Maltina Ahmeti nga Tetova e rrëmbeu vendin e dytë në garat e violinës në Sofje

Nëntë vjeçarja Maltina Ahmeti nga Tetova e cila ishte nën mentorimin e mësueses Lida Aliu e ka fituar vendin e dytë në garat ndërkombëtare për violinë të cilat u mbajtën në Sofje të Bullgarisë Portalb.mk.

Në këto gara Maltina u paraqit me dy vepra “Concertino” shkruar nga Ferdinand Küchler dhe veprën “The Pupet Show” shkruar nga J. Trott.

Maltina për Portalbin tha se për këto gara i’u desh që të punojë që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Ajo gjithashtu shtoi se ka punuar shumë me mentoren dhe nga ky bashkëpunim arritën këtë çmim.

“Isha shumë e lumtur që isha fituese e këtij çmimi kaq të rëndësishëm, dhe ky do të jetë një motiv më i madh që unë të punoj edhe më shumë. Unë të them të drejtën nuk e prita këtë çmim mirëpo për fat të mirë unë e rrëmbeva. Ishte pak stresuese por i’a dola mbarë. Gjatë këtij rrugëtimi të bukur më kanë përkrahur familja ime, mësuesja Lida dhe shumë miq të tjerë”, tha Ahmeti.

Fotografi nga pjesëmarja në gara e artistes Maltina Ahmeti. Foto: Gjynel Ahmeti
Fotografi nga pjesëmarja në gara e artistes Maltina Ahmeti. Foto: Gjynel Ahmeti

Mësuesja Lida Aliu për Portalbin tha se pjesëmarrja e tyre në garat në Sofje ishte një përvojë e jashtëzakonshme, e mbushur me sfida, emocione dhe momente të paharrueshme.

“Ishte një mundësi për të testuar aftësitë tona, për të njohur pjesëmarrës nga vende të ndryshme dhe për të përjetuar atmosferën e vërtetë të një gare ndërkombëtare. Maltina, e cila është vetëm 9 vjeçe, u tregua jashtëzakonisht e përgatitur dhe e shkëlqyer në performancën e saj, duke dëshmuar edhe një herë aftësitë e saj të jashtëzakonshme. Vjet ajo ishte fituese e çmimit të parë në garën në Shkup, duke treguar vazhdimësinë dhe suksesin e saj në këto kompeticione”, tha Aliu.

Ajo shtoi se ky udhëtim nuk ishte vetëm një sfidë akademike, por edhe një mundësi për rritje personale dhe për të krijuar lidhje të reja.

“Pavarësisht tensionit dhe konkurrencës, e gjithë përvoja në Sofje ishte frymëzuese dhe na dha shtysën për të vazhduar më tej me edhe më shumë përkushtim. Ndjenja e suksesit nuk buron vetëm nga rezultatet, por edhe nga vlerësimi i përpjekjeve dhe angazhimit tonë gjatë gjithë përgatitjeve dhe garës. Ky udhëtim nuk ishte vetëm një sfidë akademike, por edhe një mundësi për rritje personale dhe për të krijuar lidhje të reja. Ne kemi qenë pjesë e garave çdo vit, gjithmonë të përkushtuar për të përfaqësuar më së miri punën dhe aftësitë tona”, tha Aliu

Aliu gjithashtu bënë të ditur planet për në vazhdim.

“Tani po përgatitemi për garën e radhës në Shkup, ku do të paraqitemi me tre nxënëse të talentuara, të cilat kanë treguar përkushtim dhe aftësi të jashtëzakonshme. Mezi presim të vazhdojmë këtë rrugëtim, të ndajmë përvojën tonë dhe të sfidojmë veten në një tjetër konkurs të rëndësishëm”, tha Aliu.

Fotografi nga pjesëmarja në gara e artistes Maltina Ahmeti. Foto: Gjynel Ahmeti
Fotografi nga pjesëmarja në gara e artistes Maltina Ahmeti. Foto: Gjynel Ahmeti

Prindi i Maltinës, Gjynel Ahmeti për Portalbin tha se nuk e ka pritur këtë sukses sepse konkurrenca ishte tepër e madhe.

“Të them të drejtën rrugëtimin në këto gara e kam marrë me dy mendje, sepse ishin gara ndërkombëtare dhe konkurrenca ishte tepër e madhe, kishte numër të madh të shteteve të cilat ishin pjesë e kësaj gare dhe se Maltina ishte e vetmja shqiptare nga Maqedonia e cila performoi në atë skenë të madhe. Ishte një moment tepër i veçantë kur pash vajzën time duke performuar në atë skenë të madhe duke ju dridhur ato këmbë të vogla. Ishin momente të parpërshkruara që nuk mund ti përkufizoj”, tha Gjynel Ahmeti.