Maqedonia e Veriut është vendi i parë në botë që pagat e sektorit publik do t’i llogaritë me pagën mesatare, deklaroi Besimi

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, ka shpalosur opinionin e tij në lidhje me rritjen e pagës në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Do të përmend se, ne do të jemi ndoshta vendi i parë në botë që do të indeksojmë pagat e sektorit publik me pagën mesatare, fakt ky që do të sigurojë harmonizim të vazhdueshëm të pagave, duke monitoruar zhvillimet e tregut të punës dhe produktivitetit”, deklaroi Besimi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe sindikatat janë pajtuar që rroga në Maqedoninë e Veriut të llogaritet në bazë të formulës ku shumëzohet rroga mesatare dhe koeficienti.

“Rreth 20%, ose pesë vende të Eurozonës, pagat e sektorit publik i harmonizojnë plotësisht ose pjesërisht me normën e inflacionit, ndërsa vetëm dy vende (Belgjika dhe Luksemburgu) i harmonizojnë automatikisht pagat. Në disa vende të BE-së dhe rajonit, indeksohet vetëm paga minimale në sektorin publik dhe/ose privat”, deklaroi Besimi.

Ai vlerësoi që theksi i negociatave ndërmjet Qeverisë dhe sindikatës ishte zgjidhja e drejtë, sistematike dhe e qëndrueshme, dhe jo sasia.

Ndryshe, Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jovanka Trençevska, më 10 korrik informoi se kanë arritur marrëveshje me sindikatat rreth rritjes së rrogës dhe çështje tjera.

Ministria e Financave sqaroi që gjatë bisedimeve u vendos që nga marsi i vitit 2025 metodologjia e re e pagave do të llogarit rrogën në bazë të formulës që do të varet nga koeficienti dhe paga mesatare bruto.

“U dakordua që regresi për pushimet vjetore të paguhet në vlerë prej 10.000 denarëve neto për vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e tutje në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive është rënë dakord që kjo vlerë të jetë së paku 30% nga paga mesatare neto”, raportoi Ministria e Financave.

Që të realizohet krejt kjo, ministri Besimi do të bën rebalanc te buxhetit në shtator, por nuk tregoi se për sa para do të ketë nevojë, sikur nuk tregoi se nga cilat fusha do të merren.