Maqedonia e Veriut do të furnizohet me qymyr nga Kosova në tre vitet e ardhshme

Sh. A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar marrëveshje strategjike me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizim të vazhdueshëm me qymyr të cilësisë së lartë për termocentralet vendase gjatë tre viteve të ardhshme, transmeton Portalb.mk.

Me këtë marrëveshje, Sh. A. EMV  ka marrë koncesion në minierën në Obiliq dhe mundësi për eksploatimin e rreth tre milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve të ardhshëm.

Marrëveshjen zyrtarisht e nënshkruan drejtori i përgjithshëm i Sh.A. EMV-së, Lazo Uzunçev, dhe drejtori i përgjithshëm i KEK-ut, Gramoz Hashani.

“Partneriteti parashikon çmim të garantuar dhe fiks prej 24,4 euro për ton qymyr gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, me parametra të përcaktuar saktësisht për cilësinë, të cilët do të jenë bazë për blerjen dhe shitje”, njoftuan nga EMV.

Me këtë parashikohet prodhim shtesë vjetor prej 800 GWh energji elektrike dhe të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh.

Për realizimin pa pengesa të planeve vjetore për prodhimin e energjisë elektrike për periudhën 2027–2030, nevojat vjetore për blerjen e qymyrit, si plotësim i atij të prodhuar në vend, arrijnë në rreth 1,4 milionë tonë, përkatësisht 600.000 tonë për REK Osllomej dhe 800.000 tonë për REK Manastir. Në vitet e kaluara, REK-u blinte qymyr nga Greqia, ndërsa kamionët kalonin përmes Mexhitlisë.

Me përfundimin e përzgjedhjes së operatorit ekonomik dhe fillimin e punës së tij, marrëveshja me partnerin nga Kosova do të hyjë zyrtarisht në fuqi.

Ndryshe, EMV-ja ka qenë cak i kritikave për shkak të keqpërdorimeve dhe parregullsive.