Abdixhiku kërkoi shkarkimin e Sveçlës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi e lidhi protestën e sotme të veteranëve me luftën hibride nga Serbia, raporton Koha.net. Sipas Abdixhiku, deklaratat e Sveçlës ishin të pamatura, nxitëse dhe ofenduese. Kryetari i LDK-së ka konsideruar se kjo është nivel i ri i ulët i politikbërjes. 

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë.  Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak. Kosova meriton më mirë.  Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla përmes Facebookut ka thënë se meqë presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, tani, sipas ministrit të Brendshëm, Vuçiqi është fokusuar në luftën hibride për nxitje të trazirave brenda Kosovës. Si nxitje të trazirës, Sveçla e ka konsideruar protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paralajmëruar për sot.