“Edhe një lot ka rolin e vet. Detyra e tij është të pastrojë terrenin për buzëqeshjen që vjen më pas!” – thotë Rumi gjenial!
“Po kërcej nga gëzimi”, thirri një grua hebreje me emrin Siegel, një ish-peng i Hamasit, për median mes lotësh gëzimi, e emocionuar për kthimin e afërt të binjakëve Gali dhe Ziva Berman, të cilët kanë qenë pengje të Hamasit për dy vjet. “I imagjinoj ata duke u kthyer dhe duke përqafuar nënën e tyre”, tha ajo!
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, vendi i të cilit luajti një rol kyç në ndërmjetësim, shkroi: “Bota po përjeton një moment historik”! Ai e përshkroi Sharm el-Sheikh, qytetin ku u zhvilluan bisedimet, si një qytet paqeje dhe një djep dialogu. “Kjo marrëveshje jo vetëm që mbyll kapitullin e luftës, por ajo gjithashtu hap derën e shpresës për popujt e rajonit për një të ardhme të shënuar nga drejtësia dhe stabiliteti”, tha Sisi. Por çdo ide e guximshme duket e çmendur në fillim, madje praktika tregon se idetë më të mira vijnë nga kohët më të këqija.
Por a do të jetë i mjaftueshëm procesi i ndërlikuar i Trump për Gazën që anëtarët norvegjezë të komitetit të çmimeve të injorojnë pikat negative të Trump në lidhje me Groenlandën, Kanadanë dhe Panamanë, apo mënyrën se si ai përdor ushtrinë për të ruajtur rendin në Shtetet e Bashkuara? Kjo mbetet për t’u pare në vitin tjetër!
Hamasi mbajti premtimin se është gati të lirojë të gjithë të burgosurit izraelitë si pjesë e planit 20-pikësh të Trump për Gazën, megjithëse ende nuk ka deklaruar se pajtohet me aspekte të tjera të propozimit. Kur u pyet nëse kryeministri izraelit Netanyahu me të vërtetë pranon të ndalojë bombardimin e Gazës dhe të mbështesë planin amerikan për t’i dhënë fund luftës, Trump i tha CNN: “Po, unë garantoj për Bibin”.
Netanyahu dhe Hamasi janë nën presion të madh. Poqese lufta nuk ndalet, rrezikohet që rajoni të përqafoj Kinën. Numri i të vdekurve në Gaza nga sulmet izraelite që nga tetori 2023 është rritur në 67,139, me 169,583 persona të tjerë të plagosur. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë. Zyra e medias e qeverisë së Gazës tha se 9,500 persona ishin të zhdukur, duke e çuar numrin total të viktimave në më shumë se 76,000. Por, ndërsa udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë menduar për të ardhmen për vite me radhë, ata gjithmonë duket se e humbasin të kaluarën! Është e çuditshme se si natyra njerëzore pret gjithmonë kohë më të mira, por vuan për kohërat e vjetra “të mira”. Në situata të tilla, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika e dështimit. Sepse tani për të shkatërruar një komb nuk ke nevojë për një bombë atomike, por mjafton një udhëheqje e keqe.
Një ministër izraelit ka studiuar në detaje planin 20-pikësh të Trump, i cili në pikën parafundore në fakt hap rrugën për formimin e një shteti palestinez, gjë që është e papranueshme për të: “Ndërsa rindërtimi i Gazës përparon dhe ndërsa zbatohet programi i reformave të Autoritetit Palestinez, mund të krijohen parakushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes palestineze dhe shtetit të tyre, i cili njihet si aspirata kolektive e popullit palestinez.”
Vendet arabe që morën pjesë në arritjen e marrëveshjes theksuan gjithashtu se marrëveshja në një moment duhet të çojë në njohjen e pavarësisë së shtetit palestinez, të cilën Netanyahu e ka theksuar vazhdimisht se nuk do të ndodhë kurrë. Le të kujtojmë se marrëveshje të shumta paqeje në Lindjen e Mesme kanë dështuar deri më tani, dhe disa presidentë amerikanë kanë shpallur triumfalisht marrëveshje “përfundimtare” paqeje për këtë pjesë të botës. Megjithatë, lehtësimi, kënaqësia, madje edhe euforia midis izraelitëve dhe palestinezëve pasi Presidenti Trump njoftoi se ishte arritur një marrëveshje paqeje për Gazën është shenja më e mirë deri më tani se gjithmonë ka një përjashtim dhe një herë të parë.
Ndërsa askush, madje as vetë Trump, ndoshta nuk e di se kur ose si do të zbatohen të 20 pikat e planit të tij të paqes, Hamasi dhe Izraeli në fakt kanë rënë dakord për një armëpushim në Gaza dhe hapa të tjerë në fazën e parë të marrëveshjes. Propozimi thotë se sapo marrëveshja të kalojë nga qeveria izraelite, brenda 24 orësh Izraeli do të tërhiqet në të ashtuquajturën “Vijë të Verdhë” që ndan Gazën afërsisht në gjysmë paralel me detin. Kjo për qëllim që t’i lejojë Hamasit të gjente të gjithë pengjet e mbijetuara, rreth njëzet prej tyre, si dhe trupat e pengjeve që vdiqën ose u vranë, ndërsa në të njëjtën kohë të lirohen afro 1,700 të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite. Këtu mbaron faza e parë e marrëveshjes dhe fillon zona gri me shumë pyetje dhe dyshime.
Hamasi duhet të dorëzojë pushtetin në Gaza!
Kjo është pika më e vështirë e planit të paqes, sepse Hamasi, si një organizatë militante dhe terroriste, duhet të shpërbëhet. Shumë veta e shofin si një engjëll që është gati të hyjë në ferr. Sipas marrëveshjes, Hamasi dhe fraksionet e tjera nuk do të kenë asnjë rol në qeverisjen e Gazës. E gjithë infrastruktura e tyre ushtarake, përfshirë tunelet, do të shkatërrohet. Gaza do të demilitarizohet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të pavarur. “Udhëheqësit e rinj të Gazës do të angazhohen për bashkëjetesë paqësore me fqinjët e tyre”, thotë pika 13 e planit Trump, për pranimin e të cilit Katari, Egjipti dhe Turqia luajtën një rol të rëndësishëm.
Marrëveshja u kundërshtua fuqimisht nga Ministri i Financave dhe udhëheqësi i së djathtës ekstreme izraelite, Bezalel Smotrich, i cili deklaroi se nuk do ta mbështeste marrëveshjen. “Ndërsa ndiej gëzim të madh për kthimin e afërt të pengjeve, ndiej gjithashtu frikë të madhe për pasojat e lirimit të brezit të ardhshëm të udhëheqësve terroristë që do të bëjnë gjithçka për të vazhduar të derdhin lumenj gjaku hebre”, tha ai. Ai dëshiron që Hamasi të zhduket plotësisht dhe Gaza të demilitarizohet. Gjithashtu problematike do të jenë emrat e të burgosurve palestinezë që Izraeli ka refuzuar t’i diskutojë në negociatat e mëparshme. Ata janë udhëheqësi i Fatahut, Marwan al-Barghouti, dhe udhëheqësi i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, Ahmed Saadat. Të dy po vuajnë dënime të shumta me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në sulme që vranë civilë izraelitë.
Çështje të shumta janë të paqarta, siç janë çështjet e zbatimit në planin e Gazës, përbërja dhe mandati i forcave të sigurisë, struktura e qeverisjes palestineze, marrëdhënia me Ramallahun, fondet e rindërtimit, etj. Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, i cili ka luajtur një rol kyç në procesin e paqes, po kërkon që trupat amerikane të vendosen në Gaza si paqeruajtës për ta bërë planin realitet. Inteligjenca ushtarake egjiptiane gjithashtu ka lidhje të forta me krahun e armatosur të Hamasit (Brigadat Qassam). Hamasi dëshiron që trupat turke të vendosen në Gaza për të garantuar armëpushimin, por Izraeli kundërshton praninë turke.
Realisht gjatë 80 viteve të fundit, është e pabesueshme se si palestinezët kanë gabuar gjithçka. Ata duket se kanë qenë pengesa më e madhe për vendin e tyre. Në vitin 1947, ata hodhën poshtë formulën e OKB-së për krijimin e dy shteteve – Palestinës dhe Izraelit – dhe hynë në një luftë guerile që e humbën. Në vitin 2000, ata hodhën poshtë marrëveshjen e paqes të Presidentit Klinton, sipas së cilës Izraeli dhe Amerika do të njihnin një shtet palestinez. Ata menduan budallallëk se Izraeli do të duhej të zhdukej! Nëse i mbledhim refuzimet e palestinezëve, rezulton se Izraeli e hodhi poshtë Palestinën më pak se vetë palestinezët. Atyre iu desh shumë kohë dhe sakrificë për të kuptuar se jeta është një kompromis. Ata e kishin të vështirë të kuptonin se sapo ta bësh normalen të pamundur, fatkeqësia bëhet shpejt e pashmangshme. Nuk kemi gjithmonë probleme të mëdha, por probleme të zakonshme të përditshme që me pak përpjekje mund t’i shndërrojmë në suksese të mëdha.
A është kjo e mjaftueshme për Çmimin Nobel për Paqen?
Në testamentin e tij të vitit 1895, Alfred Nobel përcaktoi që çmimi të jepej për kontributin më të rëndësishëm në “traktatet vëllazërore midis kombeve, në heqjen ose reduktimin e ushtrive dhe në organizimin dhe promovimin e kongreseve të paqes”. Trump është në rrugën e tij për të kompensuar atë që (të paktën për tani) humbi me Rusinë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.