Listat e kandidatëve për deputet në Kosovë edhe me persona që shkelën ligjin
Listat e kandidatëve për deputetë janë kritikuar nga njohës të çështjeve politike, të cilët kanë shprehur shqetësim që në garë janë futur edhe persona me probleme me ligjin. Problematike është konstatuar edhe mungesa e përfaqësimit të barabartë gjinor, kandidimi i kryetarëve të komunave dhe mungesa e reformimit të listave, raporton Koha.net.
Listat e kandidatëve për deputetë përmbajnë emra të njerëzve që prej kohësh janë në politikë, në to ka persona që kanë probleme me ligjin, si dhe nuk përfaqësojnë barazinë gjinor.
Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, drejtoreshë ekzekutive në D4D, thotë se u futën në lista tri kategori njerëzish: ata me përvojë në politikë, individë nga forume të grave a të rinisë dhe persona që u përfshinë në momentet e fundit për t’i plotësuar listat. Kësisoj, kritikon mungesën e reformimit të listave.
“Përveç dy subjekteve kryesore, LDK-së dhe PDK-së, të cilat kanë kaluar në reforma të brendshme gjatë viteve të fundit dhe duket se kanë bërë një analizë më të kujdesshme për përbërjen e listave të tyre në përputhje me programet që propozojnë, shumica e partive të tjera i kanë listat e tyre kryesisht të kompozuara për të plotësuar numrin e kërkuar, duke mos reflektuar një strategji të qartë apo një ofertë programatike të mirëpërcaktuar”, ka thënë ajo.
Në listat e partive ka kandidatë që kanë probleme me ligjin, për çka është shprehur kritik drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ehat Miftaraj.
“Shumica e partive politike në mesin e kandidatëve për deputetë iu paskan ofruar hapësirë solide edhe kandidatëve të dënuar për vepra penale, të akuzuar për vepra penale korruptive apo të huliganizmit, persona që janë duke u hetuar për vepra penale të korrupsionit, etj. Kësaj liste i prin i LVV-ja për nga numri, pasuar nga AAK-ja. PDK-ja dhe LDK-ja me lista me te pastra”, ka thënë ai.
Nga partitë parlamentare, LDK-ja e AAK-ja kanë kandiduar edhe kryetarë të komunave që i udhëheqin.
Sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, është joetik tjetërsimi i votës së qytetarëve.
“Kjo praktikë nuk është aspak etike, sepse qytetari kur e voton një kandidat ai e voton për ta bërë deputet dhe nëse ai person i cili merr vota, pastaj nuk e merr mandatin dhe në vend të tij vjen dikush tjetër i cili nuk dihet se kush do të jetë, atëherë mendoj se kjo është krejtësisht joetike”, u shpreh ai.
Shqetësim është shprehur edhe për mungesën e përfaqësimit të barabartë gjinor.
LVV-ja ka përfshirë në listë 41 gra, PDK-ja 38, LDK-ja 37 dhe AAK-ja një më pak.
Rrezarta Delibashzade-Krasniqi thotë se është respektuar vetëm minimumi ligjor. Ajo shton se nëse gratë nuk përfaqësohen në kufirin prej 50 për qind, angazhimi për të promovuar barazinë gjinore mbetet i dobët dhe i kufizuar.
“Vlerësimi dhe promovimi i grave në pozita udhëheqëse duhet të jetë një prioritet i qartë për partitë politike, duke shkuar përtej përmbushjes së kërkesave minimale ligjore. Kjo është e domosdoshme për të ndërtuar një proces demokratik që reflekton barazinë dhe diversitetin e shoqërisë. Duke parë situatën aktuale, ndoshta zgjidhja për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore do të duhet të vijë nga Gjykata Kushtetuese për proceset e ardhshme zgjedhore”, ka theksuar ajo.
Nga deputetët aktualë, LDK-ja nuk e ka rikandiduar vetëm Agim Veliun, i cili është shprehur i pakënaqur me vendimin e partisë.
Ndërkaq nga Vetëvendosje nuk janë rikandiduar deputetët: Arta Bajralia, Burim Meta, Ekrem Mustafa, Gazmend Gjyshinca, Jahja Kokaj, Tinka Kurti e Yllza Hoti.
Të kontaktuar nga KOHA, shumica e këtyre deputetëve kanë thënë se ka qenë vendim i tyre ose edhe i përbashkët me partinë që të mos hyjnë në listë. Por kanë sqaruar se funksionimi i punës së Kuvendit deri në përfundim të legjislaturës nuk do të pengohet nga ta.
Vetëvendosje nuk i ka futur në listë as zëvendëskyreministrin Besnik Bislimi, e as ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Bislimi ka deklaruar se nuk është pjesë e listës zgjedhore për shkak se është shef i shtabit të partisë, e sipas tij për këtë s’duhet të jetë pjesë e listës.
“Mospjesëmarrja ime në listën zgjedhore të subjektit tonë vjen si fakt i udhëheqjes së shtabit zgjedhor. Shefi i shtabit, rrjedhimisht, nuk do të duhej të jetë pjesë e listës. Kështu ka qenë edhe në vitin 2017, edhe më 2019 dhe më 2021, e do jetë përsëri tash në 2024. Rezultati i tri zgjedhjeve të fundit, tregon që kjo ka qenë strategjia e duhur”, ka shkruar ai në Facebook.
E, analisti Muhaxhiri thotë se mospërfshirja e Aliut ka të bëjë me vijat e kuqe të LVV-së që thotë se i shkeli ministri.
“Ai i ka kaluar disa vija të kuqe të LVV-së, veçanërisht sa u përket aferave të korrupsionit, edhe pse nuk është i dënuar ende, ekziston prezumimi i pafajësisë, por njerëzit për të cilët ai ka lobuar tashmë janë në paraburgim”, ka thënë ai.
Aliu dhe as LVV-ja nuk kanë dhënë përgjigje kur janë pyetur mbi arsyet se pse janë lënë jashtë garës.