Gir: Presim zbatimin e ndryshimeve kushtetuese që të vazhdojë rruga e vendit drejt BE-së

Ambasadori evropian David Gir nuk e komenton deklaratën e kandidatit për president nga Fronti Evropian, Bujar Osmani, se amendamentet kushtetuese do të jenë kusht për formimin e qeverisë së ardhshme, por rithekson se pret që zbatimi i këtyre ndryshimeve të vazhdojë rrugën e vendit drejt BE-së, transmeton Portalb.mk.

Para fillimit të panelit “Rruga përpara: Konsolidimi i përfshirjes së shoqërisë civile në planin ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor”, i cili u mbajt sot në Qendrën Informative të BE-së, në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse ky kusht do të nënkuptonte futjen në krizë politike, tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë do të vazhdojë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Jemi në mes të një fushate zgjedhore dhe nuk u përgjigjem pyetjeve për çështje politike. Natyrisht, ne presim zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat i lejojnë vendit të përparojë në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Gir.

Në organizimin e Shoqatës ESTIMA, Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim nga Shqipëria dhe Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, u mbajt një panel diskutimi në Qendrën Informative të BE-së me temë “Rruga përpara: konsolidimi i përfshirjes së shoqërisë civile në Planin Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor”. Përveç ambasadorit evropian Gir, morën pjesë edhe drejtori i Sekretariatit të komunitetit të transportit të EJL-së, Matej Zakonjshek, si dhe kryetarja e Shoqatës ESTIMA, Ana Krstinovska.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.