Lloga: Preambula është prioritet për ndryshimet kushtetuese, pres mbështetje nga opozita

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë  thotë se Preambula mbetet prioritet i Grupit të Punës e cila do t’i përgatisë ndryshimet kushtetuese. Ai pret që propozimi të kalojë në Kuvend, trasmeton Portalb.mk.

“Mua më vjen keq që VMRO nuk është pjesë e këtij Grupi të Punës. I ftoj edhe një herë  të jenë pjesë e suksesit, për rrugën e ardhmërisë evropiane të Maqedonisë dhe besoj se këta që pranuan të jenë pjesë e këtij grupi punues, janë njerëz guximtarë. Këta janë njerëz të jashtëzakonshëm, për shkak se në momentin e vërtetë ata gjetën kohë, edhe pse e dinin që do të nxihen nga një pjesë e opinionit publik ta japin kontributin e tyre që ne një ditë të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Dhe, besoj se me ta do të kemi tregim të suksesshëm, të cilin do të duhet t’ia paraqesim opinionit publik para se ta miratojmë në Kuvend.  Ne e kemi pjesën e përgatitjes, ndërsa propozues do të jetë Qeveria dhe në atë pjesë ne, për një kohë të shkurtër, punën tonë do ta paraqesim para jush”, tha Lloga.

Ministri i Drejtësisë vlerëson se ende ekziston hapësirë që VMRO-DPMNE t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

 “Në disa deklarata VMRO-DPMNE ka dhënë hapësirë, se do t’i mbështet ndryshimet kushtetuese dhe kjo është parë më së paku dy herë. Lideri i tyre njëherë tha se kërkojnë garanci të forta nga Bashkimi Evropian, mandej tha se do të tregojnë qëndrim pozitiv nëse e kemi formulimin si në Kroaci. Kështu që, nëse VMRO nuk do të gjejë fuqi si një nga partitë më të mëdha politike, besoj se brenda në VMRO-DPMNE do të gjenden njerëzit e vërtetë të cilët do të dinë të njohin të ardhmen e shtetit, se nuk ka rrugë tjetër, për shkak se kjo që kërkohet dhe që pritet prej nesh, patjetër duhet të plotësohet”, theksoi Lloga.

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet  kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.