Për dashnitë me brina dhe këngët bio të Rizah Bllacës
Zana Duraku është aktore nga Prizreni dhe së fundmi ka kryer edhe regjinë e teatrit. Me vete solli likerin “Dashni me brina” që e prodhonte Alia, njëri nga bashkëpunëtorët e një vajze të re në moshë, e bija e një dëshmori e cila kishte lënë pikturën dhe po thente tabutë me faktin që po kultivonte vreshtat dhe po prodhonte rakinë “Syrrush”. Ajo quhet Brikena Gashi. Zana është mbesa e Ukshin Hotit dhe ndjente sikur po bënte një akt patriotik derisa fliste për vajzën e re e të guximshme për brendet vendore me emra shqip, e tani më e pakta që mund të bënte, pak zgjatje dore për kurajë, shkruan Portalb.mk.
Nejse, pas kësaj biseda rrjedh vetëvetiu për gjërat vendore, muzikën, artin e pastër. Kur jemi këtu, flasim për shfaqjen teatrale kushtuar Homerit shqiptar, siç e quajnë ndryshe rapsodin popullor Rizah Bllacën. Zana i ka dramatizuar dhe ka improvizuar situata bazuar në këngët e tija puro lirike dhe erotike.
– Zanë pse vendose t’i dramatizosh këngët e Rizah Bllacës?
– Sepse është rapsodi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.
– Më intereson, a të tha dikush që ai është demode?
– Sigurisht më kanë thënë. Por, kushdo që e dëgjon të madhin Rizah Bllaca një herë, do ta dëgjoj gjithmonë. Ka diçka hyjnore mes rreshtave dhe tingujve të tij që të bëjnë për vete dhe s’mundesh tu shqepesh më. Me kompozitorin Trimor Dhomi të cilit i falen për punën e bërë vendosem që këngët e të madhit Rizah Bllaca që i interpreton Xhemail Gllavica t’i gërshetojmë në një verzion krejtësisht të ri në shfaqjen time, me muzikë klasike nën interpretimin e Rozit (Rabije Kryeziut ) të cilat dolën mrekullisht bukur dhe shumë të këndshme për publikun. Këngët e tij mund të këndohen padyshim në të gjitha zhanret e muzikës.
– Diçka që të ka emocionuar ?
– Takimi me vajzen e Rizah Bllacës e cila erdhi në premierë në Prizren. Ishte takim shumë emocionues dhe i paharrueshëm…
…
Pastaj, rodhi një bisedë e gjatë për dashnitë, të cilat, përfundimisht janë me brina …
…

Iliada dhe Odiseja, epet më të vjetra homerike janë kënduar nuk janë lexuar siç bëjmë ne sot. Madje, mes shumë tezave se kush fshihet pas Homerit ekziston një që thotë se pas Homerit qëndron populli. Të gjithë e dimë se ai qe i verbër. Nuk ka pasur mundësi të shkruaj e të lexoj. Legjenda thotë se ai simbolizon këngëtorin që ndjen, që memorizon dhe riprodhon. Rizah Bllaca nuk ka qenë i verbër , por njejtë nuk dinte shkrim- lexim. E megjithate, me mijëra e mijëra vargje mbante mend duke i ndrequr e duke i rikënduar e përshtatur me vetëm një instrument. Oso Kuka ka qenë epi që i ka kushtuat goxha punë derisa e ka përshtatur në këngë. Një proces interesant pune. Një arkiv i gjallë këngësh folklorike shkëputur nga kujtesa e gjeniut popullor. Atij këngëtarit anonim që i ka dhënë zë Rizah Bllaca.
Rizah Bllaca u lind më 6 nëntor 1918 në Bllacë të Suharekës dhe vdiq më 28 maj 1988 në Shtimje dhe u varros në Ferizaj. Këngët e djaloshit që u rrit në institucionin e quajtur ” Odë ” paraqesin një pasuri të veçantë për traditën poetike populIore, prandaj Instituti Albanologjik i Prishtinës ka vendosur që t’i botojë ato në dy vëllime.
Me Zanën ngritëm një dolli për shpirtin e Rizahit qejfli në këngë dashurie që i përcillte me raki rrushi dhe në sfond na shoqëronin këngët :
…
“andërr kesh në gjumë të parë
Ftyra jote më ra ndër mend
Kur filloj gjumi me m’dalë e
Hapa sytë e s’të pashë kurrkund…”

“shkon e vjen kah dera jeme
Vajzë moj tuj shetit
Ndal njiher me t’pa me sy
Zojusha ime…
O shpirt sa të du
Çile gojën fol me mu
Jeta ime përmas teje
Ka mbaru… “
Të parët tanë muzikën së pari e kanë njohur me vesh, përmes radiove me kaseta me anë A dhe B , ku kurrë nuk ke pasur mundësi të dish si duket Rizah Bllaca , por ama zërin nuk ia harron dot edhe nëse veç një herë ia ke dëgjuar rastësisht si imponim nga baba i ri, që të duket sikur dëgjon këngë pleqsh. Vjen koha kur e zgjedh vet në ” youtube” dhe nuk të vjen fare turp të thuash se je fans i Riza Bllacës , siç nuk i vjen turp atij që thotë më pëlqejnë baladat popullore që këndon Nik Kejvi. Përndryshe, ne jemi modernë, as mos keni dyshim, pasi mbajmë syze Ray – Ban dhe nganjëherë në mbrëmje e lexojmë Bukovskin.
*Për ata që duan ta shohin shfaqjen e Zana Durakut , më datë 7 qershor, pra nesër do të shfaqet në Elez Han. Mirë se vini!