Spiropali takime me krerë institucionesh dhe partish në Shkup: Cenimi i gjuhës shqipe, cenon identitetin e shqiptarëve
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali sot po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Spiropali zhvilloi takim me homologun e saj Afrim Gashi, pas çka mbajtën deklaratë për media.
Spiropali tha se Shqipëria ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Ajo tha se korridori VIII është ëndërr e shqiptarëve, duke shtuar se mezi pret që rrugën Tiranë-Shkup ta bëjë nga ky aks rrugor.
“Në Shqipëri i është kushtuar një vëmendje e posaçme zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut. Procesi zgjedhor ishte i standardeve europiane, për të cilat ju përgëzojmë. Rotacioni politik nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Jemi të gatshëm të vijojmë kontaktet dhe dialogun politik. Ne flasim shqip, kemi një gjak e një gjuhë, por e dimë që rajoni ynë ndodh që të trazohet dhe marrëdhëniet janë të ndërlikuara. Sot me sy nga e ardhmja dhe me busull nga Brukseli, historia e së ardhmes do të ndikojë në politikat e ditës. Kush na dëgjon, meqë po flasim për BE, tundin kokën e psherëtijnë me lodhje me shumë mosbesim. Korridori i VIII ëndërr e shqiptarëve dhe jo vetëm. Me zi pres që rrugën Tiranë-Shkup ta bëj nëpërmjet këtij korridori”, tha Spiropali.
Ajo tha se sy dy vendet ndajnë qëndrime dhe vizione të përbashkëta.
“Nuk është vetëm protokoll që të përmendim që bashkëpunimi rajonal është kyç. ne vlerësojmë shumë pozitiv përkushtimin e Maqedonisë së Veriut në nismat rajonale. Me RMV kemi qëndrime dhe vizione shumë të përbashkëta”, tha Spiropali.
Ajo tha se shpreson që të zbatohet plotësisht ligji, duke shtuar se cenimi i gjuhës shqipe në çfarëdo forme, cenon identitetin e shqiptarëve.
Spiropali tha se shpreson që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të jetë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që në ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë”. Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha
Ndryshe, gjatë muajit tetor pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Spiropali zhvilloi takim edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Me zonjën Spiropali diskutuam për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e dy vendeve tona në Bashkimin Evropian, rrugë të cilën e kemi bërë së bashku dhe para vetes kemi shumë sfida. Zonjës Spiropali i kam shprehur shqetësimet e mia në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike brenda Maqedonisë së Veriut si dhe shkeljen e legjitimitetit që buron nga vullneti i popullit i shprehur në mënyrë demokratike përmes votës së lirë. Gjithashtu, kemi biseduar për nevojën për Veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, duke ndarë edhe përvojat konkrete me Shqipërinë në këtë sferë mjaft të rëndësishme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende aleate duhet që së bashku ta vazhdojnë rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahmeti pas takimit me Elisa Spiropalin, njoftuan nga BDI.
Ndërkohë është realizuar takim edhe me kryetarin e LDM-së Venko Filipçe së bashku me koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së Oliver Spasovski dhe deputetin Fatmir Bytyqi.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe për politikat e ardhshme në drejtim të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të dy vendeve.
Filipçe dhe Spiropali ranë dakord se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë së bashku në rrugën evropiane, me fokus në përmbushjen e detyrimeve dhe shkëmbimin e përvojave në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili është i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve.
Në këtë kontekst, presidenti Filipçe tha se është i shqetësuar për politikën e qeverisë aktuale në raport me procesin e integrimeve evropiane të vendit.
“Qeveria aktuale nuk po ndërmerr hapa konkretë në drejtim të përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit, pavarësisht se premtuan përmirësimin e pozicionit negociator. Për momentin kemi një situatë ku rruga drejt BE-së është vënë në një situatë të rrezikshme, e bashkë me të edhe e ardhmja e vendit”, tha Filipçe.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i mëparshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe rëndësia e forcimit dhe promovimit të bashkëpunimit rajonal si në planin ekonomik ashtu edhe në atë dypalësh.