Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të fillojë me punë javën e ardhshme në Maqedoninë e Veriut
Opozita, si nga blloku maqedonas dhe ai shqiptar, nuk do të marrë pjesë në ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë, kusht I përcaktuar me pranimin e “propozimit francez” dhe u bë pjesë e kornizës negociuese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, raportoi 360Shkallë, përcjell Portalb.mk.
Grupi i punës javën e ardhshme duhet të fillojë me seancën e parë. Ashtu siç informoi Ministria e Drejtësisë, aty do të marrin pjesë ish-gjykatës dhe profesor, si dhe përfaqësues politik, që do të punojnë në përcaktimin e ndryshimeve kushtetuese.
Sot lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, shkurt theksoi që pjesëmarrja e partisë së tij në grupin e punës është çështje e mbyllur.
“Kovaçevski në mënyrë qyqare po fshihet pas grupit të punës. Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese nuk ka kredibilitet”, deklaroi Mickoski, duke theksuar që pjesë e grupit punues është edhe Jagoda MItrevksa, si një person me përvojë në ndjekjen e zgjedhjeve në Rusi.
LSDM-ja vlerësoi që Mickoski tenton t’i nënvlerëson profesorët, sikurse është duke i ikur përgjegjësisë morale duke mos marrë pjesë në asnjë vendim shtetëror.
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRO–DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.
- LEXO: Ministria e Drejtësisë publikoi emrat e ekspertëve që do të angazhohen për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Futja e etnive tjera në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nuk e kërcënon identitetin maqedonas, vlerësoi zëvendësministrja e drejtësisë
- LEXO: Mariçiq: Takimi i parë i grupit punues dhe formulimi i ndryshimeve kushtetuese pas Pashkëve
- LEXO: Ministria e Drejtësisë publikoi emrat e pjesëmarrësve në grupin punues për ndryshimet kushtetuese
- LEXO: RMV, partitë opozitare kundër grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, ekspertët të ndarë në dy tabore