Maqedonia e Veriut po zhvendos prioritetet dhe partnerët strategjik, vendet anëtare pa shpresë për ndryshimet kushtetuese

Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje, analistët i komentojnë në pikëpamje të ndryshme. Për disa, tensionimi i marrëdhënieve me Bullgarinë dhe Greqinë, por dhe me Kosovën për skandalin në Aeroport dhe stagnimi në fushën e eurointegrimeve japin indikacione që lënë të kuptohet për zhvendosje të prioriteteve dhe partnerëve strategjik. Ndërsa një pjesë tjetër e analistëve pranojnë se ka tensione me fqinjët, por se nuk është diçka e papritur nga qeveria aktuale, transmeton Portalb.mk.

Sefer Selimi nga Democracy Lab, thotë se indikacionet e para dhe serioze lënë të kuptohet që qeveria aktuale është duke zhvendosur prioritetet dhe partnerët strategjik të vendit, të cilët tradicionalisht kanë qenë SHBA dhe BE, në veçanti shtetet e rëndësishme të saj siç janë Gjermania dhe Franca. Ri-pozicionimi gjeo-politik dhe zëvendësimi eventual i partnerëve strategjik, shton ai, mund të vijë me pasoja serioze për shtetin tonë, duke e vendosur atë në orbitën e ndikimit të kryeministrit hungarez Orban dhe të atij serb Aleksandar Vuçiç, të cilët dukshëm janë në relacione me Moskën zyrtare dhe presidentin Putin, dhe favorizojnë marrëdhënie shumë të mira ekonomike dhe politike me shtetin Kinez.

Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook
Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook

“Nëse kjo tezë do të vërtetohet, atëherë RMV ndryshon dukshëm kursin e orientimit dhe do të krijojë kushte edhe më të favorshme për euro-skepticizmin i cili edhe ashtu është rritur në vendin tonë, dhe me këtë të zbeh, për të mos thënë braktisur plotësisht në realitet perspektivën evropiane”, thotë Selimi.

Sa i përket ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në hapjen e Kapitujve, Selimi thotë se nëse vendimi i ambasadorëve për hapjen e kapitujve me Shqipërinë në tetor të këtij viti do të marrë dritë jeshile, de-fakto kjo nënkupton që vendet anëtare të BE-së kanë humbur shpresë se RMV në një të ardhme të afërt do të prodhojë kapacitet të mjaftueshëm për të përmbushur kushtin kryesor për ndryshim të kushtetutës.

“Më thjeshtë, BE nuk beson se kjo qeveri do të vendos integrimin evropian si prioritet dhe nuk është e interesuar për të investuar kapital politik për zgjidhjen e kësaj çështje, andaj dhe nuk e lënë Shqipërinë peng të politikave të këtilla”, thekson Selimi.

Nga ana tjetër, Marko Troshanoski nga Instituti për Demokraci Societas Civilis, thotë se parimi i ekuidistancës së politikës së jashtme është më i përshtatshëm për pozicionimin e vendit në marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve, pra pa u afruar me askënd dhe pa përkeqësuar marrëdhëniet me askënd.

Marko Troshanovski. Foto: IDSCS
Marko Troshanovski. Foto: IDSCS

“Fatkeqësisht, në këtë moment marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Greqisë janë të trazuara. Nuk do të thosha të njëjtën gjë për Shqipërinë. Natyrisht, Shqipëria mund të ketë hyrë në disa çështje më të prirura për sa i përket pozitës së gjuhës shqipe e të ngjashme. Megjithatë, në përgjithësi, do të thoja se marrëdhëniet janë jashtëzakonisht të mira”, thotë Troshanoski.

Ai shton se, ndarja e vendit nga Shqipëria në fillim të negociatave mund të ketë pasoja gjysmërrethore për sa i përket marrëdhënieve të komunitetit shqiptar në Maqedoni. Megjithatë, nuk pret që kjo të shkaktojë ndonjë destabilizim.

“Në vijim, mendoj se ka variacione që mund të aplikojmë për zbatimin e marrëveshjes, pra për detyrimet e marra nga korniza e negociatave me BE-në, por që duhet të jenë në dialog me Bullgarinë, gjegjësisht qeverinë bullgare kur ajo të formohet dhe sigurisht nëse është e qëndrueshme. Për variacione në zbatim, amendamentet e propozuara nuk kanë nevojë për asnjë ndryshim, as në marrëveshje, as në kuadrin e negociatave, në fakt vetë ndryshimet kushtetuese nuk janë pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, ndaj këtu nuk duhet kërkuar shansi për përparim nëse ka interes real nga të gjitha palët që vendi të nisë negociatat. Gjithçka tjetër është mbështetje për destabilizimin e vendit nga fqinjët”, mendon Troshanoski.

Sipas Malinka Ristevska Jordanovës, nga ana tjetër, ekziston ndarje sipas linjave etnike të qëndrimeve dhe perceptimeve për marrëdhëniet me fqinjët në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut. Jordanova, madje mendon se nuk ka përkeqësim marrëdhëniesh, ndërsa sa i përket qëndrimeve të kësaj Qeverie karshi Greqisë dhe Bullgarisë, kjo ka qenë diçka e pritshme.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

“Qasja e ndryshme e qeverisë së re për interpretimin dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë dhe Greqinë nuk ishte befasi. Kjo, nga ana tjetër, çoi në reagime nga pala bullgare dhe greke, të cilët mbrojnë pozicionet e tyre shumë superiore, për të cilat në masë të madhe është “meritore” qeveria e kaluar. Nuk ka përkeqësim të marrëdhënieve me Serbinë, por as në marrëdhëniet me Shqipërinë. Kushtet në marrëdhëniet me fqinjët dhe në përgjithësi në politikën e jashtme janë në një masë të madhe shprehje e kohezionit të brendshëm të pamjaftueshëm ekzistues për interesat kyçe shtetërore dhe mënyrën e arritjes së tyre (edhe pse në opinion dëshirohej të tregohet e kundërta). Kjo tani është një sfidë e madhe për Qeverinë e re”, thotë Jordanova.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut i ka acaruar raportet me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Tension të marrëdhënieve pati edhe me Kosovën gjatë skandalit me presidenten Vjosa Osmani, për të cilën u raportua se është sulmuar edhe fizikisht nga Policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se ajo ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.

Mesazhe për gjuhën shqipe në RMV, së fundmi dërgoi edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë Elisa Spiropali, e cila kërkoi që të zbatohet plotësisht ligji, duke shtuar se cenimi i gjuhës shqipe në çfarëdo forme, cenon identitetin e shqiptarëve.

Kujtojmë se аmbasadorët e vendeve të BE-së vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE.

Kjo do të ndodhë më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Do të hapet kapitulli i pyetjeve bazë. Vendimi në praktikë nënkupton ndarjen e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, shton media bullgare.

Maqedonia e Veriut nuk i ka përmbushur obligimet e saj të përcaktuara në kornizën e negociatave. Një nga kushtet është përfshirja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës së vendit.

Ndërkaq, siç shkruan media bullgare, Maqedonia e Veriut nuk ishte fare në agjendën e takimit të ambasadorëve. Ndërsa Greqia vuri në dukje se Shqipëria ka zgjidhur mosmarrëveshjet me të. Dhe për këtë u vendos që të niseshin negociatat me Tiranën

Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria.

Në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.