Mickoski përsëri mesazh Prokurorisë për rastin “Mazuti”: EMV-ja ka dorëzuar ankesë, pres që ajo t’i shqyrtojë faktet
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjeve gazetareske lidhur me atë nëse EMV-ja do të dorëzojë ankesë për skandalin me mazutin në KXE dhe Vasko Kovaçevskin, deklaroi dhe kërkoi se tashmë është dorëzuar ankesë dhe porositi që Prokuroria t’i shqyrtojë faktet dhe të vendosë në përputhje me ankesën, transmeton Portalb.mk.
“Po, EMV-ja, ish ELEM-i, tashmë ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit skandaloz të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe presim që tani Prokuroria e Lartë Publike t’i shqyrtojë siç duhet të gjitha faktet dhe të vendosë në përputhje me atë që përmban ankesa. Kështu që, të presim se çfarë do të vendosë Prokuroria e Lartë Publike, e më pas të komentojmë”, tha Mickoski.
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një nga shtyllat bazë të funksionimit të shtetit, ndërsa ndarja mes pushtetit ekzekutiv dhe organeve të ndjekjes penale konsiderohet parim kyç demokratik. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë hapur debat mbi kufijtë e komunikimit dhe ndikimit politik ndaj prokurorisë. Pas vendimit për ndërprerjen e hetimit për prokurimin e mazutit për termocentralin e Negotinës, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi publikisht se ishte i befasuar dhe i shokuar, duke zbuluar se kishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Prokurorin Publik të Shtetit, Nenad Saveski.
Prokuroria Publike sqaroi se kjo ishte telefonata e parë e kryeministrit dhe se gjatë bisedës nuk janë diskutuar detaje konkrete të rastit. Sipas këtij institucioni, Saveski vetëm ka përcjellë informacionin që tashmë ishte bërë publik, se rasti nuk i ishte referuar Prokurorisë së Republikës dhe se kryeprokurori ishte informuar për vendimin pasi ai ishte marrë.
“Në asnjë moment të bisedës nuk u përmendën detajet e një rasti specifik, përfshirë rastin për të cilin po tregoni interes. Kur u pyet nga Kryeministri, atij iu tha e njëjta gjë që u njoftua publikisht nga Prokuroria në media dje – se rasti nuk i është referuar Prokurorisë së Republikës dhe se Prokurori i Shtetit mësoi për vendimin pasi ai u mor”, thotë Prokuroria Publike.
Mickoski dje tha se lidhur me vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), ka folur me prokurorin Nenad Saveski, nga i cili u informua se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi të PTHP NKOK të kryesuar nga Islam Abazi.
“Ai më informoi se nuk ishte i informuar për këtë vendim të Prokurorisë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe supozoj se pas ankesës së paraqitur nga EMV, çështja do të rishikohet dhe do të kthehet për rianalizë. Ne kemi komentuar për Prokurorinë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe nuk kam asgjë më shumë për të thënë, publiku e di se çfarë lloj prokurori është ky”, tha Mickoski.
Këshilli i Prokurorëve Publikë nga ana tjetër tha se do të kërkojë shpjegim nga kryeprokurori Nenad Saveski.
Megjithatë, debati nuk lidhet vetëm me telefonatën. Pas zgjedhjes së Saveskit në postin e kryeprokurorit, Mickoski kishte shprehur publikisht pritje të larta ndaj tij, duke deklaruar se disa lëndë të paraqitura në Prokurori ndodhen “në sirtar” ose në fund të prioriteteve. Ai kishte kërkuar që këto raste të aktivizohen dhe të shqyrtohen.
Mickoski tha se pret që të gjitha këto lëndë të nxirren dhe të vihen në procedurë, për të parë nëse ekziston dyshim i bazuar për kryerje të veprave penale nga ato institucione, përkatësisht nga personat që i kanë udhëhequr ato.
Ai shtoi se personalisht pret nga Saveski të veprojë edhe për të paktën dy çështje të tjera, të cilat, sipas tij, janë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit, përkatësisht mënyra se si Katica Janeva nga burgu ka aktivizuar lëndë, bonuset e PSP-së dhe cilat janë dëshmitë për “27 Prillin”.
Nga foltorja e Kuvendit, ai i bëri thirrje Saveskit që të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund për këdo për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer krim, përfshirë edhe anëtarët e qeverisë aktuale.
Këto adresime të drejtpërdrejta të Mickoskit ndaj Saveskit u vlerësuan nga opozita dhe një pjesë e ekspertëve si ndërhyrje e kryeministrit në punën e prokurorisë dhe ushtrim i presionit politik, pasi prokurori publik shtetëror është organ i pavarur dhe sipas ligjit nuk i përgjigjet kryeministrit për punën e tij.
- LEXO: Interesim për hetimet, telefonata dhe porosi të drejtpërdrejta, si po hyn ekzekutivi i RMV-së në territorin e drejtësisë
- LEXO: Përzierje në sistemi e drejtësisë? Mickoski biseda në telefon me Saveskin, Këshilli i Prokurorëve: Po e monitorojmë situatën
- LEXO: Saveski: Do të veprohet ndaj çdo rasti që ka bazë ligjore
- LEXO: Mickoski pret që Saveski të sqarojë se si Katica Janeva aktivizoi lëndë nga burgu, për bonuset e PSP-së dhe provat për “27 Prillin”