Linda Yaccarino zyrtarisht drejtoresha e re e Twitterit, Elon Musk mbetet kryetar i bordit

Linda Yaccarino e cila është zgjedhur nga Elon Musk si pasuese e tij për rolin e drejtorit ekzekutiv në Twitter ka filluar detyrën e saj më herët se sa është pritur duke e zëvendësuar zyrtarisht Muskun, transmeton Gazeta Metro.

Që nga blerja e Twitter për 44 miliardë dollarë, Musk ka qenë nën presion që të gjejë një drejtues të ri për kompaninë në mënyrë që të fokusohet në kompanitë tjera të tij si Tesla dhe firma raketore SpaceX.

Musk ka emëruar Yaccarinon si drejtuese ekzekutive të Twitterit muajin e kaluar. Ajo filloi punën e saj sot ku ka mbikëqyrur operacionet biznesore pasi që kompania ka hasur në vështirësi që të jetë fitimprurëse.

Ai fillimisht kishte planifikuar që Yaccarino ta fillojë punën disa javë më vonë. Musk i cili është njeriu më i pasur në planet ka thënë se do të jetë i përfshirë në Twitter si kryetar i bordit dhe drejtues i sektorit të teknologjisë.

Yaccarino më parë ka qenë drejtoreshë e marketingut në gjigantin medial NBC Universal ndërsa tani i figuron edhe në profilin e Linkedin se ajo ka filluar rolin e saj si drejtoreshë ekzekutive e Twitter.

Musk ka thënë se ai planifikon ende të jetë i përfshirë në kompani, raporton BBC.

Yaccarino merr detyrën në ditën kur Twitter ka pushuar nga puna një nga drejtorët e saj Joe Benarroch.