Liqeni i Prespës në rrezik, aktivistët nga Ballkani pastrojnë plazhet dhe bëjnë apel për kujdes

Dita Botërore e Pastrimit bashkon miliona vullnetarë, qeveri dhe organizata në 191 vende të ndryshme të botës për të trajtuar problemin global të mbeturinave dhe për të ndërtuar një botë të re dhe të qëndrueshme. Çdo vit mbi 40,000 pjesëmarrës vullnetarë, në lokacione të ndryshme, bëhen bashkë për të pastruar brigjet e plazheve e lumenjve. Këtë vit, pjesë e këtij aksioni global ishte dhe Maqedonia e Veriut, me ç’rast të rijnë nga vendi dhe i gjithë Ballkani Perëndimor bashkë me përfaqësues të Ambasadës së BE-së në Shkup, pastruan plazhin e liqenit të Prespës, shkruan Portalb.mk.   

Në momentet kur liqeni i Prespës ndodhet pranë një rreziku të madh dhe duhet ruajtur çdo pikë uji i tij, rrjeti i ambasadorëve të rinj për Ballkanin Perëndimor bashkë me përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shkup dhe mbështetje të pushtetit lokal atje, vendosën të pastrojnë plazhet e liqenit të Prespës. Aksioni në fjalë u realizua në kuadër të evenimentit global “Dita Botërore e Pastrimit”, ku morën pjesë miliona vullnetarë për të pastruar plazhe në gjithsej 197 shtete dhe territore të ndryshme. Në prononcimin e tij për mediat Ben Nupnau, zv/ambasador i Bashkimit Evropian në Shkup, i bëri thirrje Qeverisë që të ndërmarrin masa për menaxhim më të mirë të mbetjeve dhe të promovojnë materialet organike dhe riciklimin. 

“Deri në vitin 2040 mbeturinat e hedhura nëpër oqeane pritet të arrijnë deri në 37 milionë ton plastikë. Mbetjet plastike janë problem masiv sot megjithatë edhe me aksione të vogla mundet të bëhet ndryshim i madh. Çdo shishe, çdo pip, çdo copë mbeturine që pastrohet na çon drejt një planeti më të pastër dhe më të shëndetshëm. Në të njëjtën kohë autoritetet shtetërore dhe Qeveritë duhet të punojnë në përmirësimin e rregullativave për të promovuar materialet organike dhe reciklimin. Ky aksion është dizajnuar si seri ku komunitet pastrojnë plazhet. Sepse natyra kolektive e këtij aksioni ndihmon të krijohen ura mes përçarjeve në komunitete dhe përfshin të gjitha nivelet e shoqërisë, nga qytetaret tek bizneset dhe Qeveria”, deklaroi Ben Nupnau nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup.

Çdo vit në shtator, Bashkimi Evropian, në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe “Smurf”, organizon një fushatë aktivizmi për mbrojtjen e oqeaneve dhe ndërgjegjësimin ekologjik. Aksioni quhet #EUBeachCleanup (BE Pastrimi i plazheve), me ç’rast grupe njerëzish bëhen bashkë për të pastruar plazhet, brigjet e lumenjve dhe ngjarje të ndryshme pastrimi në të gjithë botën. Aksionit në Prespë iu bashkëngjiten të rinj nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Serbia, të gjithë pjesë të rrjetit Ambasadorët e Rijnë Evropianë për Ballkanin Perëndimor.

“Bukuria e Liqenit të Prespës është e pamohueshme, por sfida e tkurrjes të liqenit kërkon angazhimin tonë kolektiv për ruajtjen e mjedisit. Për të mbrojtur këtë ekosistem të çmuar, ne duhet t’i japim përparësi praktikave të qëndrueshme, të reduktojmë ndotjen dhe të mbështesim përpjekjet e ruajtjes. Le të veprojmë me përgjegjësi për të garantuar shëndetin afatgjatë të Liqenit të Prespës dhe mjedisit përreth tij”, deklaroi Gent Salihi nga Maqedonia e Veriut.

Alisa Hasa nga Shqipëria theksoi se secili prej nesh mund të bëjë pjesën e vet për të pakësuar ndotjen, duke reflektuar mbi veprimet rutinë të përditshmërisë me qëllim kultivimin e sjelljeve miqësore me mjedisin.

“Një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm përveç të qenit një e drejtë e njeriut, është një faktor mjaft i rëndësishëm për mirëqenien tonë dhe të komuniteteve tona. Çdo element në natyrë është i ndërlidhur, prandaj duke kuptuar rolin tonë si pjesë integrale e ekosistemit, konsumi i përgjegjshëm është detyrë e të gjithëve”, u shpreh Hasa.

Sipas Llazar Simiç nga Serbia është e rëndësishme të kuptojmë se natyra nuk njeh kufijtë e krijuar nga njerëzit.

“Fatkeqësisht, ndotja dhe mbeturinat nuk dinë as për ta. Kjo është arsyeja pse erdha nga Beogradi në Liqenin e Prespës në Maqedoninë e Veriut. Ky vend është vërtet i bukur me natyrë unike. Detyra jonë është ta mbajmë kështu – të bukur dhe të pastër”, tha Simiç.

Xhulisa Otuzbir nga Bosnja dhe Hercegovina theksoi se kjo është një mënyrë e shkëlqyer përmes së cilës ne mund të japim një kontribut për ruajtjen e mjedisit ku jetojmë.

“Edhe pse dita botërore e pastrimit po shënohet vetëm këtë ditë, është e rëndësishme që ne të kujdesemi për mjedisin tonë çdo ditë. Gjithashtu besoj se duhet të japim shembull, veçanërisht ne, Ambasadorët e rinj evropianë, dhe po e shfrytëzojmë këtë mundësi për të frymëzuar të rinj të tjerë që të kujdesen për planetin tonë. Për ta bërë këtë, ne duhet të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe të edukojmë njerëzit se si të trajtojnë dhe reduktojnë mbetjet”, u shpreh Otuzbir.

Në vitin 2022, u zhvilluan 416 aksione pastrime fizike në 41 vende në të gjitha kontinentet e banuara: mbi 14,000 njerëz morën pjesë, duke hequr disa dhjetëra tonë mbeturina.

Ndryshe, rreziku që i kanoset liqenit të Prespës së Madhe sot vjen nga shumë faktorë. Ekspertët thonë se ndër më kryesoret janë rritja e lartë e temperaturave gjatë viteve të fundit, çka shton avullimin, rënia e sasisë së reshjeve si dhe bashkëveprimi me liqenin e Ohrit. “Sa më pak reshje të ketë një viti hidrologjik, aq më shumë ujë marrim nga Prespa, sepse Prespa ka një disfavor ndaj liqenit të Ohrit: ndodhet 150 metër mbi liqenin e Ohrit, në pozicionin gjeografik. Dhe duke qenë se ndahet nga një mal i karstëzuar, pra gëlqeror dhe shumë i çarë, uji kalon lirdhëm në këtë diferencë mes dy liqeve dhe derdhet në liqenin e Ohrit.