Lida: Bëra një statujë të qenit Medena sepse jemi të ngjashme – nuk pranojmë të na dëshpërojnë vështirësitë

Ditëve të fundit Struga përsëri është në qendër të vëmendjes të aktivistëve për mbrojtjen e qenve endacakë. Por këtë herë jo sepse dikush i gjuan me armë apo i helmon ato, por sepse  artistja e njohur botërore Lida Sherafatmand, e cila tashmë disa vite jeton në Strugë, punoi një skulpturë të bushtrës endacake Medena, e cila i adhuron njerëzit dhe lehtë miqësohet me ato, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Deri më tani Lida ka realizuar 25 ekspozita në mbarë botën dhe pikturat, artikujt dhe poezitë e saj të vlerësuara janë publikuar nga Kombet e Bashkuara, UNESCO, Amnesty International, një numër i madh revistash arti dhe institucione të tjera. Në një bisedë për Meta.mk, ajo tregon se çfarë e ka frymëzuar dhe çfarë e ka motivuar për ta bërë këtë skulpturë, pse ka zgjedhur të bëjë status pikërisht për një qen endacak dhe cila është historia pas kësaj vepre artistike.

Ajo thotë se jeta e saj si artiste është e ngjashme me atë të Medenës dhe se e vlerëson butësinë e saj, pasi të dyja nuk lejojnë që vështirësitë t’i dëshpërojnë.

“Ky qen disa herë gjatë natës më ka shoqëruar mua rrugës për në shtëpi kur kisha frikë të shkoja vetëm, sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Kjo gjë më ka mahnitur gjithmonë tek ajo, se si ajo mund të ndjente frikën time dhe të më kthente në shtëpi kaq butësisht dhe me vetëbesim. Pastaj vura re se ajo është gjithmonë shumë e butë dhe sillet shumë e mirë me njerëzit në përgjithësi. Edhe ajo u ka mbijetuar shumë sfidave në 5-6 vitet e fundit. Pashë që ajo është në fakt një pjesë e mrekullueshme e komunitetit”, thotë Lida.

Ajo tregoi se duke i parë miqtë e saj se si blejnë ushqim për Medenën dhe se si kujdeseshin  për të dhe për këlyshët e saj kur ajo i lindi ato, i ka lindur dëshira që të bënte madje edhe një dokumentar, por me qenë se nuk ishte e trajnuar në atë lloj arti, ajo vendosi që respektin e saj për Medenën ta shprehte duke bërë një statujë në madhësinë e saj natyrore.

Foto: Kukunesh Tome, arkiv privat
Foto: Kukunesh Tome, arkiv privat

“Kjo ishte rreth një vit më parë, ndërsa pastaj, tek sa po përgatitej statuja, e gjithë situata me qentë endacakë për fat të keq, siç e dini eskaloi në një nivel ekstrem të dhunës. Më thanë se ka pasur edhe një periudhë kur ka pasur helmime me ushqime nëpër rrugë, kështu që ajo në fakt u ka mbijetuar “dy luftërave botërore” në jetën e një qeni, por përsëri mbetet një krijesë kaq e butë dhe madje “bujare” duke qenë kaq e sjellshme me njerëz si unë, të cilët ndonjëherë kanë nevojë për shoqërim e për siguri”, theksoi Lida.

Edhe pse më parë ajo ka punuar skulptura nga balta dhe guri, këtë herë ka vendosur të provojë që skulpturën e Medenës ta punojë me çimento, ndërsa për këtë e ka ndihmuar shoku i saj Aleksandar Gollaboski.

“Pronari i Kingston Mezebar u ofrua që të blinte çimenton për mua. Unë kam përdorur 100 kilogramë çimento në pluhur, një paketim prej 50 kilogramësh dhe dy paketime prej 25 kilogramësh. Për ta çuar atë deri tek rruga u deshën gjashtë persona. Përndryshe, statujën e kam bërë pa asnjë kompensim, nga zemra. Procesi ishte vërtet interesant për mua, emocionues në sfidat e tij. Në fakt sfidë ishte se tretësira e çimentos është pak sa si brumë petullash për kah  viskoziteti dhe trashësia, nuk mund ta “modelosh” ashtu siç mund të modelosh argjilin. E as nuk mund ta gdhendni atë siç gdhendet guri apo druri! Skulpturat e tilla zakonisht bëhen me materiale të tjera, pastaj merret një kallëp dhe mbushet me masën me ​​çimento. Por nuk kisha asnjë mundësi për atë metodë. Kështu që e punova duke vënë shtresë pas shtrese e duke u përpjekur ta kontrolloja me dorën çdo shtresë. Kjo është arsyeja se pse më mori kaq shumë kohë, pak më shumë se 6 muaj”, tregon Lida për Meta.mk.

Gjatë procesit të krijimit të skulpturës, ajo është munduar ta ndjejë Medenën, qëndrueshmërinë e saj, shpirtin e saj të butë dhe mbrojtës.

“Edhe pse ideja më lindi një vit më parë, deri sa i morëm materialet, para se të nisja skulpturën “unë u luta”, ashtu siç lutem gjithmonë përpara se të nis një pikturë timen. U luta jo në kuptimin tradicional, por në kuptimin e të shprehurit të një dëshire të vërtetë nga zemra dhe shpirti. Më pëlqen që veprimet e mia të jenë për të mirën e të gjithëve, sepse nuk jetojmë të izoluar… të gjithë jemi pjesë e një komuniteti më të madh dhe besoj se çdo njeri, çdo krijesë është një dhuratë për komunitetin”, thotë Lida.

Foto: Arkivi privat i Lida Sherafatmand
Foto: Arkivi privat i Lida Sherafatmand

Sipas Lidës situata me qentë endacakë në vend është një çështje komplekse që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin sektorë të ndryshëm të shoqërisë me punë të përbashkët.

“Është një problem kompleks që kërkon një përpjekje shumështresore nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë, t’i bashkojnë të gjitha forcat për mirëqenien e qytetarëve dhe kafshëve. Është shumështresore sepse përfshin edukimin e përgjithshëm të publikut për qentë, njerëzit duhet të dinë që qentë duhet të sterilizohen ose tredhen nëse nuk duam që të vazhdojnë të shumohen. Gjithashtu, të gjithë qentë duhet të kenë një numër regjistrimi, si qytetarët që janë të regjistruar diku si qytetarë. Shtresa tjetër është administrata si dhe strehimoret e rregulluara për qentë që nuk kanë gjetur një familje që do t’i pranojë ato. Qendra të tilla kërkojnë revizion dhe kontroll të rregullt për transparencë. Për ta rregulluar siç duhet transparencën e buxheteve dhe rregullimin e duhur, si dhe sterilizimin e qenve, duhet të miratohen ligje konkrete për këto çështje”, thotë Lida.

Ajo më tej propozon:

“Mendoj se restorantet që kanë ushqim të mbetur mund t’ua ofrojnë ushqimin e mbetur qenve, por duhet të ketë një metodë të ndarjes që do ta ndajë ushqimin nga materialet e tjera si kruajtëset e dhëmbëve, letra, plastika etj., të cilat nuk janë të mira për t’i ngrënë qentë. Mund të bëhet prezantimi i punës vullnetare të regjistruar nga cila do organizatë rinore, gjë që gjithashtu do të ndikojë në të menduarit e të rinjve”.

Printscreen, www.lida.gallery
Printscreen, www.lida.gallery

Ajo theksoi se me skulpturën e saj shpreson të prekë audiencën ashtu siç e ka prekur atë Medena, me butësinë e saj, pavarësisht se ka kaluar kohë të vështira në qytet si një qen endacak.

“Përcjellja e mesazheve sociale përmes artit tim ka qenë synimi im shumëvjeçar si artiste. Kur isha 3 vjeç, qyteti im i lindjes në Iran, aty ku kam lindur, u bombardua në luftën Iran-Irak. U trondita, qava dhe në atë kohë, në atë moshë, e pyeta/luta Zotin : “Të lutem më thuaj a kam bërë ndonjë gabim që të ndodhë kjo.” Dhe përgjigja më erdhi si një vegim… një vegim i diellit që këndon dhe engjëjve që kërcejnë dhe nga qielli dërgojnë lule për njerëzit. E kam vizatuar atë pikturë me ngjyrat e mia si fëmijë, dhe ky ishte fillimi i rrugëtimit tim si artiste. Sot, si një piktore e rritur kam studiuar edhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca politike për ta kuptuar më mirë natyrën e konflikteve në shoqërinë tonë, që të mund të krijoj si një piktor më i informuar. Nëpërmjet studimeve të mia pashë se çdo konflikt ka disa shtresa dhe që ato të zgjidhen nevojitet një mjedis ku qytetarët të zhvillojnë potencialet e tyre dhe të rriten, por edhe tu japin edhe të tjerëve nga ai zhvillim”, tha Lida.

Këtë vit në Strugë ajo ka pikturuar një “version për të rritur” të vizatimit të saj të parë, ndërsa veprën do ta ekspozojë në Mbrëmjet strugane të poezisë, së bashku me disa vepra të tjera nga koleksioni i saj i ri, i krijuar mbi konceptin “fuqia”.

“E kam interpretuar fuqinë në një mënyrë konstruktive, duke parë se si mund të jemi të fuqishëm si njerëz të mirë. Kam kënaqësinë dhe nderin të ndaj me ju se profesori Vlladimir Martinoski po shkruan poezi për secilën vepër të kësaj përmbledhjeje të re që do t’i prezantoj së bashku me punimet në Mbrëmjet strugane të Poezisë. Vitin e ardhshëm do të kem ekspozitë të tërë koleksionit në Parlamentin Evropian në Bruksel, ndërsa me kënaqësi do të prezantoj atje edhe poezitë e profesor Martinoskit”, tha Lida dhe shtoi se në artin e saj i është dashur t’i rezistojë presionit, qoftë edhe nga bota artistike që priste nga ajo që të krijonte piktura agresive, të dhunshme, sepse flet për çështje sociale.

Foto: Arkivi privat i Lida Sherafatmand
Foto: Arkivi privat i Lida Sherafatmand

“Ata nuk mund ta besojnë që unë u rrita në një luftë, një revolucion, pastaj që kalova një përvojë refugjati në jetë, por që vazhdoj të krijoj piktura të buta… kështu që pikërisht kjo është beteja që dua ta fitoj në jetë, të mos lejoj që ashpërsia të më detyrojë ta humbas butësinë dhe mirësinë time. Siç e shihni unë pikturoj kryesisht lule dhe gjithmonë them– sa më shumë që dëgjoj lajme të dhunshme, aq më shumë pikturoj lule delikate”, thotë Lida.