.

Nga vendet e rajonit pikërisht në ditët e kaluara jehuan deklaratat e Presidentit të Republikës Serpska, Millorad Dodiq, i cili më 28 gusht të këtij viti deklaroi se autoritetet e etnitetit serb së shpejti do të ngrenë iniciativë që Bosnja dhe Hercegovina t’i bashkëngjitet bllokut të pesë ekonomive në rritje të shpejtë (BRIKS), i cili na qenka i hapur për anëtarësime të reja.

Nga ana tjetër në Serbi, Lëvizja e socialistëve, parti proruse e drejtorit të Agjencisë të sigurisë së Serbisë BIA, Aleksandër Vulin, parashtroi propozim-rezolutë deri te parlamenti i Serbisë për bashkëngjitjen e Serbisë në BRIKS, edhe atë në periudhë identike me qëndrimin e shfaqur të Millorad Dodiqit të Republikës Serpska. Propozim rezoluta u parashtrua në parlamentin e Serbisë më 28 gusht të vitit 2023.

Përndryshe, themelimi i BRIKS-it u iniciua nga Rusia në vitin 2009 si mundësi për sigurimin e një platforme me të cilën vendet e BRIKS-it do ta sfidojnë rendin botëror në të cilin dominojnë SHBA-të dhe aleatët e tyre perëndimor, shkruan Agjencia Reuters.

Grupi BRIKS nuk është një organizatë formale multilaterale, ndërsa samiti i shefave të shteteve dhe qeverive që u mbajt në Johanesburg midis 22 dhe 24 gushtit ishte i 15-ti me radhë deri tani.

Është interesant këndvështrimi i profesorit universitar Dragan Veselinov për gazetën malazeze “Pobjeda”, që e jep në kollumnën me titull “Podgorica, Sarajeva, Beogradi në BRIKS!” në 3 shtator të këtij viti. Ai në mënyrë ironike thekson se të gjithë Serbët e botës ballkanike nëpërmjet anëtarësimit në BRIKS do të gjendeshin të bashkuar në Kepin e shpresës së mirë në Afrikë, në vend që të shkojnë drejt Brukselit.

“Megjithatë me sa duket ato nuk kanë dëgjuar se ideja bazike ose fillestare e BRIKS-it dështoi. BRIKS-i lindi nga dëshira për rindarje që Rusia ta dobësojë tregtinë ndërkombëtare me dollarë amerikanë dhe kështu ta bashkojë botën në një valutë të re të përbashkët midis shteteve që janë jashtë dominimit euro-amerikan të dollarëve dhe eurove”, shkroi Dragan Veselinov, duke shtuar se vetë Vlladimir Putini është tërhequr nga kjo ide me deklaratën se Rusia do të vazhdojë të blejë me Rubla nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale me vendet me të cilat bashkëpunon.

Vetë Putini nuk u paraqit në Samitin në Johanesburg për shkak të frikës nga arrestimi me urdhër të Gjykatës Penale të Hagës, sepse Republika Jugoafrikane është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ky është vetëm një indikator i vogël mbi sistemet e pabashkueshme politike të shteteve anëtare të BRIKS-it, që kanë sisteme plotësisht të ndryshme etike dhe juridike dhe fuqi ekonomike të ndryshme, do të theksojë Dragan Veselinov në kollumnën e tij për “Pobjeda”.