Sistemi “Qytet i Sigurt” ka filluar të zbatohet edhe në territorin e SPB Veles – për një ditë e gjysmë janë regjistruar 151 shkelje

Sistemi “Qytet i Sigurt” nga e shtuna (12.09.2026) zyrtarisht funksionon edhe në territorin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Veles, i cili përveç këtij qyteti përfshin edhe Kavadarin, Negotinën dhe Demir Kapinë, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili me rastin e zbatimit të sistemit edhe në këtë territor sot ishte në Veles, informoi se gjatë ditës së djeshme janë konstatuar rreth 124 shkelje, ndërsa deri sot në mesditë janë shqiptuar edhe 27 gjoba, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 151 gjoba për vetëm një ditë e gjysmë.

Duke i falënderuar qytetarët për sjelljen e përgjegjshme dhe respektimin e rregullave të komunikacionit, Toshkovski theksoi se qëllimi kryesor i sistemit “Qytet i Sigurt” nuk është rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit, por ndryshimi i shprehive në komunikacion dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.

“Dëshmuam se vërtet mund të sillemi në mënyrë evropiane. Efektet pozitive të një sjelljeje të tillë janë shumë më pak viktima, shumë më pak aksidente trafiku dhe shumë më pak pasoja negative nga mosrespektimi i rregullave të komunikacionit”, tha ai.

Ministri foli edhe për pasojat e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit, duke theksuar se aksidentet tragjike në trafik janë një realitet që mund të prekë këdo. Ai përmendi aksidentin e djeshëm në rrugën Milladinovc–Aeroport, ku dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre persona u lënduan, prej të cilëve dy janë në gjendje veçanërisht të rëndë dhe me rrezik për jetën.

“E gjithë kjo që po na ndodh lidhur me aksidentet në komunikacion nuk është diku larg. Është këtu dhe mund t’i ndodhë kujtdo. E përsëris, nuk do të kishim kurrë aksidente me pasoja fatale nëse respektohen rregullat e komunikacionit. Kjo vërtet duhet të prekë të gjithë”, tha ministri i Punëve të Brendshme.

Kujtojmë se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.