Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, dy vendet që u theksuan në procesin e kthimit të qytetarëve nga Arabia e Siria

Një ekspert i Kombeve të Bashkuara i ka përshëndetur përpjekjet themelore të Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e situatës komplekse në të cilën gjenden qytetarët e tyre të kthyer nga zonat e konflikteve, veçanërisht nga Republika Arabe e Sirisë, nëpërmjet riatdhesimit, riintegrimit dhe ndjekjes penale të tyre, raporton MIA.

Raportuesja Speciale e KB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në luftën kundër terrorizmit, Fionulla Ni Aolain, e cila ishte për vizitë në të dyja vendet, ndërsa në vend qëndroi javën e kaluar, tha se vendet si Gjermania dhe Maqedonia e Veriut treguan se riatdhesimi është jo vetëm i mundshëm por edhe praktik.

Siç njofton zyra e KB-së në Maqedoninë e Veriut, ajo theksoi kushtet e vështira në kampet dhe burgjet në Sirinë verilindore ku këta njerëz janë të burgosur masivisht dhe arbitrarisht, veçanërisht duke theksuar pasojat e rënda për fëmijët e cenueshëm të cilët vazhdojnë të jenë të burgosur pa akses në arsim, kujdes shëndetësor, siguri dhe të drejta të tjera themelore.

“I përshëndes përpjekjet e Gjermanisë për të inkurajuar angazhimin energjik dhe ekspert të shoqërisë civile në proceset e përjashtimit, deradikalizimi dhe riintegrimi, gjë që tregon se sa e rëndësishme është të kemi një qasje ‘e gjithë shoqëria’ ndaj kthimit të këtyre personave, si dhe qasje që bazohet në të drejtat e njeriut dhe që lejon riintegrim gjithëpërfshirës dhe jostigmatizues në shoqëri”, tha ajo.

Raportuesja speciale theksoi se Maqedonia e Veriut ka filluar me përpunimin e modelit për riintegrimin në komunitet bazuar në ekspertizën multidisiplinare me përfshirjen e punonjësve socialë, psikolog klinik dhe përfaqësues të sektorit të sigurisë me qëllim familja, veçanërisht gratë dhe fëmijët, qëllimisht të riintegrohen në komunitetet e tyre.

Theksoi se është e rëndësishme që ndjekja penale e krimeve ndërkombëtare me efekt shkatërrues të kryera nga SHI në Siri dhe Irak të kryhet në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Ajo e përshëndeti qasjen novatore dhe unike të Gjermanisë për t’u marrë me krimet ndërkombëtare dhe gatishmërinë e dukshme të vendit për të kapërcyer hendekun e madh të mosndëshkimit për krimet e kryera nga ana e SHI-së.

Ni Aolain tha se të dy vendet duhet të vazhdojnë të jenë vigjilente nëse politikat dhe praktikat e ekstremizmit kundër dhunës në lidhje me kthimin dhe riintegrimin janë vërtet në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut. Ajo shprehu shqetësimin se disa përpjekje për riintegrim në praktikë, në vend që të parandalojnë, mund të shkaktojnë stigma dhe refuzim të të kthyerve nga shoqëria.

Raportuesja Speciale e përshëndeti qasjen proaktive të të dyja qeverive ndaj kësaj çështjeje komplekse ligjore dhe politike, që përbën një shembull domethënës për shtetet e tjera në drejtim të lehtësimit të kthimit dhe riintegrimit të qytetarëve të tyre nga zonat e konfliktit, përfshirë Sirinë