Maqedonia e Veriut i është bashkangjitur iniciativës së BE-së për formimit të Gjykatës për krimet e Rusisë në Ukrainë

Maqedonia i është bashkuar nismës së BE-së dhe shteteve partnere për krijimin e një tribunali ndërkombëtar special që do të ndjekë penalisht zyrtarët e lartë rusë për krimet e luftës kundër Ukrainës. Nisma është miratuar nga BE-ja dhe aleatët, dhe sipas deklaratës së përbashkët të më shumë se 30 diplomatëve që u takuan dje në Lviv, Ukrainë, paneli i gjyqtarëve do të ketë selinë në Hagë dhe do t’i thërrasë për përgjegjësi përfaqësuesit më të lartë të udhëheqësisë ruse, transmeton Portalb.mk.

Ndër mbështetësit e deklaratës është edhe Maqedonia, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ishte i pranishëm në ngjarjen në Ukrainë. Sipas postimit të tij në Facebook, ai ishte i vetmi ministër nga vendet e Ballkanit Perëndimor që mori pjesë në ngjarje dhe “mori pjesë në Takimin Ministror të grupit themelues për krijimin e Tribunalit Special për krimin e agresionit kundër Ukrainës”.

“Në takime u konfirmua mbështetja e fuqishme për Ukrainën, për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe për iniciativën për vendosjen e përgjegjësisë ligjore për aktet e agresionit. Në këtë drejtim, e riafirmova mbështetjen parimore të shtetit tonë, duke kërkuar ndërprerje të menjëhershme dhe pa kushte të zjarrit nga ana e Rusisë dhe angazhim të përbashkët për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” shkroi Mucunski.

Ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wadephul, i cili ishte i pranishëm në takim, deklaroi:
“Kjo luftë, që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, nuk guxon të mbetet pa pasoja. Ata që mbajnë përgjegjësi për të, duhet të dalin para një gjykate legjitime.”

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, tha se tribunali do të “sigurojë që ata që janë më përgjegjës për agresionin kundër Ukrainës të thirren në përgjegjësi.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili iu bashkua takimit përmes video-lidhjes, deklaroi:
“Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për agresionin e saj, ashtu siç u mbajtën nazistët.”

Grupi i shteteve pjesëmarrëse – që përfshin vendet anëtare të BE-së, si dhe Kanada, Japoni, Australi, Kosta Rika dhe Norvegji – tani planifikon t’i kërkojë zyrtarisht Këshillit të Evropës që të arrijë marrëveshje për themelimin e tribunalit sa më shpejt që të jetë e mundur.

Tribunali do të ketë 15 gjyqtarë, secili me mandat në kohëzgjatje prej nëntë vitesh, dhe sipas vlerësimeve të BE-së, kostoja totale pritet të arrijë në 1 miliard euro.