Kamberi mbeti pa djalin në aksidentin e Llaskarcës: Po humbim katër vite në muhabete koti në procesin gjyqësor

Xhevat Kamberi, djali i të cilit ka humbur jetën në aksidentin tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë më 13 shkuar të vitit 2019-të, shprehet i zhgënjyer nga procesi gjyqësor, i cili pas edhe më shumë se katër vitesh nuk ka epilog, shkruan Portalb.mk.

“Kanë kaluar gati pesë vjet, por jo vetëm kaq, do kalojnë edhe pesë vjet tjera. I kuptoj unë këto punë, por jam i pafuqishëm”, kështu deklaron për Portalb.mk Xhevat Kamberi, babai i Besimit, i cili në moshë 35-vjeçare humbi jetën në aksidentin tragjik, duke lënë pas bashkëshorten me tre fëmijë, më e vogla 3 vjeçe, ndërkaq më e madhja 12.

Bashkë me Besimin, ka qenë dhe kunati i tij, i cili fatmirësisht ka shpëtuar, pas një golgote të gjatë prej 67 muajsh në koma dhe pas disa operacioneve.

Por, siç na shpjegon Xhevat Kamberi, ai tanimë nuk është i aftë për punë.

“Me shpresë që ndoshta, ndoshta ndonjëherë do të ketë drejtësi, por problem është, thjeshtë ma thotë mendja që duan të fitojnë kohë dhe do fitojnë sigurisht. Këtu, sigurisht nuk kam shpresa, por kam shpresë që të shkoj në Strasburg, por ajo është “shohim e bëjmë. Shpresat janë absolutisht minimale, ne jemi vend i vogël dhe gati njihemi krejt me njëri-tjetrin dhe e kam parasysh presionin, politikën, si thonë në Shqipëri, lekët i kam parasysh”, shton Kamberi për Portalb.mk.

Barrës së dhimbjes, i është shtuar edhe ngarkesa financiare, për çka, familjarët i japin për shërbimet e avokatëve gjatë katër viteve të gjykimit.

“Për rastin e dhëndrit, avokati deri tani vetëm prej vajzës time ka marrë 6.000 euro. E para përballesh me të keqen dhe tani e paguan edhe avokatin. Avokati, e bën punën e vet, por neve nuk na kryen punë, më duket se kot e paguajmë”, shton Kamberi.

Sipas tij, secili mund ta kuptojë se procesi gjyqësor është “muhabet kot”, ndërkaq nuk pret që edhe Këshilli Gjyqësor të intervenojë për vërejtjet e familjarëve.

“Prej kujt të besosh, kam qenë disa herë dhe fjalët i kam dëgjuar aty nuk premton se do të ndodh diçka. Cili Këshill Gjyqësor pash Zotin, cili autoritet merret me këtë punë? Jam pesimist. Krejt muhabete koti, të vish t’i shohësh se çfarë flitet, thjeshtë e kupton edhe ai që s’merret me drejtësi fare. Ne rrimë kot dhe presim, na kanë vendos në mjegulla”, thotë Kamberi duke rikujtuar se nuk është i rastësishëm besimi i qytetarëve te gjyqësori prej vetëm 2%.

Proces që si shihet fundi

Ndryshe, procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të, ndërkaq seanca e fundit është mbajtur më 13 korrik. Pas pushimeve verore, seanca e radhës është caktuar për më 12 shtator, ku vazhdon marrja në pyetje e ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.

Në seancat e fundit avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën makinerike dhe të komunikacionit pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ndërkaq familjarët e viktimave, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.