Maqedonia e Veriut përmbylli presidencën me EUSAIR

Me panelin përmbyllës ministror, ceremoninë simbolike të dorëzimit të presidencës tek Italia dhe konferencën për media, në Shkup u përmbyll Forumi i 11-të i EUSAIR dhe Takimi Ministror i Iniciativës Adriatiko-Joniane. Gjatë panelit të nivelit të lartë, ministrat dhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, lidhshmërisë dhe integrimit evropian si faktorë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit Adriatiko-Jonian, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të ceremonisë zyrtare, Maqedonia e Veriut ia dorëzoi presidencën Italisë, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë gjatë presidencës së saj.

Përmes Deklaratës së Shkupit dhe diskutimeve të zhvilluara gjatë Forumit, u riafirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e dimensionit evropian të rajonit, avancimin e reformave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.

Konferenca për media në përmbyllje të ngjarjes përcolli mesazhin se EUSAIR mbetet një platformë e rëndësishme për dialog, koordinim dhe afrimin gradual të rajonit me Bashkimin Evropian.

Forumi i 11-të i Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), një ngjarje rajonale që këtë vit u zhvillua nënmoton “Accelerating EUSAIR: From Commitment to Impact”. Forumi mblodhi përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të rajonit Adriatiko-Jonian, përfaqësues të Komisionit Evropian, institucione rajonale, autoritete lokale, organizata ndërkombëtare, sektorin civil dhe të rinj

Në fjalimin hyrës, zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se bashkëpunimi makro-rajonal sot paraqet instrument strategjik për forcimin e stabilitetit, rezistencës dhe integrimit evropian të rajonit.

“EUSAIR nuk është vetëm platformë rajonale bashkëpunimi, por urë konkrete drejt integrimit gradual evropian. Në kohë sfidash të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike, rajoni ka nevojë për më shumë koordinim, më shumë lidhshmëri dhe më shumë investime të përbashkëta”, theksoi Sali.

Ai nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të avancojnë në rrugën evropiane përmes reformave të besueshme dhe bashkëpunimit rajonal.

Gjatë punimeve të forumit u diskutua forcimi i bashkëpunimit makro-rajonal si një instrument për rritjen e stabilitetit, lidhshmërisë dhe integrimit evropian në rajon, veçanërisht në kontekstin e sfidave aktuale gjeopolitike dhe ekonomike. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për koordinim më të madh dhe investime të përbashkëta mes vendeve të rajonit.

Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe Takimi Ministror i Këshillit Adriatiko-Jonian/EUSAIR, ku u miratua Deklarata e Shkupit. Me këtë deklaratë, vendet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta evropiane.

Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR) është një strategji makro-rajonale e miratuar nga Komisioni Evropian dhe e miratuar nga Këshilli Evropian në vitin 2014. Strategjia u zhvillua bashkërisht nga Komisioni dhe vendet dhe palët e interesuara të Rajonit Adriatiko-Jonian, të cilat ranë dakord të punojnë së bashku në fushat me interes të përbashkët për të mirën e secilit vend dhe të të gjithë rajonit.

Presidenca e Maqedonisë së Veriut me EUSAIR dhe Iniciativën Adriatiko-Joniane filloi më 1 qershor 2025 dhe zgjat një vit, përkatësisht deri në qershor të këtij viti.