Tetovë, Elina Duni këngëtarja që na ktheu te poezia nën ritmin e xhazit

Mbrëmja e 16 shtatorit do të mbahet mend si e shtuna e cila Tetovës i dhuroi edhe një mbrëmje të paharruar xhazi me këngëtaren e njohur Elina Duni dhe instrumentistët partneri i saj zviceran Rob Luft, profesor Gent Rushi nga Tirana si dhe Viktor Filipovski, Kiril Tufekcievski nga Shkupi. Për këtë aktivitet u kujdes Qendra e Kulturës me të cilën menaxhon Arlind Huseini, njofton Portalb.mk

Koncerti filloi me poezi, praktikë kjo e rrallë ndër këngëtarë që e bën shpesh Elina Duni. “Metafora e jetës sime”, poezia e Podrimjes si duket ngelet dhe metafora e jetës së Elinës e cila thotë se poezia është e shpeshtë në krijimtarinë e saj, pasi shumica e këngëve janë të mbështetura në lirikat popullore, ose poezi autoriale që i ka thyer në këngë xhaz, si: Kristal – Ismail Kadare, si dhe poezi tjera nga poetë si Dritëro Agolli, Ndoc Gjetja, Besa Imami (e ëma) etj.

“Ani kaj lulije” – ishte kënga e parë e performuar, këngë autoktone e Pollogut që e kishte mësuar nga “Motrat e Shkupit” , ndërsa koncertin e parë tha se e e kishte mbajtur pikërisht në Tetovë bashkë me partnerin e saj pjesë e grupit Rob Luft në vitin 2015.

Repertori i saj përbëhej nga këngë të ndryshme, të njohura por edhe këngë nga albumi i ri, i cili përbëhej nga këngë të ndryshme. Për adhuruesit theksoi se albumi ka dalë në qershor dhe quhet “Time to remember”.

Në lidhje me praninë e poezive në krijimtarinë e saj, nëse kishte në plan të bënte një album kryekëput mbështetur në poezinë shqipe, tha se, është goxha e vështirë ta kthesh një poezi në këngë, pasi poezia ka ritëm, ka metrikë dhe domosdo duhet konsultuar autori i poezisë për këtë gjë.

Këngët që pasuan ishin nga Qamili i Vogël, e madhja Nexhmije Pagarusha, Luan Hajra, këngë shkodrane.

Po ashtu Elina ndau për publikun nkë detaj interesant që në kohën e pandemisë kanë udhëtuar për në Egjipt bashkë me partnerin e saj Rob Luft ku ishin pjesëmarrës në një festival xhazi atje. Pasi përfundoi festivali, organizatori u ka propozuar që të rrinë pasi në atë kohë Evropa kishte protokoll të rreptë, kësisoj thotë ajo: “ne ndenjëm në Egjipt, jo një muaj, jo dy tre, por plot gjashtë muaj, ku edhe mësova këngë të vjetra në gjuhën arabe”, përfundoi ajo.

Në përcjellje instrumentale ishin dhe emrat e njohur, si: profesor Gent Rushi nga Tirana si dhe Viktor Filipovski, Kiril Tufekcievski nga Shkupi.

Njërën nga ato e solli edhe për publikun që nuk ishte vetëm tetovarë, por nga Struga, Kërçova, Dibra, Gostivari e Kumanova. Repertori u përmbyll më dy këngë franceze dhe e vazhdoi me një këngë ekstra për publikun që kur u ngritën në këmbë dy sallat poshtë dhe lartë ishin të stërmbushura. Pyetjes sesi arrin të këndojë dhe kërcejë me aq energji, në të njëjtën kohë pa u lodhur, i përgjigjet: “Palestra”.

Karriera e Elina Dunit në muzikë ka filluar herët, qysh si e vogël kur ka shkuar në Zvicër dhe atje ka studiuar më vonë muzikën. Albumet që ka realizuar janë nëntë gjithsej, deri më tani, edhe atë:

  • 2007 – Baresha
  • 2010 – Lume, Lume
  • 2012 – Matanë Malit
  • 2014 – Muza e zezë
  • 2015 – Dallëndyshe
  • 2018 – Partir
  • 2019 – Aksham
  • 2020 – Lost Ships, 2023 – A Time to Remember

Drejtori i Qendrës së Kulturës Arlind Huseini u shpreh entuziast që më në fund arriti që të përmbush dëshirën për të sjellur emra të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe tha se edhe në vazhdim do të sjellin artistë të tjerë, por për tetor kanë planifikuar Festivalin “Teuta”.

Në shenjë falënderimi, për këtë koncert të suksesshëm drejtori Huseini, ndau mirënjohje për solisten Elina Duni.