Pandov: Parregullsitë e konstatuara nëpër burgje do ti dorëzoj në polici dhe prokurori

Drejtori i Zbatimit të Sanksioneve, Alensandar Pandov në intervistë për Alsat tha se kërkon nga organi i akuzës të hetojë shkeljet të cilat sipas tij, kanë shembur sistemin ndëshkues dhe korrektues në vend. Ai shtoi se parregullsitë jo ligjore nëpër burgjet e vendit e posaçërisht ato të burgut hetues në Shutkë do t’i dorëzohen policisë dhe Prokurorisë Publike.

“Të gjitha deklarimet e deritanishme që i kemi nga policia e burgjeve dhe vetë të burgosurit do t’i dorëzojmë në Prokurori Publike dhe nesër do t’i dorëzojmë në polici. Pres që Prokuroria Publike dhe Policia me kapacitetet e tyre më të favorshme do të kyçen në hetimin e këtyre shkeljeve ligjore”, tha Aleksandar Pandov, Drejtor i Zbatimit të Sanksioneve.

Ndryshe në burgun “Shkupi” ose i njohur si burgu i Shutkës, mungojnë çdo ditë një numër i madh i të burgosurve, njoftoi në një konferencë për media drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov më 22 korrik.

Ai po ashtu tha se natën e 19 të këtij muaji në Burgun “Shkupi” është bërë një vëzhgim i jashtëzakonshëm dhe është konstatuar se lista e të burgosurve që kanë marrë nga policia nuk përputhet me gjendjen aktuale që kanë gjetur.

Pandev tha se 11 të burgosur nuk ishin në qelitë e tyre dhe gjendja ishte e ndryshme nga ajo që u ishte dhënë në listë. Ai theksoi se disa të burgosur dilnin dhe hynin në burg sa herë të donin.

Sipas tij, zyrtarët e burgut kanë deklaruar se të burgosurit lëvizin me urdhër verbal të drejtorit Filip Andov – Sokol, për të cilin ka thënë se do të kërkojë që të shkarkohet.

Ai thotë se në këtë burg nuk ka pasur kontroll për shtatë vite.

Kujtojmë se ministri për Drejtësi, Igor Filkov, në qershor 2024 vlerësoi se institucionet për risocializim dhe rehabilitim janë në gjendje alarmante, pas vizitës së realizuar në burgun e Idrizovës.

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin e fundit vëren mungesën e zbatimit të disa rekomandimeve në fushën e reformës së burgjeve dhe, në veçanti, në lidhje me situatën në Burgun e Idrizovës. KPT u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i zbatojnë këto rekomandime dhe të shmangin nevojën që Komiteti të lëshojë deklaratë publike. Raporti thekson nevojën e një vlerësimi për përdorimin e forcës ndaj të burgosurve. Komiteti vëren se fenomeni i mbipopullimit të burgjeve mund të trajtohet efektivisht nga një politikë e modulimit të numrit të personave të dërguar në burg dhe jo nëpërmjet një amnistie tjetër. Gjithashtu përmenden kushtet e këqija higjienike për të burgosurat femra dhe të miturit në paraburgim.